Delmore Schwartz: Një herë e përgjithmonë

Poezi nga Delmore Schwartz

Dikur, kur isha çun,
Apolloni më thirri
Të jem çirak i dritës dhe ndërgjegjës në verën e pafund,
Dhe kështu të bëhesha dhe të jem ashtu siç kanë qenë
shpesh poetët,
Një bari i qenies, një mjeshtër kalorës i qenies, që mban
kuajt e zotit të diellit, duke udhëhequr delet e tij,
duke stërvitur shqiponjat e tij,
Duke drejtuar yjësitë drejt stacioneve të tyre, dhe në çdo hir
të vendit,
Por Pani, duke i rënë fyellit dhe duke vallëzuar, duke folur një gjuhë
të panjohur ose gjuhën e magjistarit,
Këndonte nga errësira ose u ngrit nga nëntoka, prej nga lindin
Dashuria dhe dehja e dashurisë, dashuria dhe lindja, dashuria dhe
vdekja, vdekja dhe rilindja
Të cilat janë fillimi i festivaleve të feniksit, shfaqjeve tragjike
në kremtimin e Dionisit,
Dhe në zi princeshën e tij të dehur dhe të rënë, këngëtarët dhe
mëkatarët, të rënë sepse ata janë, në fund,
Të dehur nga krenaria, të verbuar nga gëzimi.

Dhe unë ndoqa Dionisin, duke harruar Apollonin, e ndoqa goxha
gjatë derisa gabova dhe këndova:
”Askush nuk mund t’i shërbejë të dy zotat. Njeriu duhet të zgjedhë
të fitojë dhe të humbasë.”
Por gabova dhe kur e kuptova se si e kisha gabim e dija
Atë që, në njëfarë mënyre, kisha ditur gjatë gjithë kohës:
Kjo ishte bota e re, këtu përkisja, këtu gabova sepse
Këtu çdo tragjedi ka një fund të lumtur, dhe çdo gabim mund të jetë
Një zbulim përrallor i Amerikës, e begatisë së fshehur në thellësitë
e errëta dhe lartësitë vezulluese të realitetit.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

JIM MORRISON: AKTORËT DHE MIQTË