Dashuritë që shuhen dhe ikin pa lamtumirë u ngjajnë meteorëve…

Nga Albert Vataj

Është e dhimbshme të shohësh një qiell të qëndisur me vezullimin më të ëndshëm të të gjithë ngulmeve dëshirore, kur në një çast të vetëm thyhet, e copëzat e yjeve dhe dritave, inkandeshencës dhe përjetimit, rrëzohen duke të të zënë përfundi.

Dhe ti rënkon nën peshën e këtij trishtimi, dihan me jehonën e thellë të territ që të kaplon.

Është nënshtruese çjerrja e asaj klithme, asaj britme që nuk e mbush një krahëror dhe nuk e nxë një qiell.

Ajo dhimbje që shpërthen në një zemër që çahet, është ajo pamëshirë që e bluan pjesën e mbetur të kurmit, duke e shndërruar atë në dritëzim të mekur xixëllonjash që lypin terr të bëjnë dritë.

Krisja e një zemre që brenda një çasti vetanak shumëzohet në mijëra copëza shkëndijash, është pragu i një fundi, është humnera që ndan botët e një shpirti dhe rreket të bashkojë copëzat e thyera të krahëve të erës, erës që i’a shquan shtegun ikjes.

Rrapëllon gjithçka rretheqark si një shtjellë e ndërkryer trazimi.

Brenda kësaj zemre të harruar mes pranverash të harbuara prej ngjyrave dhe aromave, thyhet llampa e dëshirave dhe dielli i dritimit të ëndrrave.

Dashuria që vdes mbetet e kredhur përtokë, e bukur dhe fisnike si një kerubin i përkorë që këputet prej degës së një rreze drite. Ashtu e plandosur mbi rrënoja, i përngjet një gjurme tek e cila gjithnjë gjen hapin tënd që të vjen nga pas, hapin që të tërheq rrëshqanë në një udhë të cilën e ke endur nëpër ëndrra.

Kujtesa, kujtesa i bën kurorë përshkënditëse lulesh dhe e mbron atë nga larvat dhe kalbëzimi, duke përdorur aromat e mbledhura prej krejt pranverave që vetëtinë nën qiellin e kllapitur të pasioneve që i gremisi koha.

Ajo jeton në ndërmendjet e netëve të gjata të kapluara nga makthi i pagjumësisë dhe rivjen me kafshimet e befta të buzës, me pëshpërima të lehta në vesh, rivjen për ta mbajtur të thellë krisjen e zemrës, për ta mëkuar me lot e trishtim, dhimbjen e ikjes.

Ti jeton me ëndrrën dhe dëshirën më të epërme të atij përjetimi, të cilin edhe përfytyrimi më idilik nguron të ta rrëfejë.

Dashuritë që shuhen dhe ikin pa lamtumirë, ikin pa e kthyer kokën pas, ikin pa pendim dhe lëndim.

Ata ikin prej secilit ndër ju, edhe nga ti, sa për t’ju ndërmendur se sa i errët dhe i thellë është boshi përpirës i çasteve të përbetimit, çasteve kur fjalët ti dikton zemra dhe t’i shqipton ngashërimi.

Ikin dashuritë, jo për të mohuar se kishin jetuar në çdo rreze me diellin tuaj të pasionit, ikin për t’i lejuar zemrës të thyhet, për t’i mësuar dhimbjes të ndjej kafshimin e pamëshirshëm të trishtimit, ikin për të ju lënë vetëm.

Ikjet pa lamtumirë i ngjajnë meteoreve që shndrijnë në një shpërthim dhe shuhen në vegimin e atij përjetimi që mbetet i stampuar në një çast drite.

Dashuritë që ikin pa lamtumirë, marrin gjithçka me ikjen, marrin kujtimet dhe çdo çast pritjeje.

Ikin për të lënë pas zemërthyerje. Ikin për të lënë pa marrë me vete, lotët që njom kafshimet e dhimbta të buzëve, buzëve që të trazojnë gjithnjë hirin që mban të strukur duke e mbrojtur nga cergat atë shkëndi që pret të shuhet më yllin e fundit të qiellit tënd.

Ikin ata ardhje që jetuan gjithnjë me ikjen!

Dashuritë që ikin pa lamtumirë, ikin pa e kthyer kokën pas, ikin pa pendim, por jo pa lot, lotët që do ujisin trishtimin dhe shpresën, lotët ku do të përthyhet dielli i një dite dritimesh përtëritëse.

Gjithçka që ikën, thjeshtë nuk ishte jotja. Ardhja dhe qëndrimi, ishte një iluzion, një ëndërr, një e mundshme sprovash dhe shkundullimash për çdo zemër që pranon të thyhet që në goditjen e parë.

Zgjohu ti Evë e mëkatit të zanafillës, ti Adam i mosbindjes, zgjohu dhe beso se çfarë është për ty, as nuk vjen as nuk ikën, ajo është brenda teje.

Amen!

ObserverKult


mirko gashi

Lexo edhe:

MIRKO GASHI: NISJA E DASHURISË

Poezi nga Mirko Gashi

Hëna lëshoi rrjetën
qyteti vazhdoi jetën

në muzgun e parë
si në zgjua
jeta vloi

të dashuruarit
bluanin
drithin e dashurisë

e zemra ime
vaj e në vaj
si zurkajë
as në këtë moshë
me dashuri
s’u josh

jetoja
pa mostra
bëja zustra

me çdo varg
shkoja larg
e më larg

shkrova
për renë e zezë
për nënën Terezë
por jo edhe këtë këngë
jetoja zi e më zi
skamnor e i pasur
por i tëri në poezi

taverna
më çeli
kaverna në cdo tavernë
nga një kavernë

po qe besa
s’më la shpresa
se njëherë në jetë do të më paraqitet
ajo kometë
e Halejit

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult