Me rastin e njëvjetorit të vdekjes së aktores së njohur Leze Qena, botohet romani biografik “Dashuri të paprekura – Saga e një fryme të heshtur” i autorit Vilson Culaj, që paraqet jetën e aktores Qena që nga fëmijëria e saj e hershme e deri në kalimin e saj në amshim.
Romani “Dashuri të paprekura – Saga e një fryme të heshtur” i autorit Vilson Culaj, i cili është botuar nga Shtëpia Botuese “Jakup Ceraja”, është një roman biografik, që flet për jetën e aktores së njohur shqiptare Leze Qena. Si të ishte biograf i saj, autori na përshkruan në detaje jetën e veprën e artistes, duke e kthyer në një personazh romanor mu në thelb të kohës dhe hapësirës së kësaj vepre emblematike.
Nga dërrasat e skenës teatrore, sheshet e xhirimit e reflektorët e televizionit, imazhet plot dritë e jetë të artistes Leze Qena tani e tutje do të komunikojnë̈ me artdashësit përmes romanit “Dashuri të paprekura”, që plotëson një zbrazëti që lë prapa shënjuesit e kohëve.
Është një roman interesant dhe prekës për dashurinë dhe vlerat njerëzore. Është historia e paharrueshme e një aktoreje që nuk ikën dhe nuk zmbrapset përballë rrethanave të kohës, por që ballafaqohet me to. Një roman, në të cilin përshkruhet një jetë plot ëndrra e zhgënjime, por gjithashtu edhe dëshira dhe këmbëngulësia për të arritur qëllimin e jetës, pavarësisht sfidave dhe mungesave.
Romani paraqet jetën e aktores së madhe Leze Qena,që nga fëmijëria e saj e hershme e deri në kalimin e saj në amshim. Është një sagë e rrëfyer nga goja e saj në frymën e besimit të një autori, i cili u mundua t’i qëndrojë besnik rrëfimit, elegjisë dhe mbijetesës se saj personale. Rrëfimi i romanit nis me jetën e saj familjare, fëmijërinë e saj dinamike, të zhvilluar në një ambient urban e civilizues, siç është qyteti i Prizrenit, ku ishin brumosur dhe ëndrrat e një vashe të etur për art e kulturë. E njëjta sagë e përjetimeve zgjat edhe pas arritjes së saj në Prishtinë, pasi që realizon ëndrrën për t’u bërë aktore, dhe shpërthimit të suksesshëm në teatër.
Përmes këtij rrëfimi, autori Culaj arrin të japë elemente etnopsikologjike, filozofike dhe bart te lexuesi një mesazh, fuqinë e bukurisë artistike të fjalës si tërësi teksti dhe fjalisë si kontekst. Romani, fund e krye, e përshkon indin e shpirtit fisnik-human të kryepersonazhit dhe rrezatimin hyjnor për jetën, njerëzit dhe botën.
Kjo sagë jetësore e artistes është shembulli më i mirë për ne se si njeriu i frymëzuar nga një mision i qartë dhe një ideal i kulluar mund t’u rezistojë furtunave e përplasjeve, duke e rimëkëmbur jetën, duke e gjetur kuptimin e saj dhe duke e pasuruar atë më artin e dashurisë dhe mirësisë.
Ky rrëfim romanor është mesazhi epik se jo pak artistë kaluan nëpër luginën e vdekjes por falë stoicizmit, trashëgimisë dhe vizionit të tyre, dolën ngadhënjimtar para kurtheve të botës.
Romanin “Dashuri të paprekura”, kushtuar aktores Leze Qena, me një çmim prej dhjetë euro, mund ta gjeni në libraritë Dukagjini dhe Artini në kryeqytet, ndërsa shumë shpejt do të jetë edhe nëpër libraritë e qyteteve tjera të Kosovës./ ObserverKult