Selfixhe Ciu, gazetarja e parë e internuar

Historia e veçantë e njërës prej gazetareve dhe poeteve të para të viteve ‘30 ­-‘40 Selfixhe Ciut, vjen përmes rrëfimit tronditës të së bijës Merita Broja.

Në një natë të zezë trokasin në derën e bashkëshortëve Selfixhe Ciu e Xhemal Broja. Juristi Broja që merrej me dramaturgji dhe poetja e gazetarja e njohur, nuk mund t’u besonin syve e veshëve për atë që po ndodhte atë natë. Ishte fillimi i viteve ‘60. Policia e Sigurimit të Shtetit hyn me forcë në derë. “Jeni të internuar”. “Pse”, ­pyesin ata “Atë e dimë ne”… Ndoshta gazetarja Ciu e shkolluar në Itali dhe në Francë, u kujtua në atë çast se para disa kohësh kishte akuzuar “Partinë Komuniste që nuk po respektonte të drejtat minimale të njeriut”

Ja si e tregon Merita Broja natën e frikshme: “Internimi i parë ka qenë në vitin 1947, në Kuç të Vlorës. Kurse internimi i dytë ka qenë më vonë, në vitin 1966, në fshatin Gradishtë, në rrethin e Lushnjës. Ka qenë një natë e tmerrshme. Nuk dinim asgjë. Ndodhi rreth orës 4.00 të mëngjesit, pak para vitit të ri. Atë natë kishim diskutuar se ku do ta festonim vitin e ri. Dhe të mendosh që bie dera, sheh plot oficerë sigurimi, i plotfuqishmi i lagjes, që të thonë: “Mblidhni plaçkat, gjërat më të domosdoshme sepse jeni të internuar”. “Pse?”. “Atë e dimë ne”. Kjo ka qenë përgjigjja. Thanë që “vajza nuk është e përfshirë në internim, nëse keni njeri ku ta lini, lëreni, nëse s’keni merreni me vete”. Pas dy­tre ditësh e morëm vesh dhe asnjëherë nuk iu dha një arsye përse shkuan në internim. Mbaruan pesëvjeçarin e parë, u erdhi një pesëvjeçar u dytë. Pastaj duket se dikush i thirri mendjes dhe e hoqën masën e internimit. U kthyen këtu.”

Merita Broja thotë se prindërit e saj i kthyen nga internimi u kthyen në vitin 1972. “U kthyen vetëm fizikisht sepse nuk patën asnjë lloj rehabilitimi. Mamaja kishte dalë në pension në atë kohë. Babait fillimisht i dhanë një punë disa muaj në Kinostudio, sepse babai ka punuar gjithnjë në sektorin e artit dhe pastaj me një shkurtim plani e çuan punëtor në ndërmarrjen bujqësore “Gjergj Dimitrov” derisa doli në pension”, rrëfen Broja. A s’ishin ata që kontribuuan për të vënë një gur themeli për vendosjen e komunizmit në Shqipëri. “Na u bë mirë që vuajtëm, sepse ndihmuan për komunizmin, mësohet të ketë thënë Selfixhe Ciu. “Ky ishte pengu që e morën me vete”, rrëfen e prekur Merita Broja, vajza e Selfixhesë. Edhe pas diktaturës për të nuk u fol shumë për Selfixhenë. E bija thotë se nuk është gjetur ende dosja e saj.

E pyes të bijën, Merita, nëse Selfixhe Ciu ka lënë kujtime, dorëshkrime apo ditarë. Ajo thotë se “Ka lënë vetëm një libër kujtimesh “Tallazet e jetës”. Selfixhe Ciu një grua me histori të varrosur. Mbetet mister dënimi. “E keni gjetur dosjen e nënës suaj?, ­e pyes Meritën. “jo”, thotë ajo. “Ne si trashëgimtarë kemi akses për të parë dhe jam kurioze të shoh se çfarë ka në dosje. Ata ishin gjithnjë të përgatitur dhe gjithnjë thoshin: “Ne jemi në rrethin e kuq”.”. Ajo duket e dyzuar mes shpresës e frikës së zbulimit të dosjes Ciu. “Unë më shumë dua ta shoh për kuriozitet. Nganjëherë edhe hezitoj, sepse mendoj se ndoshta mund të dalë edhe ndonjë gjë që nuk dua ta mësoj. Por më shumë kam kuriozitet të shoh se çfarë ka në atë dosje, se si është përpunuar ajo.”

Kush ishte Selfixhe Ciu

Selfixhe Ciu lindi në vitin 1918 në një familje të pasur gjirokastrite. Fëmijërinë e kaloi në Gjirokastër, ku përfundoi shkollën e vajzave “Urani Rumbo”. Etja për dije dhe leximet e shumta, njohja dhe miqësia me Musine Kokalarin në librarinë e së cilës, u njoh edhe me shkrimtarët e gazetarët e kohës, Nonda Bulka, Petro Marko, Kolë Berisha që po sillnin një erë përparimtare në vendin e tyre. Selfixhe Ciu studioi në vitin 1937 në fillim në Firence për letërsi dhe pas Firences pas kësaj shkoi në Grenobël të Francës, ku u njoh me Xhemal Brojën, bashkëshortin e saj. Të formuar me idealizmin europian ata erdhën në Shqipërinë e ’40-­s për të ndarë bashkë fatin e vendit të tyre në luftë e pasluftë. Selfixheja me pseudonimin Columbia shkroi në shtypin e kohës, pseudonim me të cilin ishte pagëzuar kur shkruante poezitë e para në moshën 17­ vjeçare. Jo vetëm shkrimet si gazetare, por edhe poezitë e Selfixhe Ciut shquajnë një grua me shpirt të trazuar, plot dilema dhe ëndrra që Shqipëria të lulëzonte e përparonte. Poezitë  dhe shkrimet e saj plot revoltë dhe shpresë i referoheshin gjendjes së nënshtruar e gruas shqiptare. Selfixheja ishte e para që hodhi idenë e guximshëm të divorcit të gruas nëse nëpërkëmbej, zhgënjehej ose keqtrajtohej. Mesazhin e përcillte me delikatesë dhe dashuri. “Unë u ndërgjegjësova se të jesh femër nuk është fatkeqësi, dhe kjo frymë duhet shpërndarë edhe në familje, jo vetëm në shoqëri..”. A duhej dënuar Selfixheja për këto ide kaq humane. “Ishte diktaturë”, thotë e bija Merita, duke treguar e prekur jetën e vështirë dhe vuajtjet e prindërve të saj të burgosur e të internuar, pa e mësuar kurrë pse….

Ju jeni vajza e Selfixhe Ciut, një gruaje që ka lënë një model të luftës, të kurajës, të emancipimit që na ka munguar edhe sot. Si keni udhëtuar ju me parimet e nënës suaj?

-­Këto parime i ka njohur që kur kam qenë fëmijë. Jo se është nëna ime, por ishte një grua me të vërtet parimore dhe një grua me një personalitet shumë të fortë, me një dinjitet që, sinqerisht, është e rrallë ta gjesh te njerëzit. Ka qenë një jetë e vështirë, një jetë – luftë. Megjithëse ishte aq intelektuale, aq e përgatitur, prapëseprapë jeta e saj nuk eci ashtu siç duhej, siç e meritonte një intelektuale për të zënë vendin e saj në shoqëri. Ishte koha, ishte diktaturë, në fund të fundit.

Në sytë e tu si shihej kjo diktaturë që dënonte nënën tënde, atë imazh aq të mirë, atë dritë diturie që ishte për ju, tek e fundit.

-Në ato fillime ato druheshin pak sepse edhe unë edhe motra ishim akoma të vogla, dhe si të thuash, nuk donin që të na jepnin gjithçka që ishte e keqe në atë kohë sepse mendonin që mundet të diskutonim edhe jashtë ambientit. Megjithatë, neve pastaj kuptuam gjithçka. Që atëherë, unë e mbaj mend, isha fëmijë dhe më vinte për të qeshur, po them, në shkollë kur bëheshin ato mbledhjet, informacionet e gjërat e tjera, por ishte koha që nuk flisnim. Nëna ime ka qenë gjithnjë e paepur në këtë drejtim. Nuk bënte kompromise dhe sigurisht kjo i kushtoi si asaj, ashtu edhe babait tim. Kanë qenë bashkudhëtarë të pandarë si në jetën e tyre bashkëshortore ashtu edhe në jetën familjare, në edukimin, në rritjen tonë, por edhe në bindjet, në dinjitetin e tyre.

Unë jam gazetare dhe s’duhet të shpreh mendim personal, por në këtë rast po e shpreh. Unë e quaj turp që nuk është hedhur dritë mbi figurën e kësaj gruaje, të kësaj intelektualeje, në këta 25 vjet. Pse ka ndodhur kjo varrosje edhe e imazhit të këtyre grave gazetare?

­-Është shkruar, janë bërë disa artikuj, sidomos në kohën që botoi këtë libër. Ka qenë një kritikë e Drita Siliqit, një mikeshë e familjes. Ajo madje ishte inisiatorja që u botua ky libër. E kishte gjetur teksa kontrollonte në revistat e kohës. Ka qenë pedagoge në universitet. Vjen dhe i bën një propozim nënës sime. I thotë: “Kam gjetur shumë materiale në revistat e asaj kohe, prandaj është mirë që unë t’i përmbledh ato dhe ti të më japësh çfarë shkrimesh të tjera ke”. Mamaja ime shkruante edhe gjatë viteve, vazhdimisht. Kishte materiale. Sigurisht nuk i botonte. Pati një farë hezitimi sepse në atë kohë ishte rreth të 80­ve, megjithëse ishte goxha e kthjellët mendërisht. Atëherë u botua libri. U bë një promovim i tij dhe prej tij morën shkas edhe disa artikuj të cilët u shkruan, por vetëm kaq.

Në ç’moshë vdiq nëna juaj? ­

-Vdiq në moshën 86 vjeçe, në vitin 2003.

Cilat ishin fjalët e saj të fundit? Çfarë amaneti la? ­

-Gjithmonë edhe ajo, edhe im atë thoshin: “Ne që vumë një tullë në këtë ngrehinë që shkatërroi jetën tonë, jetën e këtij populli, ndoshta dhe i kemi merituar ato vuajtje, atë kalvar”. E kishin fjalën sepse ata kanë qenë anëtarë të grupit komunist të Shkodrës dhe ishin idealistë. Ishin dy njerëz që studiuan jashtë, u kthyen kur u pushtua Shqipëria, që të dy vinin nga familje të pasura, nuk u mungonte asgjë. Megjithatë, atëherë qe një ideologji që pushtoi gjithë botën. Le të kujtojmë thënien e Çërçillit: “Kush nuk është deri në 20 vjeç nuk ka zemër dhe komunist, kush është pas 30 vjeç nuk ka tru”. Unë i kuptoj. Duke njohur natyrat e tyre, humanizmin dhe dhembshurinë e tyre, i kuptoj përse e përqafuan komunizmin. Donin që të ishin të gjithë njësoj. D.m.th. një utopi. E si mund të jenë të gjithë njerëzit njësoj? Duke filluar që nga momenti që lindim, nga aftësitë, nga kushtet e nga gjithë të tjerat, nuk mund të jemi njësoj.

Cila ka qenë një nga momentet më të dhimbshme që nuk do ta falje në persekutimin që i është bërë nënës tënde, nga vuajtjet e saj? ­

-Jo ndoshta vuajtjet fizike që kaluan në internim, në të parin dhe në të dytin. Në internimin e parë ishin edhe më të rinj, rreth të 30­-ve. Kurse në internimin e dytë ishin 50 vjeç. Morën kazmën në dorë, punonin për të siguruar bukën. Ishte një periudhë shumë e dhimbshme. Në fakt unë nuk isha përfshirë në internime. Atëherë isha 15 vjeçe. Kur mendoja që ata dy intelektualë në vend që të punonin, të jepnin për shoqërinë, për vendin, për kulturën, për artin, kishin marrë një kazmë në dorë dhe jeta e tyre kishte dalë nga ajo hullia në të cilën duhej të ishte. Kjo ka qenë një periudhë shumë e dhimbshme, kur shkoja atje për t’i takuar, kur i shikoja me ato rroba të vjetra. Të dy ishin edhe të sëmurë. Megjithatë, deri në fund nuk u ankuan. Mendonin se ndoshta e meritonin këtë.

Babai juaj çfarë shkollimi kishte? ­

-Babai im Xhemal Broja ka qenë jurist, por gjithmonë është marrë me artin. Ka qenë dramaturg, ka shkruar disa drama historike dhe shoqërore. Dhe një nga akuzat ishte pikërisht kjo që kurrë nuk kishte shkruar për partinë. Ka qenë për një periudhë rreth 5­6 vjet drejtor i Teatrit Popullor. Ajo ka qenë një periudhë me të vërtet e ndritur, jo sepse e them unë, por e thoshte e gjithë ajo plejadë artistësh e aktorësh e asaj kohe. Në ato vite u vunë në skenë dramat klasike si Makbethi, Otello etj. Pastaj, pasi e hoqën në vitin 1966 si drejtor, pas disa muajsh e internuan. Babai vdiq më herët, në vitin 1986. Nuk arriti t’i shikonte ndryshimet.

Një pyetje e fundit. Këtë ndëshkim që Enver Hoxha ua bëri sidomos grave intelektuale, grave mendjendritura te vendlindjes sw tij Gjirokastër, si e shpjegoni? Si e shpjegonte nëna juaj, nëse jua ka thënë këtë.

-­Gjithnjë ajo thoshte se është ndjenja e inferioritetit, sepse mamaja ime ka qenë gjirokastrite. Njiheshin familjarisht dhe ajo thoshte se që gjatë luftës kishte një mllef nga ana e tij. Kishin ca histori familjare. Dhe po ta vësh re, edhe në veprat e Enver Hoxhës, për të gjitha këto familjet gjirokastrite të pasura, ai flet me një urrejtje të pashpjegueshme. Dhe ajo mendonte që ky mllef buronte që atëherë. Pastaj, siç e thashë që në fillim, prindërit e mi kanë qenë njerëz parimorë, nuk i njihnin kompromiset sepse ishin idealistë. Me Musinenë nëna ime ka qenë shoqe fëmijërie, shoqe klase. Pastaj s’u panë më se i ndau jeta./shqiptarja

ObserverKult