Dashamir Malo: Kënga e fatalistit


Rrotullohem, përpëlitem
në një qerthull pa kuptim,
si e qysh dhe pse s’dal dot,
mos më pyet, miku im.

Edhe ti, si gjithë ne,
te ky qerthullim gjallon,
ndonëse prej mpirjes së trurit
je i “lumtur” që s’kupton.

Një “teatër hijesh” shohim,
qysh se kur nuk mbahet mend,
ec pastaj e gdhije natën,
ec pastaj e mos u çmend!

Veçse paq mësuar jemi
me një terr që nuk mbaron,
zërat gjithë na bezdisin,
drita jashtë na verbon.

Dhe dikush që bëri jashtë,
me një guxim sokratik,
për të na treguar ç’bëhej,
shpejt u thye, shpejt u fik