Nga Danilo Kish
Në kohën e kulmit të ngjarjeve, lidhur me ndalimin e veprimtarisës së sindikatës polake “Solidarnost”, pata marrë një letër me shënimin E PACENSURUAR. Çfarë domethënieje kishin këto fjalë? Ndoshta me to duan të thonë, se në vendin prej nga është dërguar kjo letër, nuk ka më censurë.
Ose mund të nënkuptojë gjithashtu, se letrat pa këtë shënim i janë nënshtruar censurës, çka do të dëshmonte për një përzgjedhje nga ana e organeve zyrtare, të cilët një pale i besojnë, dhe një pale tjetër jo.
Sigurisht, mund ta merrje edhe kështu: që pikërisht zarfi me shënimin E PACENSURUAR ka kaluar nëpër duart e censurës. Në një mënyrë a në një tjetër, kjo vulë emblematike shumëkuptimore dëshmon për frymën e censurës, e cila përpiqet të nënvizojë plotëfuqinë e saj dhe njëkohësisht të maskohet me alibi.
Ajo hiqet sikur të ishte e përkohshme, por një e keqe e domosdoshme e sistemit në gjendje permanente lufte. Kështu, censura na del si i vetmi mjet i përkohshëm, i cili menjëherë do të hiqet, kur të gjithë, kush shkruan (pa dallim, letra ose libra), të ketë arritur pubertetin politik dhe pjekurinë, ndërsa tutela e shtetit dhe pushtetit mbi qytetarët nuk do të hyjë më në punë.
Si një vepër e domosdoshmërisë (dhe gjithë çfarë ajo shkakton) – mjeti i përkohshëm – censura e konsideron veten të konsumuar, të likuiduar. Prandaj ajo nuk e pranon ekzistencën e vet, duke u përpjekur të maskohet nën pamjen e instituteve demokratike, të cilët përmbushin gjithashtu edhe funksione të tjera (redaksitë, e po ashtu këshillat e shtëpive botuese apo të revistave), apo t’i gjejë vetes një pasardhës të denjë në figurat e drejtorëve të shtëpive botuese, redaktorëve të ndonjë serie apo kolane botimesh në shtëpi botuese apo në revista, e kështu deri tek recenzenti, korrektori etj.
Tek hipostaset më pak të njohura të censurës duhet përfshirë kategorikisht edhe dukuria e censurës shoqërore, e cila është një formë tranzitore nga censura në autocensurë – kur redaktori (duke qenë dhe vetë një njeri i penës) këshillon, që zoti N për të mirën e tij flaku nga libri i vet fragmente të caktuara apo strofa.
Kur ai nuk ia del t’ju bindë, se këtë e ka bërë nisur nga qëllime të mira, ai operon me shantazhin moral dhe frikën e tij ai e hedh mbi ndërgjegjen tuaj: pra, nga gjerësia e natyrës suaj – ju duhet t’i merrni mbi vete preroativat e censurës dhe me këtë rast ta fshihni atë para opinionit publik. Dhe mandej: ose zoti N do të bëhet cenzor i vetvetes, ose do të shkatërrojë ekzistencën apo karrierën e dikujt. Dhe si këmbim njeriu jo vetëm do ta botojë librin e zotit N, por gjithashtu do ta fshehë faktin, se kishte në të vende të atilla, të cilat – nëse do të kishin shpëtuar, do t’ju kishin shfarosur dhe ju, dhe atë.
Pavarësisht se si e përfton formën e saj, cenzura është, megjithatë, vetëm një shfaqje e jashtme e gjendjes patologjike, një sinjal i sëmundjes kronike, sëmundje, që zhvillohet paralelisht dhe lind autocenzurën. Lufta është e padukshme, duke u projektuar larg syrit të opinionit shoqëror, e strukur në skutën më të errët të shpirtit, autocensura e përmbush punën e vet në mënyrë më të efektshme, se sa çdo cenzurë. Megjithëse të dyja rendin tek të njëjtat mjete – kanosja, frika, shantazhi – autocensura i fsheh ose, tek e fundit, nuk e zbulon ekzistencën e shtrëngimit/detyrimit. Lufta me cenzurën është e hapur dhe e rrezikshme, ndërsa lufta me autocensurën – është heroike. Një luftë anonime, e braktisur nga dëshmitarët dhe e vetmuar.
Autocensura – është leximi i tekstit tënd personal me sytë e huaj, kur ju vetë bëheni i vetëgjykuar, madje i vetëgjykuar më ashpër, se sa ndonjë tjetër, përderisa e dini gjithashtu, edhe atë, të cilën censori asnjëherë nuk do ta zbulojë në tekstin tuaj, pra, atë për të cilën ju keni heshtur dhe të cilën ju kurrë nuk do ta hidhni në letër, por, që juve ju duket se ka mbetur “ndërmjet rreshtave”. Prandaj cesorit të përfytyruar ju i vishni dhe të atilla atribute, që vetë nuk i keni… Kështu sozia juaj ju përndjek mendimet deri në absurd, deri në ekstrem, atje, ku gjithçka është e luhatshme, e pasigurtë, ndërsa shtegdalje nuk ka: diçka e rrezikshme dhe ndëshkuese ju pret.
Subjekti i autocensurës – është sozia e shkrimtarit, një sozi, e cila e ndjek, duke e vështruar prapa zverkut në tekst, in statu nascendі duke e paralajmëruar, që ai të mos bëjë ndonjë gabim ideologjik. Dhe me këtë sozi-censor është e pamundur të lash hesapet. Ai është mu si një Zot gjithëvrojtues e i gjithëdijshëm, sepse është i lindur prej vetë trurit tonë, prej vetë frikërave tona, prej vetë iluzioneve tona.
Duke rivalizuar me sozinë tonë, përqendrimi ynë intelektual dhe moral duhet të lerë në letër gjurmë të dukshme, përderisa të gjitha tendosjet tona nuk reduktohen në një gjest të vetëm moral – deri në shfarosjen e dorëshkrimit dhe heqjen dorë nga planet. Mirëpo, dhe refuzimi nga lufta, dhe fitorja na shpien tek i njëjti rezultat: ndjenja e turpit dhe e disfatës. Sepse sado që ju të përpiqeni, prapë se prapë sozia juaj do të ngadhënjejë gjithmonë: sa herë që ju e tejkaloni, ajo qesh me ankthin tuaj, sa herë ju i nënshtroheni, ajo gajaset me frikën tuaj.
Nëse shkrimtari arrin ta kapërcejë gjestin radikal të vetëposhtërimit dhe me forcën e talentit, përqendrimin, burrërinë, zhdërvjelltësinë e mashtron sozinë-tunduese, gjurma e kësaj lufte mbetet e fiksuar në dorëshkrim – në trajtën e metaforës. Kemi të bëjmë me një fitore të dyfishtë: teksti, përkundër tundimeve, ka merituar lëvdata, ndërsa falë dinakërive mashtrimtare – e ka rritur idenë deri në metaforë (në kuptimin etimologjik, zhvendosja e një kuptimi të caktuar në atë stad sa ai të bëhet figurativ) – autocensura e ka shpërngulur figurën stilistike në sferën e poetikës.
Nisur nga këto që thamë, ne mund të nxjerrim disa pohime që na çojnë larg në sferat historike dhe teoriko-letrare, sikundërse dhe për një fenomen tjetër – me nënshtrimin e metaforës – të shpjegojmë ekzistencën e shumë veprave letrare, së paku nga përvoja e letërsisë ruse të avangardës. Proza e Boris Pilnjakut dhe Isak Babelit, poezitë e Osip Mandelshtamit dhe Marina Cvjetajevës, që përmes luftës me cenzurën përftuan një efekt letrar maksimal. Një fitore tragjike, e hidhur.
Autocensura është një kategori krijuese me energji negative, e cila kufizon, përqesh, ndërsa konfrontimi me kategorinë pozitive mund të ndezë shkëndijën. Atëherë, kur shkrimtari, i cili i poshtëruar prej frikës së vet, arrin ta vrasë sozinë e tij, ndërsa si rezultat i këtij shpërthimi të fuqishëm që është akumuluar gjatë prej kujdesit vigjilent, turpit dhe poshtërimit metaforat bien, perifrazat shkërmoqen dhe mbetet e vetme gjuha e zhveshur e fakteve – pamfleti.
Censori juaj-sozi s’ka më asgjë për të fshehur ndërmjet rreshtash, sepse gjithçka tanimë është e shkruar e zezë mbi të bardhë – deri në atomin e fundit të pakënaqësisë suaj. (Në një minutë të tillë Osip Mandelshtami shkruajti poezinë kundër Stalinit – atë, të dytën, që donte të thoshte çlirim nga autocensura dhe poshtërimi. Atë poezi, të cilën ai e pagoi me kokën e tij.) Ngadhënjimi i parimit moral vret ose shkrimtarin, ose veprën.
“Uni” i censuruar, i cili ka pësuar shumë nga frika dhe tirania, rend menjëherë tek pamfleti, si tek shpata e hakmarrjes. Dhe pikërisht një fitore e tillë mbi sozinë personale ka “kastruar” jo vetëm një shkrimtar në emigrim. Si viktima të një autocensura me vite e vite, ata e kaluan shpejt atë kufi hapësinor, i cili e ndan artin nga propaganda; dhe ka ngjarë ajo, që Çesllav Milloshi e quan “kufizim”.
Prej sa thamë mund të nxjerrim një konkluzion të tillë: ndikimi i gjatë i autocensurës shpie pashmangshëm tek katastrofat njerëzore apo krijuese, jo më pak, se ato, të cilat i shkakton censura; autocensura – është një operacion i rrezikshëm mendor me pasoja shumë të rënda për letrësinë dhe shpirtin njerëzor.
(Burimi: http://www.litdic.ru/avtocenzura/)
Përktheu: Agron Tufa
ObserverKult
Lexo edhe: