Deklarata emocionuese e Albina Kelmendit pas kualifikimit: Kam besuar që bashkë do t’ja dilnim e ja ku jemi…

Kënga “Duje” elektrizoi mbrëmë skenën e madhe të Liverpul, ndërsa Albina dhe Familja Kelmendi përcollën emocione drithëruese, duke i siguruar Shqipërisë një vend në finalen e madhe në Eurovizion.

Albina është shprehur mjaft e emocionuar dhe krenare për këtë arritje, në konferencën e mbajtur fill pas përfundimit të natës së dytë të gjysmëfinales.

Pyetur nga gazetarët e pranishëm sesi është të ndash suksesin së bashku me familjen e saj, Albina u shpreh se është një ndjesi unike dhe e papërshkrueshme.

Ne jemi shumë të lumtur dhe të emocionuar, krenarë për shqiptarët dhe vendin tim. Faleminderit!

Ne kemi të gjithë profesionet tona dhe do të bëjmë punën më magjike, të bëjmë muzikë për njerëzit që e pëlqejnë muzikën tonë.

Të performosh së bashku me familjen është ndjesi fantastike. Ne kemi kaluar shumë, përzgjedhja jonë ndodhi muaj më parë, çdo gjë ndodhi shumë shpejt, të performosh këtu sonte dhe të hysh në finale dhe të jemi vendi i parë i përzgjedhur na bën krenar. Shumë faleminderit të gjithëve që na votuan dhe shpresojmë të mos ju zhgënjejmë”, tha Albina teksa shprehu krenarinë për të gjithë suportin që ka marrë nga të gjithë shqiptarët.

Teksa u uroi suksese të gjithë finalistëve, Albina u shpreh se të gjitha shtetet që do të konkurrojnë të shtunën, e kanë merituar finalen e madhe.

Ne jemi i njëjti gjak, i njëjti nacionalitet, Kosova dhe Shqipëria janë motra dhe vëlla me nënën e madhe shqiptarinë. Besoj se janë të emocionuar të gjithë, ne kemi parë dashurinë dhe suportin që na kanë dhënë këto ditë. Shpresoj që t’i kemi bërë krenarë.

Bashkimi në muzikë. Është e vërtetë se kur dëgjon muzikë harron gjithçka. Ndihemi sikur të gjithë që kanë hyrë në finale e kanë merituar dhe mezi pres të takoj këdo që bëri të mundur hyrjen tonë në finale. I urojmë të gjithëve suksese”, tha ajo.

Sakaq, në një postim në rrjetin social Instagram, Albina teksa iu drejtua të gjithë shqiptarëve, tha se e ka ndjerë se i ka patur pranë që në muajin dhjetor, kur siguroi votat dhe zemrat e publikut me këngën “Duje”.

E kam zemrën plot! Emocione unike e shumë të mëdha! E dija, ju kam ndjerë që keni me mua që nga dhjetori e deri më sot. Kam besuar që bashkë do t’ja dilnim e ja ku jemi! Bashkë drejt finales, me ju të shtunën plot krenari e sukses! Ju dua”, shkroi Albina.

Në gjysmëfinalen e dytë u zgjodhën edhe 10 shtetet e tjera finaliste nga 16 që morën pjesë në garë të cilat janë Shqipëria, Qipro, Estonia, Belgjika, Austria, Lituania, Polonia, Australia, Armenia, Sllovenia

Në gjysmëfinalen e parë 10 vendet që u kualifikuan janë Kroacia, Moldavia, Zvicra, Izraeli, Finlanda, Çekia, Portugalia, Suedia, Serbia, Norvegjia.

Finalja e madhe do të mbahet më 13 maj në M&S Bank Arena në Liverpool, Britani e Madhe./rtsh

ObserverKult


Lexo edhe:

EUROVISION 2023/ SHQIPËRIA KUALIFIKOHET E PARA, ALBINA DHE FAMILJA KELMENDI NË FINALE