Dashuritë e ndaluara shndërrohen në mall të përjetshëm…

Dashuritë e ndaluara shndërrohen në mall të përjetshëm.
Kështu ndodhi edhe me qytetin tim të ndaluar.
Kur më ne fund e vizitova, i ngjante një ëndrre të lashtë që tani shihja me sy të hapur.

Nga Teuta Skenderi

Tirana ishte qytet i ndaluar për ne për shumë dekada. Sikur një dashuri e ndaluar, emrin e së cilës nuk guxoje ta thuaje me zë, ëndërronim rrugët dhe dritaret e saj.
Por këngët për të askush nuk arriti të na i ndalonte.
Ato vazhduan të këndohen dhe mbahen në mend.
Tiranën vizitova për herë të parë atë vit kur Babi im ndërroi jetë. Nuk arritëm ta realizojmë ëndrrën shumëvjeçare: të pijmë kafe së bashku në Sheshin Skënderbe.

Shetisja rrugët e bukura të Tiranës atë ditë të nxehtë gushti, e rrethuar me gjuhën dhe popullin tim kudo, me mikëpritjen, fjalë të bukura, bujarinë.

Në kafenenë përballë monumentit madhështor të Skenderbeut më pikuan lotët: për Babin, për fatet tona, për dekada të persekutimit nga të dy anët e kufirit, për këngët e pakënduara, për Zoja Lilin fisnike- bibliotekisten e Prizrenit, e cila kishte nevojë të mirrte leje të veçantë pêr të vizituar vëllain e saj në Tiranë, për faktin se mund të vizitonim Zagrebin, Lubjanën, Beogradin, Dubrovnikun lirshëm dhe kurdo, por Tiranës nuk guxonim as të ja përmendim emrin;
për Babin përsëri, sepse sikur ja degjoja zërin nga largësia.
Kamarieri me emrin Roland i vërejti lotet. Më pyeti nëse mund të më ndihmojë.
I fola për Babin dhe dashurinë tonë të ndaluar me vite të tëra, dëshirën e tij shumëvjeçare- dhe ja që tani mund të udhëtojmë në Shqipëri lirshëm, ai më nuk është në këtë Botë.


Më dëgjoi me vëmendje. Më tha se do të ishte njeriu më i lumtur nëse një ditë, kur edhe ai nuk do jetë në këtë Botë, vajza e tij do t’i tregojë dikujt të panjohur për të, ashtu sikur une i fola për Babin tim.


Dashuritë e ndaluara shndërrohen në mall të përjetshëm.
Kështu ndodhi edhe me qytetin tim të ndaluar.

Kur më ne fund e vizitova, i ngjante një ëndrre të lashtë që tani shihja me sy të hapur.

Tirana e ëndërrave tona të këputura, kolektive, Tirana e këngëve tona të ndaluara, Tirana që ishte shumë afëer por të dukej sikur ishte prapa shtatë maleve dhe shtatë deteve, u godit nga tërmeti i fuqishëm sot, dhe mua më dhemb shpirti dhe më shtrëngohet zemra, sepse e dua shumë më fuqishem se çfarëdo shkalle Rihter, e cila sot provoi ta gjunjezoj atë.

Do të rri zgjuar sonte, bashkë me Tironsit, sikur atë natë kur isha fëmi, dhe për herë të parë dëgjova zërin e Vaçes në një televizor të vjetër, që emitonte fotografi te ndaluara qe megjithate udhëtonin dhe mrekullisht mbërrinin në dhomën tonë të ditës nga Tirana në Prizren.


21.09.2019

ObserverKult


Visar ZHITI

Lexo edhe:

VISAR ZHITI: DASHURIA E NJERIUT DHE NJERIU I DASHURISË

Në leximin e dytë, romani “Kësulëkuqja vjen me trenin e dhjetës” i shkrimtarit Rudolf Marku, do të thosha menjëherë se më pëlqeu edhe më shumë, duke më emocionuar sërish me rrëfimin tërheqës, tekstin kumtues, personazhet e gjallë, përsiatjet, nëntekstet tronditëse.

Krejt këto si një dëshmi artistike ngërthyese e kohëve, vendeve dhe fateve, e vërtetë në raport me të vërtetën, sipas një fiction romanesk, që rikrijon gjendje dhe të vërteta të saj, duke u bërë një afresk i së bukurës.

Edhe kur kemi të bëjmë me bëma jo të bukura, madje të rëndomta e të shëmtuara, neveritëse, shpesh të dënueshme të një të shkuare vrastare, me absurd deri në grotesk e humor trishtues, na përhitet estetika e së bukurës si ndjenjë e mendim, si fjalë dhe imazh që shpërthen prej saj.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult