Nga Herman Hesse
Sa më shumë që u plakja aq më të pakuptimta më dukeshin kënaqësitë e vogla që më jepte jeta, aq më qartë e kuptoja se ku gjendej burimi i gëzimeve të jetës. Mësova se të të duan nuk është asgjë, ndërsa të duash është gjithçka, dhe gjithnjë e më shumë më dukej se kuptoja se ajo që i jep vlerë dhe kënaqësi ekzistencës sonë nuk është gjë tjetër veçse aftësia jonë për të ndjerë.
Kudo që shihja diçka në tokë që mund të quhej “lumturi”, ajo përbëhej nga ndjesia. Paratë nuk ishin asgjë, pushteti nuk ishte asgjë. U panë shumë që kishin edhe njërën edhe tjetrën dhe ishin të pakënaqur.
Bukuria nuk ishte asgjë: mund të shihje burra të bukur dhe gra të bukura që ishin të pakënaqur pavarësisht bukurisë së tyre. Edhe shëndeti nuk kishte shumë rëndësi; të gjithë kishin shëndetin që ndjenin, kishte njerëz të sëmurë me plot dëshira për jetën që lulëzuan deri para fundit dhe kishte njerëz të shëndetshëm që vyshkeshin nga ankthi nga frika e vuajtjes.
Por, lumturia ishte kudo ku njeriu kishte ndjenja të forta dhe jetonte për to, ku nuk i përzinte, nuk ushtron dhunë ndaj tyre, por i kultivonte dhe merrte kënaqësi prej tyre. Bukuria nuk i kënaqte ata që e zotëronin, por ata që dinin ta donin dhe ta adhuronin atë.
Ndjenjat ishin të shumta, me sa dukej, por thellë përbrenda ishin një gjë e vetme. Ndjenjën mund ta quajmë vullnet apo me çfarëdo tjetër emër. Unë e quaj dashuri. Lumturia është dashuri, asgjë tjetër. I lumtur është ai që di të dashurojë. Dashuri është çdo lëvizje e shpirtit tonë në të cilën ai ndjen veten dhe percepton jetën e tij. Por, të duash dhe të dëshirosh nuk janë e njëjta gjë. Dashuria është dëshirë e urtë; dashuria nuk do me pasë – dashuria do vetëm me dashtë.
Në shqip: Leonora Buçinca
ObserverKult
Lexo edhe: