Nga Teodor Keko
Atëherë ditët qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Në muzg ti shfaqeshe e brishtë
me hënën flokëve – karficë e bardhë.
Dhe parqeve të qetë gjer vonë
ne putheshim. Dhe prapë.
Në gjoksin tim kokë e verdhë
në rrugë ëndrrash galop kish marrë.
Tani janë larg parqet e blertë,
të heshtur pimë kafe në klub.
Po mbrëmjet prapë jargavan janë
dhe kokën tënde e ndjej në sup.
Mos u trishto, e shtrenjta ime!
Ne prapë duhemi dhe heshtja sot
që ne jemi të pavdekshëm
dhe përjetësisht të bukur – thotë.
Atëhere mbrëmjet qenë të bukura
dhe mbanin erë jargavan.
Po shih! Përmbi tryezë t’u ul
në flokë hëna – karficë e bardhë.
ObserverKult
Lexo edhe:
TEODOR KEKO: VËLLAI PO MË KËRKONTE TË MË SHIHTE PËR HERË TË FUNDIT…
As unë e as një mekanik, ose shofer me dy pare mend në kokë e me sy në ballë nuk e kemi vënë kurrë në dyshim se kamioni im ishte më i miri i parkut. O zot, ta shihje se si futej gropave e baltërave i ngarkuar ding me dru zjarri dhe si rrëshqiste pa u ndalur fare, a thua qe ndonjë motor çiklokrosi e jo kamion drush!
Po e vërteta ishte se ai qe kamion i madh, i zi, i gjatë e moshatar me ca gërdalla, që harxhojnë karburant aq shumë, sa do t’i kallnin datën edhe ndonjë sheiku kuvajtian.
Vetëm se e kishim mbajtur shumë mirë atë makinë, i patëm qëndruar si foshnjës me mekanik te koka e leckë në dorë, pa lakmuar t’ia mbathnim me të mbaruar puna në shtëpi, ose në klub. Them ne, se im vëlla punoi i pari me kamionin, ai vajti dhe e mori në portin e Durrësit, kur e shkarkuan, dhe e solli në park. Vëllai punoi dhjetë vjet me atë makinë dhe, para se të largohej nga parku, vuri kusht ta merrja unë kamionin. “E kam pasur në vend të fëmijës, -i tha me lutje drejtorit, -s’e shoh dot timonin e tij në duart e të tjerëve”…
Tekstin e plotë e gjeni KËTU