Dashuria nuk zhbëhet, vetëm transformohet!

letër dashurie

Kur lindim jemi fëmijë të prindërve, pas dy-tri dekadash bëhemi prindër të fëmijëve, herët a vonë na duhet të shndrrohemi në prindër të prindërve, për të arritur finalen, kur bëhemi kalamaj të fëmijve tanë.

Nga Çapajev Gjokutaj

E hasa këtë thenie në një bllok shënimesh të zverdhur nga vitet. Nuk jam në gjendje të them kur e kam kopjuar dhe nga ç’burim e kam marrë.
Gjithsesi ka diçka që më tërheq. Mbase rrjedhja, kalimet nga një status në tjetrin. Nuk është e rastit që metamorfozat kanë qenë dhe mbeten aq të pëlqyera në sendërgjitë që njerezimi ka thurur në shekuj: bretku kthehet në princ, krushqit në shkëmbinj, Zeusi në mjellmë, Gregor Zamza në krimb etj.
Por ka të ngjarë që pjesa më e madhe e pelqimit të burojë prej dramës që ngërthen shndërrimi nga prindër të fëmijëve në kalamaj të tyre.
Ka dhimbje në këtë shndërrim, mbase edhe degradim, por thellë – thellë ka diçka sublime e magjike: përkundër faktit që gjithçka rrjedh, marrëdhenia njerëzore, përkujdesi dhe dashuria mbeten. Natyrisht duke ndërruar kahje. Si të gjitha energjitë edhe dashuria nuk zhbëhet, vetëm se transformohet.

( Nga cikli ‘Mademet e shpirtit’ )

ObserverKult