Nga Stefan Cvajg
Çdo gjë kuptohet nga duart, nga mënyra me të cilën presin, me të cilën kapin, me të cilën ndahen. Njëqind karaktere mund të zbulosh nga mënyra se si i kapin duart paratë, si i zhubrosin dhe i shtrëngojnë me lëvizje nervoze. Karakteri i njeriut zbulohet në kumar nga vetë dora e tij. Sepse të gjithë ose pothuajse të gjithë kumarxhinjtë kanë mësuar se si të mos tradhtohen nga fytyra. Ata ruajnë maskën e ftohtë në fytyrë që i tregon të paprekshëm… Por pikërisht ngaqë tërë vëmendja përqendrohet te fytyra, ata harrojnë duart, që zbulojnë pa turp të fshehtën e madhe…
***
-Ngrihuni shpejt! Këtë çast…
Mirëpo atëherë ndodhi diçka e papritur. U kthye rrëmbimthi, po fytyra që më shikonte nuk ishte më e përvuajtur dhe e turpshme, ishte fytyra e një budallai, e një të çmenduri, me sy të flakëruar e buzë që i dridheshin nga inati.
-Lermëni rehat! – thirri. –Sa herë që vini ju, humbas. Kështu bëtë dje, kështu po bëni dhe sot. Shkoni!
Mbeta një çast si e ngurosur. Përballë marrëzisë së tij shpërtheu dhe inati im.
-Unë ju kam sjellë tersin? – e sulmova. – Gënjeshtar, hajdut, m’u betuat…
Po s’munda të vazhdoja, sepse ai i çmendur brofi në këmbë dhe më shtyu, pa çarë kokën për zhurmën që nisi të bëhej rreth nesh.
-Lermëni rehat! – thirri si i xhindosur. – Unë s’jam nën mbrojtjen tuaj… Na… na…, merrini paratë që ju kam borxh, – dhe më hodhi disa kartëmonedha qindëshe. – E tani lermëni të qetë!
***
Kanë kaluar njëzet e katër vjet që atëherë, e megjithatë, tek më kujtohet ai çast kur rrija atje e fshikulluar nga ironia e tij, më ngrin gjaku në rremba.
Dhe e ndjej përsëri me lebeti se çfarë lënde e dobët, e ngratë dhe e mjerë duhet të jetë ajo që ne, me fjalë tepër të mëdha, e quajmë botë të brendshme, shpirt, ndjenjë, ajo që ne e quajmë dhimbje, sepse të gjitha këto, qoftë dhe në kulm, nuk janë në gjendje ta dërrmojnë krejt trupin e munduar – pse rrojmë prapëseprapë në të tilla çaste, me gjakun që na rreh në deje si çekan, në vend që të vdesim, të këputemi e të biem si ajo pema kur e godet rrufeja. Po ashtu është si ju thashë: dhimbja qenka e poshtër, u mposhtka nga dëshira cipëplasur për të jetuar që, siç duket, ka hedhur në mishin tonë rrënjë më të thella nga të gjitha pasionet e vdekshme të shpirtit.
Nga libri: “24 orë nga jeta e një gruaje”
ObserverKult
———————–
Lexo edhe:
STEFAN CVAJG: GJITHË NATËN MENDOVA PËR TY, PA TË NJOHUR AKOMA…
FOTO EMOCIONUESE: SI VDIQËN TË PËRQAFUAR CVAJG DHE BASHKËSHORTJA E TIJ
ObserverKult