Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 80- vjetorit të lindjes së shkrimtares Helena Kadare, hapi dje një ekspozitë me kontributin e saj si shkrimtare, përkthyese dhe redaktore, duke nisur nga novela e saj e parë “Shuaje dritën Vera”, botuar në vitin 1966, për të vijuar më tej me romanet: “Një lindje e vështirë” (1970); “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978); “Bashkëshortët” (1981); “Një grua në Tiranë” (1994); “Zëri i njeriut të humbur” (1994) dhe “Kohë e pamjaftueshme” (2011).
Krahas krijimtarisë së saj, janë ekspozuar edhe përkthimet e disa veprave të Isaac Bashevis Singer, Yasushi Inoue, Junichiro Tanizaki, Anna G. Dostoevskaâ, Christopher Andersen etj.
Një vend të veçantë zë edhe kontributi i Helena Kadaresë si redaktore e një sërë monografish dhe botimesh të rëndësishme. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së.
Ishte ende gjimnaziste atëherë kur botoi në gazetën “Zëri i Rinisë” tregimin, i cili do të ishte fill i padukshëm i fatit me të cilin do të lidhej jeta e saj dhe Ismail Kadaresë, një prej yjeve të rinj të letërsisë shqipe. Nuk e kishte menduar kurrë që një përgjigje e tij do të ndryshonte gjithçka, por ndonjëherë të papriturat e vogla janë ato që u japin jetë gjërave të mëdha.
Shumë shpejt Helena Kadare la pas “rolin” e lexueses dhe veshi mantelin e personazhit të historisë së saj të dashurisë, e cila vazhdon t’i dhurojë të njëjtat emocione edhe pas kaq shumë vitesh.
Shkrimtarja e njohur festoi dje 80-vjetorin e lindjes. Një jetë e mbushur me dashuri idilike përkrah njeriut që i dha gjithçka, frymëzim për të shkruar dhe për të jetuar.
Në këtë ditë të shënuar, me siguri urimet kanë qenë të panumërta, por neve veçuam këtë dedikim të Ismail Kadaresë dy vite më parë në 78- vjetorin e Elenës.
Pyetjes se “Çfarë është Helena për ju?”, shkrimtari i madh i përgjigjet:
“Është gruaja më e afërt imja në këtë botë. Kështu ka qenë që në fillim të njohjes sonë, e deri tani në mbarim, në këtë pjesë të fundit të jetës. Njeriu më i afërt, që më ka dhënë gjithë gëzimet e kësaj bote, ndaj së cilës ndihem i detyruar për gjithçka”.
I pyetur nëse e ka përdorur ndonjëherë shprehjen “Më fal që nuk di të dua pak, por të dua vetëm shumë”, Kadare thotë se “Unë nuk e kam përdorur, nuk më kujtohet ta kem përdorur këtë shprehje.
Në qoftë se ia kam thënë dikujt, në një farë mënyre një gruaje, ka qenë Helena”./panorama.com
ObserverKult
Lexo edhe:
“MË JEPNI BEKIMIN TUAJ”, RITA PETRO E LEXON POEZINË E SAJ PARA ISMAIL KADARES
Poezi nga Rita Petro
Të jesh flokëlagur nga shiu
Në qoshen gjysmë të errët të një lokali
Ngrohur nga fryma e pëshpëritjeve
E zëri i mbytur i një saksi,
Dhe të duash të rrëfehesh
Para njerëzve të tu më të dashur
Pa pritur çastin e vdekjes,
E t’u thuash
– Baba, ka shumë kohë që të kam tradhtuar!
– Burrë, ka ca kohë që të kam tradhtuar!
– I dashur, ka që dje që të kam tradhtuar!
Do të nisem nesër
Pa zbardhur drita
Esëll, me një çantë kryqëzuar krahëve,
Zbathur, me sandale kryqëzuar këmbëve,
Do të ngjitem në majën e atij mali të lartë
Ku jeton dhia e egër virgjëreshë,
-Ju lutem, më jepni bekimin tuaj!
(Dhe ata me siguri do ma japin
Se më duan shumë,
Por s’ditën të më mbajnë).
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult