Nga Giorgio Vaisari
Shpesh dhuntitë e mëdha reshin natyrshëm në trupat njerëzorë, përmes ndikimeve qiellore, dhe nganjëherë në mënyrë të mbinatyrshme një trup i vetëm është i tejmbushur me kaq shumë bukuri, hijeshi dhe aftësi, saqë kudo që shkon, secili prej veprimeve të tij duket aq hyjnor sa i lë mbrapa të gjithë njerëzit e tjerë dhe në mënyrë të qartë e shfaq veten si gjeni, i pajisur më shumë nga dora hyjnore sesa nga marifetet njerëzore.
Këtë panë njerëzit te Leonardo da Vinçi, në të cilin përveç bukurisë trupore, që s’u lavdërua kurrë sa duhet, ishte hijeshia më shumë se e pafundme në çdo veprim të tij; dhe kështu kjo u shndërrua në virtyt dhe çdoherë kur mendja e tij hasi në vështirësi, ai arriti që me lehtësi të gjejë zgjidhje. Forca brenda tij ishte tepër e madhe dhe e bashkuar me shkathtësi, ndërsa shpirti i tij i madh dhe guximi ishin mbretëror. Fama e emrit të tij mori dhenë jo vetëm në kohën e tij, kur ai u nderua së tepërmi, por u shpërnda akoma më shumë pas vdekjes së tij.
Vërtet i admirueshëm dhe qiellor ishte biri i Piero da Vinçit, Leonardo, i cili do të kishte bërë një progres të madh në studimet e tij në fushën e letrave sikur të mos ishte kaq i paparashikueshëm dhe i paqëndrueshëm. Kjo ishte edhe arsyeja që ai mësonte shumë gjëra, i niste ato dhe pastaj i braktiste. Kështu, për pak muaj, Leonardo sprovoi veten në matematikë dhe bëri një progres të tillë që shpesh e vuri në vështirësi dhe në dyshime mësuesin e tij, duke e hutuar jo në pak raste. Ai u mor edhe me muzikë për njëfarë kohe dhe vendosi të mësonte t’i binte lyrës, si dikush të cilit natyra i kishte dhënë një shpirt të lartë plot me hir; dhe arriti të këndojë në një mënyrë hyjnore pa asnjë lloj përgatitjeje.
Megjithatë, edhe pse ai ishte i prirur të bënte kaq shumë gjëra, nuk e la kurrë mënjanë vizatimin dhe punën në reliev, që i rrinin fantazisë më afër se gjithçka tjetër. Duke u nisur nga kjo dhe duke e marrë në konsideratë inteligjencën e të birit, Piero mori disa nga vizatimet e Leonardos dhe ia çoi mikut të tij, Andrea del Verrocchios, të cilit iu lut t’i tregonte nëse piktura do të ishte rruga e duhur për të birin. Andrea u mahnit kur pa fillimet e jashtëzakonshme të Leonardos dhe e nxiti Pieron që ta lejonte të birin të studionte pikturën. Babai e shtyu Leonardon të shkonte në studion e Andreas, gjë të cilën Leonardo e bëri me kënaqësi. Dhe kështu, ai nuk ushtroi vetëm këtë profesion, por të gjitha ato profesione në të cilat piktura luante rol. Leonardo zotëronte një inteligjencë hyjnore dhe të mrekullueshme, që e bënin njëkohësisht një gjeometër, skulptor dhe arkitekt të zotin. Sa i përket skulpturës, Leonardo, në rininë e tij bëri me terrakotë (argjilë) kokat e disa femrave që qeshin, formuar sipas artizanaleve të gipsit, si dhe kokat e disa fëmijëve të cilat duken se kanë dalë nga dora e një mjeshtri. Ndërsa në arkitekturë bëri shumë vizatime të planeve dhe të strukturave; edhe pse ishte akoma i ri, ai ishte i pari që hodhi idenë e të bërit të Lumit Arno një kanal lidhës mes Pizës dhe Firencës.
Leonardo bëri vizatime të shumta të mullinjve dhe të makinerive ushtarake që mund të punonin me forcën e ujit; dhe pasi piktura do të ishte profesioni i tij, ai studioi me kujdes këtë zanat, duke u tërhequr nga jeta. Nganjëherë bëri medalje ose figura me terrakotë (argjilë), të cilat i mbulonte me lecka të buta të zhytura në allçi dhe pastaj me durim, mbi piktura vendoste pjesëza të holla liri të butë, ose të përdorura dhe i punonte me të bardhë dhe të zezë me majën e brushës, një mrekulli e vërtetë.
Përveç kësaj ai vizatoi me aq kujdes dhe aq mirë në letër sa askush tjetër nuk mundi t’i ngjasojë delikatesës së stilit të tij dhe unë kam një kokë nga këto skica në chiaroscuro e cila është hyjnore. Në këtë gjeni kishte kaq shumë mirësi hyjnore, një kombinim kaq harmonik dhe të frikshëm të intelektit dhe kujtesës për ta shërbyer atë. Leonardo, gjithashtu kishte një aftësi të mrekullueshme që t’i shprehte idetë përmes vizatimeve të duarve të tij dhe me anë të arsyetimeve dhe argumenteve arrinte t’i hutonte edhe mendjet më të guximshme.
Dhe çdo ditë bënte modele dhe vizatime në mënyrë që të gërmonte dhe të shponte male për të kaluar me lehtësi nga njëri nivel në tjetrin dhe me ndihmën e levave, çikrikëve dhe ngritëseve tregonte se mund të ngrihej dhe të tërhiqte pesha të rënda. Ai, po ashtu përdori edhe metoda për zbrazjen e porteve dhe pompa për marrjen e ujit nga vendet e cekëta; truri i tij nuk u ndal kurrë së imagjinuari të tilla gjëra dhe shumë skica dhe ide për këto projekte gjenden të shpërndara nëpër punën tonë, një numër të mirë të të cilave unë vetë i kam parë.
Përveç kësaj, ai humbi kohë në vizatimin e një sërë nyjesh në një litar, me njëfarë rregulli që mund të ndiqeshin nga njëri skaj në tjetrin dhe me litarin e tërë ai arriti të krijonte një fushë rrethore në mes të së cilës shkruhej: Leonardus Vinci Accademia. Dhe mes këtyre modeleve dhe vizatimeve ishte njëri që në shumë raste ai ua prezantoi njerëzve inteligjentë që qeverisnin Firencën, që tregonte se ai mund ta rriste tempullin e Shën Gjonit dhe të vendoste shkallë poshtë kishës, pa e rrënuar atë. Leonardo e mbronte me aq argumente sa kjo dukej e mundur, por pasi secili prej tyre u largua nga akademia e tij, e kuptoi pamundësinë e një projekti të tillë. Leonardo ishte kaq i këndshëm në bisedat e tij, saqë arrinte t’i bënte për vete të gjithë njerëzit. Edhe pse mund të themi se ai thuajse nuk zotëronte asnjë pronë dhe kishte punuar vetëm pak, arriti që gjithmonë të mbante shërbëtorë dhe kuaj, për të cilët u kujdes me shumë kënaqësi, ashtu si për të gjithë kafshët e tjera, të cilat i trajtoi me dashuri të madhe dhe me durim.
Për shembull, kur ai kalonte në vende ku shiteshin zogj, pasi paguante çmimin e kërkuar nga shitësi për to, e hapte kafazin dhe me dorën e tij i nxirrte nga aty, duke iu dhënë kështu lirinë e humbur. Si rezultat, natyra e kishte favorizuar dhe kudo ku i shkonte mendja, truri dhe shpirti tregoi një inspirim hyjnor, saqë askush tjetër nuk mundi të ishte i barabartë me të në perfeksion, gatishmëri, gjallëri, mirësi, përsosmëri dhe hir.
Është e dukshme se për shkak se e njihte mirë artin, Leonardo filloi njëkohësisht shumë gjëra të cilat i la gjithmonë të papërfunduara. Sipas tij, dora nuk mund të arrinte perfeksionin në artin e gjërave që imagjinonte, pasi ai e kishte parashikuar se këto probleme delikate, të mrekullueshme dhe të vështira, edhe pse ishte tepër i shkathët, nuk do të arrinte t’i shprehte kurrë. Por aq të mëdha ishin tekat e tij sa duke filozofuar për gjërat natyrore, u mor me vetitë e bimëve, duke kaluar te lëvizja e qiellit, rrjedha e hënës dhe lëvizja e diellit.
Siç u përmend edhe më herët, ishte Piero ai që e lidhi Leonardon me profesionin e tij, duke e çuar prej kur ishte i vogël, në studion e Andrea del Verrocchios. Andrea po punonte në një panel që tregonte Shën Gjonin duke pagëzuar Krishtin, në të cilin Leonardo punoi një engjëll që mbante disa rroba; edhe pse Leonardo ishte tepër i ri, ai arriti ta bënte engjëllin në një mënyrë të atillë që dukej shumë më i bukur se të gjitha figurat e Andreas. Kjo do të jetë arsyeja pse Andrea nuk do t’i prekë më kurrë ngjyrat, i zemëruar se si mundej një djalë i ri t’i kuptojë ato më mirë se ai.
Leonardos iu caktua që të bëjë një punim me fije ari dhe pëlhurë mëndafshi për t’ia dërguar mbretit të Portugalisë, ku do të pikturohej Adami dhe Eva duke mëkatuar në parajsë: ku me brushë Leonardo bëri në chiaroscuro, ndriçuar me të bardhë, një livadh me barëra të pafundme dhe disa kafshë, për të cilat mund të thuhet se për nga saktësia dhe natyrshmëria, gjeniu nuk mund të krijonte diçka më të ngjashme me botën hyjnore. Përveç fikut të shoqëruar me gjethet dhe degët, është dashuria me të cilën është pikturuar, para së cilës përkulet çdo mendim, se si është e mundur që një njeri të ketë një durim të tillë. Gjithashtu është edhe një palmë, që ka rrumbullakësinë e rrotave, e punuar me mjeshtëri të madhe, e cila pa durimin dhe gjenialitetin e Leonardos nuk do të mund të bëhej e tillë. Kjo vepër nuk mund të bëhej ndryshe: dhe sot ajo ndodhet në Firencë, në shtëpinë e Magnifico Ottaviano de’ Medici, dhuruar jo shumë kohë më parë nga xhaxhai i Leonardos.
Thuhet se kur Piero da Vinçi ndodhej në shtëpinë e tij në fshat, një fshatar erdhi ta kërkonte për t’i dhënë një mburojë të punuar me drurin e një fiku të prerë nga ferma e tij, që ta merrte në Firencë dhe ta pikturonte; ai pranoi me kënaqësi ta bënte këtë pasi fshatari ishte me shumë përvojë në kapjen e zogjve dhe të peshqve dhe kështu e kishte ndihmuar Pieron në këto aktivitete.
Dhe Piero kështu veproi, e mori atë në Firencë dhe, pa i treguar asgjë Leonardos, i kërkoi që të pikturonte ndonjë gjë në të. Leonardo, e mori një ditë mburojën dhe pa që ajo ishte e shtrembër dhe e punuar keq, kështu që e futi në zjarr, pastaj e kaloi në torno (makinë për përpunimin e metalit) dhe arriti ta bënte më të lëmuar. Pasi e mbuloi me një shtresë allçie dhe e rregulloi siç dinte ai, nisi të mendonte se çfarë do të pikturonte në të, në mënyrë që të tmerronte të gjithë ata që i vinin kundër dhe që të jepte të njëjtin efekt si koka e Meduzës. Për të arritur këtë efekt, Leonardo e çoi në dhomën e tij, ku nuk hynte askush përveç tij, zvarranikëve, hardhucave, karkalecëve, gjarpinjëve, fluturave dhe insekteve të tjera të çuditshme të këtij lloji; duke i përshtatur të gjitha bashkë, ai krijoi përbindëshin më të frikshëm dhe të tmerrshëm me frymë helmuese dhe që e bënte ajrin zjarr. Ai e bëri përbindëshin sikur po dilte nga një shkëmb i errët dhe i thyer, duke shfryrë helm nga goja e hapur, zjarr nga sytë dhe tym nga hunda, në një mënyrë të çuditshme që tingëllonte me të vërtetë i tmerrshëm dhe monstruoz. Leonardo u mundua shumë për ta bërë, pasi era e kafshëve të ngordhura në atë dhomë ishte e tmerrshme, por për shkak të dashurisë së madhe për artin, ai nuk e ndjente atë. Pasi e mbaroi këtë punë, që më nuk po kërkohej as nga fshatari, as nga babai i tij, Leonardo i tha se përsa i përket anës së tij, mburoja ishte përfunduar. Një mëngjes Piero shkoi për të marrë mburojën dhe pasi i ra derës, Leonardo ia hapi duke i thënë që të priste pak; u kthye në dhomën e tij dhe e vendosi mburojën mbi një këmbalec pikture në dritë dhe e lëvizi dritaren në mënyrë që të zbehte dritën, pastaj e futi brenda për ta parë. Piero, duke mos e pritur këtë, u trondit, pasi ai nuk e kuptoi se ajo ishte një mburojë dhe ajo çka ishte mbi të ishte pikturë. Piero bëri një hap prapa nga frika dhe Leonardo e mbajti dhe i tha: “Kjo vepër e ka arritur qëllimin për të cilin është bërë. Merre dhe largoje prej këtu, pasi kjo është arsyeja për të cilën kjo vepër është bërë.”
Kjo gjë Pieros iu duk më se e mrekullueshme dhe e vlerësoi tepër diskursin kapriçoz të Leonardos; pastaj, në një treg bleu një mburojë tjetër në të cilën ishte pikturuar një zemër e përshkuar nga një shigjetë dhe ia dha fshatarit, i cili i ishte mirënjohës deri në fund të jetës. Ndërsa, mburojën e Leonardos e shiti në mënyrë të fshehtë te disa tregtarë, për 100 dukatë. Dhe për një kohë të shkurtër ajo arriti në duart e dukës së Milanos, të cilit iu shit nga tregtarët për 300 dukatë.
Pastaj, Leonardo bëri një pikturë të mrekullueshme të Madonës, që u mor nga Papa Clemente VII. Dhe ndër shumë gjëra që bëri, imitoi edhe një enë plot me ujë me disa lule brenda, ku përveç mrekullisë së të dukurit krejt e gjallë, kishte arritur të imitonte edhe bulëzat e vesës, dhe ajo dukej më e gjallë se gjallëria. Antonio Segnit, një mikut të tij të afërt, mbi një gjethe i bëri një Neptun, të cilin e pikturoi me kaq zell sa dukej si i gjallë. Dukej deti i turbulluar, qerrja e tij e tërhequr nga kuajt e detit, fantazmat, delfinët dhe kokët e disa perëndive detare, të mrekullueshme. Kjo pikturë iu dhurua Messer Giovanni Gaddit nga djali i tij Fabio, me këtë epigram:
Virgjili pikturoi Neptunin, dhe Homeri e pikturoi
Derisa ai kthehej me kalin nëpër detin e trazuar
Të dy e panë atë me mendjen e një poeti
Po sytë e Da Vinçit më thellë kanë depërtuar.
Më pas, Leonardos i erdhi një ide që të vizatonte në një pikturë vaji kokën e një Meduze me një lloj koke si të gjarpërit, dhe kjo sigurisht që ishte shpikja më e çuditshme dhe më ekstravagande që mund të imagjinohej; por si vepër, meqë kërkonte kohë, dhe meqë ai thuajse kurrë nuk ndërhynte në veprat e tij, mbeti e papërfunduar. Kjo ndodhet mes gjërave të mrekullueshme të Dukës Cosimo, së bashku me kokën e një engjëlli ku përshkruhet nga shpatulla deri në bërryl ngritja e njërit krah në ajër dhe në anën tjetër jepet dora tjetër që vendoset mbi gjoks. Është e mrekullueshme të mendosh se me inteligjencën që ai kishte dhe dëshirën për t’iu dhënë rëndësi të veçantë gjërave që bënte, ai luante me hijet e errëta, për të gjetur kështu të zeza më të thella. Leonardo kërkonte të zeza që dukeshin më të errëta se të zezat e tjera, në mënyrë që t’i bënte më të qarta, dhe përmes tyre dukeshin më ndriçuese (shkëlqyese); dhe në fund arrinte që në një përzierje të tillë të ngjyrave, duke mos mbetur më ngjyra të çelta, ato kishin më shumë formë se gjërat që përbëjnë natën, me një përsosmëri të dritës së ditës: por e gjithë kjo bëhej për të gjetur fundin dhe perfeksionin në art.
Leonardos i pëlqente shumë kur shihte kokë të çuditshme të njerëzve, me mjekra ose me flokë jo të zakonshme. Kështu ai gjatë gjithë ditës e ndiqte njërin nga ata që i pëlqente më shumë dhe krejt këtë e kthente në ide dhe sapo shkonte në shtëpi e vizatonte sikur ta kishte pasur prezent. Ai pa shumë koka të tilla meshkujsh dhe femrash, siç ishte ajo e Amerigo Vespuçit etj. Kur ndodhi që vdiq Duka i Milanos, Giovan Galeazzo, në 1494 dhe titullin e tij e mori Lodovico Sforza, Leonardon e sollën me një ceremoni të madhe në Milano për të luajtur lyrën për dukën, pasi atij i pëlqenin shumë tingujt e këtij instrumenti. Leonardo e solli me vete atë instrument të cilin e kishte bërë vetë me argjend dhe kishte formën e një koke kali (një gjë e çuditshme dhe e pazakontë), në mënyrë që tingulli të ishte më i plotë dhe më rezonant dhe kështu arriti t’ua kalonte të gjithë muzikantëve që ishin mbledhur aty për të luajtur muzikë. Përveç kësaj, ai ishte edhe recituesi më i mirë në atë ditë, për rimat e improvizuara.
Duka, duke dëgjuar arsyetimet e mrekullueshme të Leonardos, u dashurua kaq shumë në të sa ishte e pabesueshme. Dhe iu lut Leonardos që të pikturonte një tabelë altari[1] brenda të cilës do të paraqitej lindja e Krishtit, e cila iu dërgua Perandorit nga Duka. Ai gjithashtu në Milano bëri Darkën e fundit për murgjit domenikanë në Santa Maria delle Grazie. Kjo ishte një punë kaq e bukur dhe e mrekullueshme, ku kokave të apostujve arriti t’u jepte kaq shumë mjeshtëri dhe bukuri, saqë ajo e Krishtit mbeti e papërfunduar, duke menduar se ishte i paaftë t’i jepte atë ndriçim hyjnor që kërkonte imazhi i Krishtit.
Kjo vepër u la kështu siç ishte në Milano dhe gjithmonë u trajtua me nderim të veçantë nga milanezët dhe nga të huajt, pasi në të Leonardo kishte arritur të shprehte në mënyrë të mrekullueshme dyshimin që kishte hyrë brenda apostujve, të cilët donin të dinin se kush ishte ai që e kishte tradhtuar mjeshtrin e tyre. Për këtë arsye, në fytyrat e të gjithëve vërehet dashuria, frika, indinjata, ose dhimbja që janë të paaftë të kuptojnë mendjen e Krishtit. Dhe kjo nuk do të shkaktojë më pak çudi sesa njohja e kundërshtive, urrejtjes dhe tradhtisë tek Juda, pa përmendur edhe faktin se çdo pjesë e vogël e kësaj vepre reflekton kujdes dhe zell të pabesueshëm. Madje edhe materiali i mbulesës së tavolinës është imituar aq mirë sa edhe në realitet nuk duket më mirë.
Thuhet se kryeprifti me këmbëngulje të madhe e shtynte Leonardon që ta përfundonte veprën, pasi i dukej e çuditshme kur e shihte që gjysmën e ditës e humbte në mendime, dhe ai do të donte që ashtu si punëtorët që punonin kopshtin, edhe Leonardo të mos e ndalte brushën. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ai u ankua edhe te Duka dhe bëri një zhurmë të tillë, saqë Duka dërgoi që të pyesnin Leonardon për punën e tij, duke i treguar me shumë mirësjellje se këtë gjë po e bënte për shkak të kryepriftit.
Leonardo, duke e njohur sa i matur dhe sa i mrehtë ishte Duka, dëshironte që ta diskutonte (gjë që nuk e kishte bërë me kryepriftin) kohëzgjatjen e punës së tij me të; ai foli me të gjerësisht për artin dhe i arsyetoi se nganjëherë gjenitë duhet të punojnë më pak në mënyrë që përmes mendjes të kërkojnë shpikje të reja dhe ide perfekte, pastaj këto ide të mbrujtura në mendje kërkojnë që t’i shprehin përmes duarve. Pastaj shtoi se i mungonin edhe dy koka për ta përfunduar; ajo e Krishtit, për të cilën nuk donte të kërkonte në tokë dhe nuk ia merrte mendja që në imagjinatë të mund të ngjizte atë bukuri dhe atë hir hyjnor që mund të mishërohet në një hyjni; dhe koka e Judës, sepse ai nuk mendonte se ishte i aftë që të përshkruante fytyrën e një njeriu që pas pranimit të kaq shumë të mirave nga Zoti i tij, Krijuesi i Botës, të ketë një mendje aq dashakeqëse sa të jetë i aftë ta tradhtojë. Edhe për këtë fytyrë i duhej një model, por në fund nëse nuk do të arrinte të gjente ndonjë tjetër, do të merrte për bazë kokën e kryepriftit, i cili ishte kaq këmbëngulës dhe i pamatur. Kjo gjë e bëri Dukën të qeshë dhe ai deklaroi se kishte mijëra arsye për ta bërë këtë. Dhe kështu, kryeprifti i shkretë e la të qetë Leonardon dhe iu kthye punës së tij në kopsht. Ai e përfundoi mjeshtërisht kokën e Judës, e cila dukej si një imazh i vërtetë i tradhtisë dhe çnjerëzores. Ajo e Krishtit, siç e thamë, mbeti e papërfunduar.
Fisnikëria e kësaj pikture, si për nga përbërja ashtu edhe për nga kujdesi i pakrahasueshëm, i zgjoi dëshirën mbretit të Francës që ta merrte në mbretërinë e tij: ai u përpoq në çdo lloj mënyre që të gjejë arkitektë që mund të jenë në gjendje që përmes trarëve dhe hekurave ta transportojnë atë pikturë me gjithë mur pa e dëmtuar dhe shpenzimet për të nuk kishin kurrfarë rëndësie, pasi dashuria për këtë pikturë ishte më e madhe. Por fakti që ajo ishte bërë në mur, e detyroi Madhërinë e tij që ta ndrydhë dëshirën dhe kështu ajo ju mbeti milanezëve. Ndërkohë që po punonte Darkën e fundit, në fund të një muri, në të njëjtën sallë ngrënjeje ku gjendej Kryqëzimi i Krishtit i punuar në stil të vjetër, bëri portretin e Lodovicos dhe djalit të tij të pare, Massimilianos, dhe nga ana tjetër bëri Dukeshën Beatrice me djalin tjetër, Francescon (të dy më vonë u bënë Dukë të Milanos). Dhe të gjithë portretet janë madhështore. Ndërkohë që po merrej me këtë vepër, Leonardo i propozoi Dukës që të bëjë një kalë prej bronzi, në dimensione tepër të mëdha, për të përkujtuar imazhin e Dukës, babait të tij. Leonardo e nisi në një madhësi gjigande, saqë nuk arriti kurrë ta përfundonte.
Ka nga ata që mendojnë (siç janë të ndryshme gjykimet njerëzore për shkak të zilisë dhe dashakeqësisë) se Leonardo (ashtu si me gjërat e tjera të tij) e filloi këtë projekt pa ndonjë qëllim për përfundimin e tij; sepse duke qenë kaq i madh, paraqiste vështirësi të mëdha për t’u punuar, dhe është e mundur të besohet se shumë njerëz e kanë formuar një gjykim të tillë nga fakti se Leonardo la shumë vepra të papërfunduara.
Por e vërteta është se një mendje kaq e shkëlqyer dhe e jashtëzakonshme si e Leonardos pengohej nga fakti se ai ishte shumë i etur duke kërkuar vazhdimisht përsosmëri mbi përsosmërinë dhe, siç thotë edhe Petrarca ynë, kjo ndoshta ishte arsyeja që puna e tij u ngadalësua nga dëshira e tij perfeksionuese. Dhe për të thënë të drejtën, ka nga ata të cilët e kanë parë modelin e madh që Leonardo kishte bërë në argjilë dhe thonë që kurrë nuk kanë parë gjë më të bukur dhe më madhështore, model i cili qëndroi deri kur francezët hynë në Milano me mbretin e tyre Lodovicon dhe shkatërruan gjithçka.
Leonardo gjithashtu në zyrën e tij humbi edhe një model të vogël dylli, që ishte mbajtur në mënyrë të mrekullueshme dhe një libër me ilustrime nga anatomia e kuajve. Leonardo pastaj, por tani me një kujdes të madh, e sprovoi veten në studimet për anatominë e njeriut duke punuar bashkë me Messer Marc’Antonio della Torre, një filozof i shkëlqyer që më pas u bë profesor në Pavia dhe shkruajti për këtë çështje dhe gjithashtu ishte ndër të parët (siç kam dëgjuar të thuhet) që përmes mësimeve të Galenos[2] solli të reja në studimet mjekësore dhe hodhi dritë mbi të vërtetën e anatomisë, që deri në atë kohë ishte fshehur nën hijen e thellë të injorancës.
Në këtë punë ai u ndihmua mrekullisht nga gjeniu, puna dhe dora e Leonardos, që bëri një libër të vizatuar me laps të kuq dhe të skicuar me stilolaps (ku vizatoi kufoma) që ai me dorën e tij i kishte rrjepur dhe kështu i përshkroi me një kujdes tepër të madh. Ai vizatoi të gjithë strukturën e kockave dhe pastaj me rregull i bashkoi të gjithë nervat duke i mbuluar ato me muskujt; grupi i parë ishte i lidhur me skeletin, i dyti i mbante ato fort dhe i treti i bënte ato të lëviznin dhe në këto vizatime ai shkroi shënime përmes disa karaktereve të shëmtuara, të shkruara me dorën e majtë, nga e djathta në të majtë, të cilat nuk mund të kuptohen nëse nuk je praktikuar për leximin e tyre, pasi nuk lexohen përveçse me pasqyrë. Shumë prej këtyre dokumenteve të anatomisë njerëzore janë në duart e Messer Francesco da Melzo, një xhentëllmen milanez, që në kohën e Leonardos ishte një djalosh tepër i bukur dhe shumë i dashur nga Leonardo, ashtu siç është sot, një plak xhentil dhe i bukur, që i mban për të shtrenjta këto letra, së bashku me një portret të Leonardos, për të nderuar kujtimin e lumtur të tij.
Dhe kushdo që i lexon këto shkrime, i duket e pamundur se si një shpirt kaq hyjnor ka arritur të arsyetojë kaq mirë për artin, muskujt, nervat dhe t’i punojë me aq zell ato. Gjithashtu, një piktor milanez ka edhe disa shkrime të Leonardos të shkruara me dorën e majtë, nga ana e djathtë në të majtë, që trajtojnë pikturën dhe mënyrat e vizatimit përmes përdorimit të ngjyrave. Jo shumë kohë më parë ky njeri erdhi në Firencë për të më takuar, dhe për të marrë një kopje të shtypur të këtij libri me vete në Romë për të parë rezultatin, por unë nuk e di se ç’ndodhi më vonë me të. Për t’u kthyer te veprat e Leonardos, në atë kohë mbreti i Francës erdhi në Milano dhe iu lut Leonardos që të bënte diçka të çuditshme, dhe ai bëri një luan i cili ecte disa hapa dhe pastaj hapej gjoksi i tij, nga i cili dilnin disa zambakë.
Në Milano, Leonardo mori si shërbëtor të tij Salaìn, një djalosh i bukur dhe i këndshëm, me disa flokë të bukura, të trasha dhe kaçurrela. Ai i pëlqeu shumë Leonardos, i cili i mësoi shumë gjëra në lidhje me pikturën; disa nga veprat që i atribuohen Salaìt thuhet se ishin prekur nga Leonardo. Leonardo u rikthye në Firencë, ku gjeti fretërit të cilët i kishin lejuar Filipinos[3] të pikturonte tabelën e altarit të Nunziatas; kjo e bëri Leonardon të deklaronte se me kënaqësi do ta bënte një punë të tillë. Me të dëgjuar këtë, Filipino, si njeri i përvuajtur që ishte u tërhoq, në mënyrë që Leonardo të mund ta pikturonte. Fretërit e morën atë në shtëpinë e tyre, duke paguar shpenzimet për të dhe për gjithë familjen e tij. Dhe siç e kishte zakon, Leonardo e mbajti atë duke pritur për një kohë të gjatë, pa filluar kurrë asgjë.
Më në fund ai bëri një punim me Madonën dhe një me Shën Anën me figurën e Krishtit, e cila jo vetëm që i mrekulloi të gjithë artizanët, por sapo e përfundoi, në dhomë për dy ditë radhazi shkuan burra dhe gra, të rinj dhe të vjetër, të veshur si në festat solemne, për të parë mrekullitë e Leonardos që e kishte tronditur gjithë popullin. Sepse në fytyrën e asaj Madone derdhej me hir, gjithë ajo thjeshtësi dhe bukuri që mund të vërehet në fytyrën e nënës së Krishtit, pasi Leonardo donte të tregonte atë modesti dhe përulësi të një virgjëreshe që është e kënaqur duke dëshmuar bukurinë e birit të saj, që me butësi e mbante në prehër; ndërsa me një shikim rënës ajo vë re Shën Gjonin si një djalë të vogël i cili luan me një qingj, jo pa një buzëqeshje nga Shën Ana, e gëzuar që po sheh pasardhësit e saj tokësorë që bëhen hyjnorë. Një konsideratë e tillë zinte fill në inteligjencën dhe gjenialitetin e Leonardos. Ky punim, siç edhe u shpjegua, u dërgua në Francë.
Leonardo bëri një portret të mrekullueshëm të Ginevras, gruas së Amerigo Bencit, dhe për këtë e braktisi punën që po bënte për fretërit, punë e cila iu kthye Filippinos, i cili, për shkak të vdekjes, nuk mundi ta përfundojë. Më pas, Leonardo, për Francesco del Giocondo, mori të bënte protretin e gruas së tij, Mona Lisa, dhe pas katër vjetësh punë ai e la të papërfunduar këtë vepër, e cila sot gjendet nën patronazhin e mbretit të Francës, në Francë në Fontanableò; çdokush që dëshiron të vërejë se sa i aftë është arti ta kopjojë natyrën, mund ta kuptojë lehtësisht nga koka, pasi në të Leonardo riprodhoi të gjitha detajet që mund të pikturohen me finesë. Sytë kanë atë shkëlqim dhe lagështi që mund ta kenë vetëm sytë që jetojnë, ndërsa rreth tyre janë të gjithë ato pjesë të kuqërremta që nuk mund të bëhen pa një kujdes të madh. Vetullat nuk mund të jenë më të natyrshme, pasi ato përfaqësojnë mënyrën se si rriten qimet në lëkurë, në disa vende më trashë dhe në disa të tjera më hollë. Hunda, me vrimat e bukura rozë, duket si e gjallë. Goja, me hapjen e saj e bashkuar me të kuqen e buzëve dhe me mishin e fytyrës, duket më shumë si mish i vërtetë sesa si bojë. Kushdo që e sheh me vëmendje gropën e fytit të saj, do të shohë rrahjen e pulsit: të them të drejtën, konstatoj se piktura është bërë në një mënyrë të tillë që të mund të shkaktojë dridhje dhe frikë te çdo artist, sado i guximshëm qoftë ai.
Që Mona Lisa të dilte kaq e bukur ai përdori këtë teknikë: ndërkohë që e pikturonte, mbante dikë që luante muzikë ose këndonte, dhe vazhdimisht palaço që e bënin Mona Lisan të ishte e lumtur, për të larguar prej saj atë melankoli që shpesh herë duket në portretet piktura. Dhe në këtë portret të Leonardos ka një buzëqeshje aq të këndshme që duket më shumë hyjnore se sa njerëzore, e kjo u konsiderua si një gjë e mrekullueshme, pasi ishte aq e gjallë sa buzëqeshja në jetë. Për shkak të përsosmërisë në veprat e këtij artisti hyjnor, aq shumë ishte rritur fama e tij, saqë gjithë personat që e donin artin, ose më saktë krejt qyteti dëshironte që ai t’u linte nga një kujtim; dhe ata të gjithë arsyetuan se si mund të bëhej një punë e dukshme dhe e madhe, ku publiku do të zbukurohej dhe nderohej me aq shumë talent, hir dhe gjykim, si në veprat e Leonardos.
Gonfalonieri[4] dhe qytetarët më të rëndësishëm e kryen planin, ndërkohë që salla e madhe e këshillit ishte duke u rinovuar, dhe arkitektura e saj ishte duke u planifikuar me këshillues si Giuliano S. Gallo, Simone Pollaiuoli i quajtur Cronaca, Michelangelo Buonarroti dhe Baccio d’Agnolo. Pasi kjo u përfundua, me dekret publik u vendos shpejt që Leonardos t’i jepeshin disa punë të bukura për të pikturuar; dhe në këtë mënyrë Leonardo u autorizua për të bërë sallën Piero Soderini, që pastaj u bë Gonfaloniere e Drejtësisë.
Duke dashur ta kryejë këtë detyrë, Leonardo e nisi punën me një punim në sallën e Papës, vend në Santa Maria Novella, duke trajtuar kështu historinë e Niccolo Piccinino, kapiten i Dukës Filippo të Milanos, në të cilën pikturoi një grup kalorësish që luftojnë për një flamur, një vizatim i shkëlqyer dhe mjeshtëror sa i përket trajtimit të mrekullueshëm të figurave në fluturim. Në të, zemërimi, përbuzja dhe hakmarrja janë shfaqur njëjtë si te kalorësit ashtu edhe te kuajt, këmbët e dy prej të cilëve janë ngatërruar dhe bëjnë luftë me dhëmbë jo më pak se kalorësit e tyre që luftojnë për flamurin, që njëri nga ushtarët e ka konfiskuar. Ai me forcën e shpatullave e fton kalin në fluturim dhe përpiqet me pikëllim të shkëputet nga forca brutale e katër burrave, ndërkohë që dy ushtarë të tjerë e mbrojnë me nga një dorë dhe me tjetrën luftojnë me shpata në ajër; ndërkohë një ushtar i vjetër me një beretë të kuqe, duke bërtitur, mban njërën dorë në shkop dhe me tjetrën tund një shpatë të lakuar, jep një goditje të zemëruar duke prerë duart e dy burrave që me forcë kërcëllijnë dhëmbët e tyre për të mbrojtur flamurin me egërsi të madhe; veçmas kësaj janë dy figura që luftojnë bashkë në tokë mes këmbëve të kuajve, ndërkohë që njëri ka sipër një ushtar i cili ngren dorën sa mundet dhe me forcë të madhe ia vë thikën në fyt dhe ia merr jetën: ndërkohë që tjetri me këmbët dhe duart e pafuqishme bën gjithçka për t’i shpëtuar vdekjes.
Është e pamundur të shprehen shpikjet e vizatimeve të Leonardos në uniformat e ushtarëve, të cilat ai i skicoi me të gjitha varietetet, me kreshta, helmeta dhe stoli të tjera; për të mos përmendur pastaj aftësinë e tij të jashtëzakonshme që tregoi në format dhe në tiparet e kuajve, të cilat Leonardo i njihte më mirë se çdo mjeshtër tjetër, të krijuar me guximin që i karakterizon, muskujt dhe bukurinë e këndshme. Thuhet se për ta bërë një vizatim të tillë atij iu desh që të përdorte skela artificiale të cilat i ulte, i zgjaste, i zgjeronte dhe i ngushtonte. Dhe të mendosh se ai duke dashur të lyejë muret me bojë vaji, bëri një përbërje kaq të trashë sa ndërkohë që donte të niste lyerjen e sallës, boja filloi të rrjedhë dhe Leonardo u detyrua të braktisë punën, ku gjithçka u shkatërrua.
Leonardo zotëronte kurajë të madhe dhe ishte më bujari në çdo vepër. Thuhet se kur ai shkoi në bankë për pagën e tij, të cilën e merrte çdo muaj nga Piero Soderini, arkëtari donte t’i jepte disa qese me para; dhe ai nuk donte t’i merrte, duke u përgjigjur: “Unë nuk jam piktor i parave”. Kur ai u akuzua për mashtrim ndaj Piero Soderinit, dhe rrotull tij u krijuan murmurima; me ndihmën e disa miqve të tij, i mblodhi paratë për t’ia kthyer Pieros, por Piero nuk i pranoi më. Leonardo shkoi në Romë me Dukën Giuliano de Medici, në zgjedhjen e papës Leo X, i cili ishte student tepër i mirë i filozofisë dhe veçanërisht i alkimisë.
Në Romë Leonardo bëri një pastë prej qiriut dhe duke e shpërndarë përmes erës aty ku ecnin kafshët, i bënte ato të fluturonin, por kur ajri doli jashtë, ato ranë në tokë. Ai gjithashtu eksperimentoi edhe me një hardhucë të çuditshme që ishte gjetur nga kopshtari i Belvederes, të cilës i nguli disa krahë të hardhucave të tjera, të përziera me zhivë, e cila pasi e mori këtë përzierje ecte dhe dridhej. Duke qenë se ajo kishte sy tërheqës, mjekër dhe brirë, Leonardo e zbuti dhe e mbante me vete në një kuti dhe kujtdo që ia tregonte, largohej nga frika. Ai shpesh pasi i pastronte zorrët e një demi, të cilat vinin tepër të buta, i bënte kaq të vogla sa mund t’i mbaje në pëllëmbën e një dore. Dhe në një dhomë tjetër kishte vendosur disa shakuj të përpunuar, të cilëve u vendoste nga një copë zorrë dhe duke i fryrë e mbushte dhomën, e cila ishte tepër e madhe dhe kushdo që ndodhej aty duhej të zhvendosej në një cep. Këtë mënyrë kaq transparente të mbushjes me ajër, ai donte ta krahasonte me talentin, i cili në fillim zë pak vend dhe pastaj e zapton krejt hapësirën.
Leonardo bëri pafundësisht çmenduri të tilla dhe gjithashtu eksperimentoi edhe me pasqyra. Përmes disa metodave të çuditshme, ai vazhdimisht kërkoi të zbulonte vajëra për të pikturuar dhe bojë për të ruajtur veprat e përfunduara. Në këtë kohë, për punëdhënësin e tij Messer Baldassari Turini nga Pescia, ai pikturoi me një kujdes dhe aftësi të jashtëzakonshme, një kornizë të Madonës që mban në krahë djalin e saj. Por, ose për shkak të një gabimi të bërë nga ai që ka përgatitur allçinë, ose për shkak të shumë përzierjeve të tij kapriçioze me ngjyra, ajo tani është në gjendje shumë të keqe. Ndërsa në një kornizë tjetër ai pikturoi një vogëlush që është mrekullisht i bukur dhe i këndshëm. Që të dyja këto korniza gjenden në Pescia pranë Messer Giulio Turinit.
Thuhet se kur Leonardos iu dha një punë nga Papa, ai nisi menjëherë të merrej me filtrimin e vajrave dhe të disa barërave për bojën; sepse Papa Leone kishte thënë: “Mjerisht ky njeri nuk do të mundet kurrë të bëjë diçka, pasi ai mendon për përfundimin, akoma pa ia nisur veprës.”
Mes Leonardos dhe Michelangelos kishte një armiqësi të madhe dhe për t’i dhënë fund këtij rivaliteti, Michelangelo, me arsyetim të Dukës Giuliano, u largua nga Firenca, pasi ishte thirrur nga Papa për të diskutuar për fasadën e Shën Lorenzos. Pasi dëgjoi këtë, Leonardo e la Romën dhe shkoi në Francë, ku mbreti, i cili kishte nën zotërim disa nga pikturat e Leonardos dhe e donte shumë, i kërkoi që të bënte një punim të Shën Anës, por Leonardo, ashtu siç bënte gjithmonë, e mbajti vetëm me premtime. Kur, më në fund Leonardo u plak, qëndroi disa muaj i sëmurë; dhe duke e parë se vdekja po i afrohej shprehu dëshirën që të informohej rreth besimit të krishterë dhe rreth rrugës së mirësisë e religjionit të shenjtë kristian. Përmes lotëve, rrëfimit dhe pendesës, kërkoi të marrë jashtë shtratit Sakramentin e Shenjtë. Mbreti, i cili ishte mësuar që ta vizitonte shpesh, erdhi me kënaqësi ta shihte, kurse Leonardo për shkak të respektit ndaj tij, u ngrit ndenjur në shtrat dhe i tregoi rreth sëmundjes dhe simptomave që kishte, duke u shprehur se e kishte fyer Perëndinë dhe të gjithë njerëzit e botës duke mos punuar në artin e tij ashtu siç do të duhej të punonte. Pastaj e kapi një krizë si shenjë paralajmëruese e vdekjes. Për shkak të kësaj, mbreti u ngrit në këmbë dhe ia kapi kokën për ta ndihmuar dhe për t’ia lehtësuar dhimbjen. Shpirti i tij, ashtu hyjnor siç ishte, duke e ditur se nuk mund t’i bëhej nder më i madh dha shpirt në krahët e tij, në moshën 75-vjeçare[5]. Humbja e Leonardos i pikëlloi pa masë të gjithë ata që e kishin njohur, sepse nuk lindi më kurrë askush tjetër që e nderoi kaq shumë pikturën.
Pamja e tij e bukur dhe hyjnore i solli qetësi çdo shpirti të trazuar dhe me fjalët e tij arriti të bindte çdo mendje njerëzore. Leonardo, me forcën e madhe fizike mundi t’i bëjë ballë çdo shpërthimi të dhunshëm; me dorën e djathtë arriti të bënte unazën prej hekuri të një zileje dere dhe patkonjtë e kuajve, sikur të ishin prej plumbi. Me bujarinë e tij ai strehoi dhe ushqeu çdo mik, të pasur dhe të varfër, me kusht që ata të ishin të pajisur me talent dhe aftësi. Leonardo, me çdo veprim të tij zbukuronte dhe nderonte çdo vend, të zbrazët dhe jo të denjë; dhe me lindjen e tij, Firenca mori dhuratën më të madhe, e ndërsa me vdekjen e tij një humbje të pamasë. Në artin e pikturës, ai i shtoi mënyrës së të ngjyrosurit me vajra, njëfarë hijezimi, me anë të të cilit, modernët u dhanë forcë dhe reliev të madh figurave të tyre.
Leonardo e provoi veten edhe në skulpturë, me tri figurat prej bronzi që gjenden mbi portën veriore të Shën Gjonit, të bëra nga Giovan Francesco Rustici, por të përfunduara me këshillat e Leonardos; për nga dizajni dhe perfeksioni s’është parë skalitje më e bukur në epokën moderne. Nga Leonardo, ne gjithashtu kemi anatominë më perfekte të bërë për kuajt dhe për njerëzit. Për shkak të shumë cilësive hyjnore që kishte, edhe pse realizoi më shumë me fjalë se me vepra, emri dhe fama e tij nuk do të shuhen kurrë.
Për këtë arsye, Messer Giovanbatista Strozzi shkroi fjalët e mëposhtme në nder të tij:
I vetëm ai i mposhti, me punë vetmitare,
Të gjithë të tjerët; mposhti Fidian[6] dhe Apelin[7]
Dhe të gjithë bandën e tyre fitimtare.
Përktheu nga italishtja: Orjela Stafasani
[1] Tavola d’altare – punim me temë ungjillore, që vihet sipër altarit.
[2] Galeni i Pergamonit – fizikan, filozof dhe kirurg i njohur në Perandorinë Romake.
[3] Filippino Lippi (1459-1504), piktor italian, i njohur për afreskat me motive pagane dhe biblike, si: Alegoria e muzikës dhe Dasma e fshehtë e Shën Katerinës së virgjër etj.
[4] Gonfalonieri ishte mbajtës i një zyre mjaft prestigjioze komunale në Italinë mesjetare dhe atë të Rilindjes, sidomos në Firencë dhe në shtetet papale. Emri rrjedh nga gonfalone, term i përdorur për stemat e komunave të tilla.
[5] Giorgio Vassari këtu bën një lajthitje, sepse Da Vinçi, siç pohojnë të gjithë biografët e tij, ka vdekur në moshën 67 vjeçare. Madje, edhe Vasari nën titullin e këtij punimi, në kllapa e shkruan saktë datën e lindjes dhe atë të vdekjes së Da Vinçit (1452-1519), por gabimin e bën në llogaritje.
[6] Fidia – skulptor, piktor dhe arkitekt i famshëm në Greqinë antike.
[7] Apeli – piktor i famshëm në Greqinë antike. / ObserverKult