I dashuri im që nuk më përket, më fal
Për secilën herë të urryer kur pavetëdije
Në krahët e thyer të gjumit alivanosem
Sa herë që zëri yt prej platini të shkrirë
Ma këndon rekuiemin e paqes së munguar
Dhe fjalët tua përplot paqartësi dyshuese
Më përngjasojnë me shpërndarjen kaotike
Të shtëllungës së mjegullt të tymit
Shkëputur nga cigarja tashmë e fikur
Më fal që për mua nuk je engjëlli i iluzioneve
As përthyerja e dritës në prizmin e syrit hyjnor
As ëndrra profetike e së ardhmës që i druhem
A e kupton dot, o fort i dashuri im i largët
Se unë nuk të shoh siç të shohin të tjerët
Nuk të dua aq pak sa për të të gënjyer
Duke të thënë se ta dua flokun e mëndafshtë
Lëkurën me aromë hëne, apo bardhësinë e shpirtit
Hiret e tua më burgosin në letra të djegura herezie
Ti je klithmë e pendesës së ekzekutuar
Frikë makthesh droguese pa të cilat çmendem
Je nata para apokalipsit, misteri antik i vdekjes
Sëmundja ime, plaga ime, gjaku i ngurtësuar
Që digjet si temjan i mallkuar pas secilës puthje
Nga altari i buzëve tua ku pagëzohen djajtë
Më fal i dashur, që nuk të dashuroj dot
Ashtu siç dashurojnë vdekatarët…
Titulli i origjinalit: “Naʻu”
ObserverKult
Lexo edhe: