Stani i Zanave

Nga Petrit Palushi

Moti, bukur moti, n’Sasat ishte nji stan.
Ndryshe prej staneve tjerë, aty afër ishte nji krue, por kishte edhe molla t’egra dhe dardhishta.
Në verë edhe plot dredhëze e qershikze.
Kur piqeshin dredhëzet e qershikëzet ambëltohej krejt vendi.
Poshtë stanit vendi ishte si me qenë kurriz i madh.
Nji ditë, stanari i afroi delet te stani dhe i msheli në kotar.
Po avitej terri. Stanari u ul te nji gur me pushue.
N’ket kohë erdhën do zana.
Stanari u çue menjiherë në kambë.
Fap, vendi u drejtue dhe u ba rrafsh.
Zanat kqyr stanarin e ai kqyr zanat.
– Po ju? – i pyeti.
– Jemi zana, – folën ato me nji za.
– Se jeni zana po e marr vesh, – foli stanari. – Se ma t’hijshme se ju nuk gjen kërkund, sikur me u bashkue edhe toka me qiellën. Qe, edhe territ i lëshuet dritë. Qe, prej jush edhe vendi para stanit u ba rrafsh. Po nuk e di pse erdhët këtu.
– Jemi t’lodhme, – folën zanat.
– T’lodhme? Zanat nuk lodhen, – foli stanari.
– T’lodhme e ku s’shkon ma, – folën zanat me nji za. – Na erdh shpirti me dalë. Ra shi e çoi shtrëngatë krejt ditën e lume. Nji nanë sa e leu djalin përmidis bjeshkës. Me shpëtue nanën e djalin, u bamë lis me degë t’mëdha. Veç kur ndalën shiu e shtrëngata u larguem.
– Të hajrit kjofshi sa herë! – foli stanari.
– Mezi po rrimë n’kambë, – folën zanat. – S’mund të shkojmë sonte aty ku rrimë sa herë. Mu për ket, natën do e kalojmë ktu.
– Ju jeni edhe të qiellës, edhe të tokës me ujë e pa ujë, edhe të njerëzve, – foli stanari. – Dera e stanit asht e haptë për ju.
Zanat u përqafën me njana – tjetrën.
Stanari u fut në stan, u shtroi zanave bukë në sofër, pa harrue edhe dy kupa me dredhëze e qershikze.
Doli prej stani e u tha zanave:
– Dera e stanit asht e haptë.
– Jo, – folën zanat. – Ne do hyjmë atymbrendë, mbasi do fleshë ti.
Stanari nuk kundërshtoi dhe u ul te guri. E zu gjumi si me qenë i vdekun.
T’nesërmen, pak pa çelë drita stanari u fut në stan.
Kqyr zanat, zanat kërkund.
Pa sofrën, buka e paprekme.
Vetëm nëpër vend pa pluhunin e teshave, pluhun me vizëllima e vizëllima.
Thuhet se prej at’here stanit i mbeti emni Stani i Zanave.

*Kukës / Nga cikli: Legjenda t’rrëfyeme…

ObserverKult


Lexo edhe:

PETRIT PALUSHI: LIBRAT E PARË QË MË LANË MBRESA

Leximi i librave zakonisht  nis kah klasa e tretë a e katërt e Fillores.

Natyrisht, në këtë kohë dallohen më pasionantët, të cilët s’i ndahen leximit të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës së tyre. Leximi për ta kthehet në  domosdoshmëri, në plotësim të dëshirave të tyre për  njohje. Gradualisht, mësojnë se bota letrare është labirinth, e pamatshme dhe dhe që nuk shterret kurrë.

Kam përshtypjen se udhëtimi në botën e librave, në pamje të parë nuk ka të bëjë vetëm me kqyrjen e tekstit, përthithjen e gjithkaje që përmban teksti përmes shkronjave, por është udhëtim  përmes shpirtit. Aty shpirti këndellet, gjen qetësi, gjen njëfarë ngrohme.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult