Daniela Xhani: Lakmia e rrethit

Nga Daniela Xhani

• Atë mbrëmje që e prura në dhomë – thuajse bosh veç dysheku, tryeza e punës, moka, dritarja e hapur dhe një mori mendimesh (të vetmet që mund të më shpëtonin nga rehatimi i heshtur) – u ula në dyshemenë e ftohtë duke vështruar muret. Dëgjova çka tha. Thashë: Ja, këtu!

• Derisa nisa ta pranoj duke ofruar herë-herë ndonjë varg pyetës. E pakënaqur me përgjigjet profane që shndërroheshin në shaka, në lëmsh, në hedhurina që duheshin nxjerrë jashtë natën vonë, shumë vonë, para se të shndërroheshin në fiksim, zhbiroja brenda rrathëve pa e kuptuar as vetë se çfarë di një trup.

• Dhe prapë në atë nxehtësinë e ngjashmërisë mes aromës së kafes dhe modestisë intime, kur diçka shkonte mirë; diçka nuk shkonte aq mirë; çka; keq; ose nuk shkonte fare, i ngulja sytë rrathëve dhe i trajtoja ndryshe nga rraskapitja – si ta them – me mirësjellje. Derisa zbulova një organ hibrid dhe të çuditshëm që dëshironte të kishte një fëmijë; që më gënjente vazhdimisht duke e përdorur kokën time si fëmijë duke qëndruar ballë meje kur përpiqesha të flija. Hapja njërin sy për të kuptuar nëse ishte ende aty.

• E megjithatë, nganjëherë me zë të ëmbël dhe bindës, çmenduria, kjo grimcë e Zotit, në shkurtesa nga ndukja e shpirtit me mendjen, lind pos tjetër një thelb të pangjashëm që mbetet në kujtesë si gur. Guri jetik më të cilin vras veten çdo ditë ngapak.

• Pranoj se nuk më dëmton asgjë dhe as e mbroj dot veten.

• Një mbrëmje tjetër, shumë larg nga ajo që e kisha sjellë në dhomë, e zbrita tablonë nga muri dhe e tërhoqa në banjë, e detyruar të lëndohem sipas një ligjësie që jam përpjekur ta shpjegoj se nuk vjen nga mendja por nga një zgjerim tjetër jo aq i thjeshtë sa mekanika e të bërit. E megjithatë teshat i hoqa ngadalë gjer në shpërfillje delikate dhe krejt e zhveshur e futa në dush. Fillimisht rrathët e njollosur depërtuan te njëri-tjetri; pastaj u njësuan me ujin e ngrohtë dhe rrodhën poshtë këmbëve nëpër pllakën e lëmuar të qeramikës.

• Më ndiq! Trupi im është një vend nga iki.

ObserverKult


Lexo edhe:

DANIELA XHANI: KTHJELLA


Lexo edhe: