Dëme nga protesta, mbyllen përkohësisht Biblioteka Kombëtare dhe Muzeu Historik Kombëtar

Për shkak të dëmeve të shkaktuara gjatë protestës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllen përkohësisht.

Në njoftimin zyrtar të Bibliotekës Kombëtare thuhet se është ngritur një grup emergjence për të rikuperuar dëmet.

“Për shkak të dëmeve të shkaktuara gjatë protestës së ditës së djeshme, 10 dhjetor 2020, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë do të mbyllet përkohësisht, deri në një njoftim të dytë”, bëhet e ditur në njoftim.

“Ju bëjmë me dije se është ngritur Grupi i Emergjencës për të marrë masat e menjëhershme për riparimin e dëmeve të shkaktuara dhe rikthimin në normalitet’’, theksohet në njoftimin zyrtar të Bibliotekës Kombëtare.Gjithashtu në njoftimin zyrtar të Muzeut Historik Kombëtar theksohet se për shkak të dëmeve nga protesta e djeshme Muzeu do të mbyllet deri në një njoftim të dytë.“Në zbatim të Urdhrit të Ministrit të Kulturës “Për mbylljen e përkohshme të aktivitetit për publikun të Muzeut Historik Kombëtar, Teatrit Kombëtar Të Operas, Baletit Dhe Ansamblit Popullor dhe të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë”, për shkak të dëmeve të shkaktuara gjatë protestës së ditës së djeshme, 10 dhjetor 2020, Muzeu Historik Kombëtar do të mbyllet përkohësisht, deri në një njoftim të dytë. Ju bëjmë me dije se është ngritur Grupi i Emergjencës për të marrë masat e menjëhershme për riparimin e dëmeve të shkaktuara dhe rikthimin në normalitet”, thuhet në njoftimin zyrtar të MHK./ATSH