Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi drejtuesen e Fondacionit “Jo Gjakmarrjes! – Po Jetës!”, Pastoren e Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare me Dekoratën “Nënë Tereza”, me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm, si drejtuese e fondacionit “Jo Gjakmarrjes, Po Jetës”, në ndihmë të familjeve të ngujuara nga fenomeni i gjakmarrjes, duke përçuar mesazhin e pajtimit e të faljes. Për mbështetjen shpirtërore, emocionale dhe edukative të fëmijëve të ngujuar , të cilët nuk kanë mundësi të frekuentojnë shkollën. Për vlerat njerëzore dhe bujare të shfaqura në ndihmë të familjeve dhe fëmijëve në nevojë, si ambasadore e zërit të tyre brenda dhe jashtë vendit.”
Në prani të pastorëve të Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, si dhe pjesëmarrësve e të ftuarve në ceremoninë solemne të dekorimit, Meta u shpreh se “jam sot, mes jush, për të vlerësuar një pjesëtar të komunitetit tuaj të nderuar, Drejtuesen e Fondacionit ‘Jo Gjakmarrjes – Po Jetës’, Pastoren Elona Prroj. Ndërsa vlerësoja kërkesën e Vllazërisë Ungjillore Shqiptare (VUSH) për të dekoruar zonjën Prroj, u ndjeva thellësisht i prekur nga ngjarjet e vështira, me të cilat jeta e ka vënë përballë zonjën Prroj, por edhe me kurajën, vendosmërinë dhe humanizmin e saj, me forcën për t’u ngritur mbi të gjitha vështirësitë dhe për të dhënë kontributin, në këto 10 vite, me Fondacionin “Jo Gjakmarrjes! – Po Jetës”.
“Si sot, 10 vjet më parë, zonja Prroj u gjen në situatën më të vështirë, që mund të gjendet një nënë dhe një grua: pa bashkëshort. Por humbja e tij nuk erdhi as për shkak sëmundjeje dhe as aksidentalisht. Ajo erdhi për shkak të një fenomeni barbar si gjakmarrja. Kjo ishte një nga ngjarjet më të pazakonta, që tronditi opinionin publik të kohës edhe për faktin se Dritani, bashkëshorti i Elonës, ishte pastor. Kanuni është shumë i rreptë dhe i qartë në ndalimin e vrasjes së klerikëve për shkak të gjakut, dhe kjo ishte hera e parë, që një klerik do të bëhej viktimë e këtij fenomeni. Lufta kundër fenomenit të gjakmarrjes ishte një nga qëllimet kryesore të punës së pastor Dritanit, dhe në momentin që mbeti i vrarë, me vete kishte biblën dhe projektin për të mbështetur familjet e ngujuara dhe për të luftuar fenomenin e gjakmarrjes”, tha ai.
Në vijim, Meta shton se “ky projekt, së bashku me kërkesën, që Dritani i kishte bërë vëllait të tij, që të mos hakmerreshin nëse ai do të vritej, ishin amanetet që Elona mori atë ditë. Amaneti i Dritanit për të falur vrasësit e tij u vendos në vend, duke ndërprerë kështu një zinxhir të gjatë vrasjesh. Ndërkohë që projekti i tij për hapjen e Fondacionit, u bë realitet nga bashkëshortja e tij, Elona. Themelimi i Fondacionit “Jo Gjakmarrjes! – Po Jetës!” me moton ‘Të këpusim prangat, që shqiponjat të fluturojnë të lira!’, prej 10 vitesh jep kontributin e tij, për të sjellë dritën e shpresës për paqe, pajtim dhe ndihmë humanitare për familjet e prekura nga fenomeni i gjakmarrjes, në veçanti në Veri”.
“Dy janë qëllimet parësore të fondacionit: Të negociojë e ndihmojë familjet në gjakmarrje të pajtohen, dhe të ndihmojë në lehtësimin e pasojave që sjell ky fenomen, veçanërisht duke ju dhënë zë jetëve të atyre, që dergjen brenda katër mureve së gjalli. Në 10 vitet e punës së tij, Fondacioni iu është gjendur pranë qindra familjeve të ngujuara, duke ofruar ndihmë ushqimore, por edhe shërbim shëndetësor e përkujdesje psikologjike, veçanërisht për nënat e fëmijët, që kalojnë kalvarin më të vështirë gjatë ngujimit. Dhuna, varfëria ekstreme, depresioni janë shpesh shoqëruesit e jetës së një familje të ngujuar, ku grave ju mbetet barra e sigurimit të jetesës, si të vetmet anëtare të familjes, që mund të lëvizin lirisht, dhe ku fëmijëve ju cenohet e drejta për një jetë normale, duke u bërë viktimat e pafajshme të fenomenit të gjakmarrjes”, tha ai.
Po ashtu, Meta shtoi se “Këta fëmijë detyrohen të braktisin shkollën, që në moshë të vogël, sepse jeta e tyre preket thellësisht nga ky fenomen. Fjalët e Luanit të vogël: ‘Për çfarë të mësoj? Unë do rritem të vras ose të më vrasin!’ u bënë një kambanë e fortë alarmi për Elonën dhe Fondacionin, që u mobilizua në hapjen e Qendrës ditore ‘Dritan Prroj”, për të ndihmuar në arsimimin dhe edukimin e dhjetëra fëmijëve nga familjet e ngujuara. E drejta për arsimim, por edhe për përkujdesje, socializim dhe integrim, përmbushet nga Fondacioni për dhjetëra fëmijë, jo vetëm të familjeve të ngujuara, por edhe të atyre në nevojë. Vetëm nëpërmjet edukimit dhe arsimimit të fëmijëve mund të arrijmë të ndryshojmë të ardhmen e vendit tonë dhe të mbyllim plagë të tilla, kaq të rënda si gjakmarrja. Këtë gjë e ka kuptuar dhe po e bën më së miri, prej 10 vitesh Fondacioni ‘Jo-Gjakmarrjes! – Po jetës!’, me në krye Pastoren Elona Prroj, duke u bërë një zë i fuqishëm për falje dhe pajtim në Shqipëri dhe jo vetëm”.
“Guri i parë i faljes u vendos nga bashkëshortja, zonja Elona Prroj dhe familja e Pastor Dritanit, duken falur vrasësin e Dritanit dhe duke u bërë kështu shembull frymëzimi për shumë familje të tjera në gjakmarrje.Misioni i Fondacioni ‘Jo Gjakmarrjes! – Po Jetës!” do të vazhdojë derisa të përmbushet qëllimi për të cilin ai u krijua, derisa të arrijmë të kemi një shoqëri më të mirë, me më shumë paqe, pajtim dhe me më pak varfëri, vuajtje e përjashtime.Siç ka thënë shenjtorja jonë e madhe Nënë Tereza: ‘Në qoftë se në të vërtetë duam që të na duan, duhet të mësojmë se si të falim”, tha ai.
Në fund, Meta tha se “për gjithë kontributin e saj 10-vjeçar në krye të Fondacionit “Jo Gjakmarrjes! – Po Jetës!”, duke u bërë simbol i faljes dhe i pajtimit, për ndihmesën ndaj familjeve të ngujuara, veçanërisht për fëmijët e ngujuar, për mbështetjen ndaj fëmijëve në nevojë dhe për gjithë humanizmin e shfaqur, kam kënaqësinë t’i akordoj zonjës Elona Prroj, drejtuese e Fondacionit “Jo Gjakmarrjes! – Po Jetës!” titullin e lartë ‘Nënë Tereza’./ATSH