Në pikën më të lartë të qytetit të Durrësit, në majën e kodrës mbi Kala, qëndron prej gati 90 vjetësh një godinë e madhe që durrsakët i thonë Vila e Zogut.
Historia e vilës mbretërore nis në vitin e largët 1925 por sipas studiuesit Dorian Hatibi origjina e saj mbetet mister.
“Ka një origjinë pak a shumë misterioze, sepse kemi shumë pak dokumente që na dëshmojnë origjinën e vilës”, thotë studiuesi Dorian Hatibi, transmeton ‘euronews albania’.
Godina ka qenë dikur vila rezidenciale që ka pritur figura të rëndësishme botërore.
“Vila nuk do të përdorej për shumë kohë nga mbreti Zog. Kjo pasi qyteti i Durrësit do të pushtohej nga italianët. Dhe gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore vila përdoret nga oficerët e lartë gjermanë si rezidencë.
Është shumë interesante të kujtojmë se në këtë vilë ka qëndruar gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Nikita Hrushov, princi i Kamboxhias bashkë me princeshën e tij. Dhe në vitin 1993 ish-presidenti i SHBA-ve, Jimmy Carter”, tregon studiuesi.
Pas kësaj epoke të lavdishme, viti ’97 ishte koha kur vila nisi të degradohej. Sot ajo qëndron e kyçur.
“Unë mendoj që këtu duhet të bëhet akter i fuqishëm bashkia, në rastin më të mirë, ose pushteti qendror. Sepse sado që të investohet privati, çfarëdolloj privati qoftë, qoftë bankë apo individ, në çdo rast do ta kenë të vështirë që t’i japin atë sharm që vila ka pasur”, thotë arkitekti Indrit Hamiti.
Ai apelon që kjo godinë të përfshihet në programet për rikuperimin e trashëgimisë kulturore në Durrës.
“Tërmeti shërbeu në njëfarë mënyre edhe si një incentivues për lobimin dhe sjelljen e fondeve për rikuperimin e trashëgimisë kulturore në Durrës. Në këtë sens do të bëja apel që Vila e Zogut të bëhej pjesë e këtyre programeve”, shprehet Hamiti.
Lexo edhe:
ZOGU I- MBRETI I SHQIPTARËVE QË U MBIJETOI 55 ATENTATEVE
ObserverKult