Në fillim, nuk i bënë përshtypje aspak dy zonja veshur e ngjeshur si për festë, të cilat u gjendën që në mëngjes tek porta. Aroma më në modë e parfumit të tyre e bezdiste dhe, po të mos teshtinte tri a katër herë, sillej nëpër kopsht i çoroditur, fërkonte turinjtë pas barit dhe veshët me putër, derisa ndonjë barishte e vesuar t’ia qetësonte mustaqet e ngritura përpjetë si të një plaku të moçëm. Por nuk zgjati shumë dhe nën portë u dukën hije këmbësh që lëviznin me padurim në vendnumëro. Ngriti veshët përpjetë dhe qëndroi gatitu me vështrimin mbërthyer përpara.
-Ç’të kenë këta sot?!
Rasti futi bishtin nën shalë dhe bëri për nga qoshja e kopshtit me pemë. Tepër e mërzitshme të rrije në kolibe në një mëngjes si ky. Pranvera ishte në të ikur pa u ndjerë, lulet ende s’kishin mbështjellë barqet e lëndinave, ndërsa në muret përqark shtëpisë po çelnin gonxhe të reja trëndafilësh si në një pranverë të dytë.
-Elena po më duket e çuditshme! Hyn, del, pëshpërit, bërtet, kërkon, vrapon … po me mua ç’ka?! S’më ka thënë asnjë fjalë qëkurse më njohu me atë gallofin e stërmadh me këmbë sa të ariut. S’e duroj dot! Sidomos atë ditë kur iu afrova teksa përqafoheshin. U duk sheshit se atij nuk i pëlqeu që ia kisha ngulur sytë e që prisja të ma thoshin një fjalë edhe mua. Shpresoja që ajo, Elena ime e vogël, të më kërkonte ndihmë t’ia shkulja nga fytyra atë kokëmadh. Por këmbëmadhi i tha diçka me zë të ulët dhe ajo, pa një, pa dy, m’u kthye egër: “Rasti! Shko, ik që këtu!”
***
U soll rrotull kolibes dhe qëndroi në këmbë. Ja ku po dëgjoheshin përsëri hapa që afroheshin në prag dhe i duhej të mprihte veshët. Një muzikë buçiti krejt papritur, aq sa e bëri të kërcente përpjetë. Zërat e njerëzve, sa vinin e bëheshin më të lartë. Tani, edhe kopshti po mbushej si pakuptuar me miq dhe, shumë shpejt, filluan të kërcisnin tapat e shisheve të shampanjës që derdhej pa kursim.
Në një ditë si kjo, disa vite më parë, Rasti kish marrë një të goditur me shishe në shpinë që i kish dhembur gjatë. E urrente grumbullimin e njerëzve, bëhej nervoz dhe mezi priste një shënjëzë nga Elena e tij dhe as era s’do ndihej në oborr!
Por këtë herë ishte ndryshe. Ndjente një boshllëk të paprovuar kurrë dhe i ngrihej qimja përpjetë sapo dëgjonte zërin e Elenkës dhe nuhaste Këmbëariun.
Shumica e të ftuarve ishin veshur me të bardha, gratë domosdo, të gjitha pothuajse. Burrave u rrinin kostumet për mrekulli dhe, ajo karficë e vogël në jakë të xhaketës, u jepte hijeshi. I kujtoheshin Rastit kohët kur në rrugët e qytetit, burrat e veshur po kaq hijshëm, nuk mungonin të thoshin diçka dashamirëse për të. Nëna e Elenës e merrte gjithnjë me vete kur dilte shëtitje dhe ai u mësua aq shumë me përkëdheljet e mikeshave të saj, saqë ndonjëherë i qepej pas së zonjës.
Kur u lind Elena, Rasti u dha pas saj si pas pjellës së vet. Në fillim e kundronte me kureshtje, i vinte rrotull bebes aty në kopsht, shtrirë mbi një kopertë të bardhë me qëndisma, dhe druhej ta prekte me turinj. Më pas ai mësoi si të lozte me të duke vënë në punë putrat dhe si t’i hakërrehej gjithkujt të huaj që guxonte t’i afrohej foshnjës.
Elenka e tij e vogël tani kish humbur mes turmës së miqve a ndoshta ishte në ndonjë nga dhomat e saj plot dritë. Si nuk po ia ndjente gjëkundi aromën a zërin?! Ç’ishte ajo turmë e zbrazët?!
Veshët i lëvizën instiktivisht mbrapa dhe ai u rrotullua me shpejtësi me fytyrën nga dera e shtëpisë. Kollani i qafës i rrëshqiti poshtë dhe ndjeu ta shtrëngonte fort. Flegrat e hundës u valëvitën vrullshëm dhe sytë filluan t’i mbusheshin me lëng të shndrritshëm. Një Zanë rrëzëlluese stolisur me trëndafilë të bardhë, qëndroi në derë si hyjneshë përrallash dhe i buzëqeshi. Elenka e tij po dilte nga ajo derë dhe ai ndjeu se nuk kishte më kthim. Në formën e lotit, lëngu i shndrritshëm u rrokullis nga syri i djathtë i tij dhe ai ra në gjunjë si përpara një fataliteti. Nuk kuisi, nuk lëvizi. Kollani që i shtrëngonte qafën e kish fajin, kollani që nuk e linte të gëlltitej e të nxirrte zë. Ta pyeste të paktën se ku po shkonte! Pse nuk i kish thënë një fjalë Rastit, si dikur kur ajo trishtohej e ai i lëpinte lotët?!
Harroi vallë Elenka e tij e dashur sa herë kishin rebeluar të dy, e pastaj, ia kishin mbuluar njëri tjetrit bëmat?! Harroi vallë Elenka e tij e vogël, sa herë largoheshin bashkë dhe merrnin bregdetin më këmbë nga kreu në fund duke luajtur me njëri tjetrin?! Por dukej sheshit që ajo ishte e gëzuar dhe s’kish ç’ti thoshte tjetër. Dukej sheshit që do shkonte me Këmbëariun dhe atë do ta linte atje, si një gjë të pavlerë e pa lamtumirë.
Edhe një tjetër rruzull vezullues i lëngët u shkëput nga liqeni i dhimbjes dhe gjeti rrugën teposhtë turinjve të Rastit.
Muzika erdhi duke u shtruar, zërat u zbehën në sfondin e trëndafiltë të kopshtit. Elena ngriti pakëz cepin e fustanit të bardhë dhe bëri një hap përpara. Pas ca fjalëve të pazakonta, të ftuarit duartrokitën dhe përgëzuan nusen.
Rasti priti të dëgjonte emrin e vet, a ndoshta, një shenjë tepër të njohur që e thërriste t’i shkonte pranë së zonjës. Por nuk ndodhi. Ajo, e kish harruar pa dalë ende nga porta e madhe e shtëpisë; ajo, as që ktheu kokën ta shihte. E fundit qe vetëm ajo buzëqeshje kur hovi në derë e u panë sy më sy.
***
Edhe pse drita jeshile e semaforit kishte kohë që ishte ndezur, vargu i makinave nuk po lëvizte ende nga vendi. Diku aty përpara, dikush kishte bllokuar qarkullimin dhe drejtuesit e makinave filluan të nxjerrin kokat nga xhamat me shqetësim. Dikush doli nga vetura e vet luksoze për të marrë vesh ç’bëhej. Në krye të vargut të gjatë të makinave, një limuzinë e gjatë e bardhe, stolisur me shirrita të gjatë që valëviteshin anash dhe mbuluar me trëndafilë, u dha njerëzve të kuptojnë se bëhej fjalë për një ceremoni dasme. Dy suita çiftesh në moshë, tek tuk mes tyre edhe të rinj adoleshentë, shoqëronin limuzinën e nuses nga të dy krahët. E, ndërsa ata vazhdonin të ecnin, makina nuk tutej vendit.
Një qen i stërmadh race, me një kollan të trashë të zi në qafë, qëndronte rrëzuar në gjunjë nën rrotat e parme të limuzinës dhe qante me kokën mbështetur mbi krahun e djathtë…
ObserverKult
Lexo edhe: