Veprat e njohura të Shekspirit, do të rikthehen para publikut në këtë periudhë pandemie përmes rrjeteve sociale nga Teatri i Metropolit. Nëndrejtoresha artistike Armela Demaj në rrëfen se nga veprat, “Romeo e Zhuljeta”, “Rikardi III” tek Jul Çezari, “Hamleti”, “Makbeth” , “Mbreti Lir” dhe “Otello” janë shkëputur rreth 30 monologë, që do të shoqërojnë shqiptarët kudogjenden në këtë kohë të vështirë.
“Të gjithë e dimë se Shekspiri jo vetëm ka shkruar në mënyrë gjeniale, por dhe temat që ka prekur janë shumë prezente në jetën tonë. Në këtë kohë izolimi menduam që mënyra më e mirë për të mbajtur spektatorët pranë vetes, për t’u dhënë vepra cilësore edhe personazhe të prekshme t’ua sjellim monologë prej tij. Janë monologë nga “Nata e 12”, “Hamleti”, “Makbethi”, “Otello”, “Shumë Zhurmë për asgjë” etj.
Temat që trajtojnë veprat e Shekspirit janë universale, për dashurinë, tradhtinë, xhelozinë, hakmarrjen edhe pushtetin.
“Këto monologë s’kanë të bëjnë me periudhën e izolimit, por duke qenë se janë monologë, pasqyrojnë edhe atë jetojmë në izolim. Kaluam dy muaj në izolim dhe vetmi të plotë, por edhe tani që nisëm që të dalim sërisht përballja është e vështirë”, thotë Demaj.
Demaj na tregon edhe përjetimet e artistëve, të cilët kanë qëndruar edhe do të vazhdojnë të qëndrojnë larg spektatorëve.
“Ne morëm masa siç mori gjithë Shqipëria, sigurisht që për një artist edhe një krijues sfidat janë të njëjta në kësi momentesh. Por një artist arrin që ta kontrollojë më mirë këtë pjesë izolimi, sepse mund të eksplorojë territoret e veta. Kështu lindi dhe kjo ide që mori jetë pas momentit të parë të hapjes, pavarësisht se nuk jemi hapur 100 për qind, sepse ruajmë distancën edhe vijmë në punë me turne”.
Situata e pandemisë, nuk është premtuese për hapjen e teatrove, megjithatë, Demaj thotë se do të vijojnë që të qëndrojnë pranë spektatorit online.
“Është herët të flasim për këtë, pasi kjo po shkon me luhatje të mëdha. Ajo që është më e rëndësishme është shëndeti ynë. S’duam të nxitojmë, sepse nuk kemi përse ta marrim këtë rriskë. Po vazhdojmë që të jemi pranë spektatorit edhe duke sjell vepra cilësore online, duke qenë të sigurtë. Emocioni i aktorit me spektatorin në sallë s’ka të krahasuar, por në momentet më të mëdha të krizave botërore kanë lindur forma të ndryshme arti. S’po flasim për një braktisje të teatrit të gjallë, por kjo mund të jetë një formë e re eksplorimi, për ata spektatorë që nuk janë në Tiranë”.
Shfaqjet do të nisin që të transmetohen për publikun çdo javë, duke nisur nda data 18 qershor, ora 19.00 në faqen e Teatrit të Metropolit. Disa nga 16 artistët që kanë punuar për këto monologje janë Klodiana Keco, Armela Demaj, Roerd Toce, Sonila Kapidani, Amri Hasanlliu, Edvin Mustafa, Xhino Musollari, Klea Konomi, Rozi Kostani, Elona Hyseni, Ketjona Pecnikaj, Margent Caushi, Silvio Goskova, Ermir Jonka/shqiptarja