Demir Gjergji do të të ndjejmë përmes fjalës tënde…

Nga Aleksandër Çipa

I kishte territoret e veçanta të vetvetes: atë të poezisë dhe radiofonisë, të ligjërimit poetik dhe komunikimit publik. I mbajti këto territore të mbështjella në modestinë natyrale të vetvetes si raport me të tjerët dhe publikun. Vetëshquhej në zë dhe në fjalë. I donte perimetrat e gjerë duke qenë besnik rigoroz i perimetrave të ngushtë, duke spikatur si qytetar artist e gazetar dhe duke ushqyer ambicien e artistit si qytetar.

Demir Gjergji është një poet që udhëtoi pa stacionime të gjata dhe pushime të kota, në poezi.

Ai qëndroi gazetar i fjalës dhe mendimit në radio, duke mos e zbehur kurrë emocionin e timbrit dhe theksimit komunikues para mikrofonit.

Demir Gjergji ishte respektues i emocionit të tjetrit dhe shtues i emocionit të vetes.

E kërkoi progresin estetik të fjalës në kohë të vështira dhe në kohë të padëgjueshmërisë.

Me gjuhën e tij të brendshme kërkoi dhe këmbënguli pa e hequr kurrë veshjen e modestisë si virtyt njerëzor, për të gjetur dhe zotëruar intuitën e gjërave.

Demir Gjergji ra në heshtjen e gjithëjetshme papritur, befas dhe në refuzim të zhurmës së ikjes, duke lënë pas shenjën e vetes dhe shenjat e vetvetes. Një ndër këto të fundit është edhe studio ”De Rada”. Një laborator rishtar në të cilin përmes zërit të tij u regjistruan qindra krijime miqsh, poetesh dhe poetësh, për t’i dhënë në ajrin e mbizhurmshëm të kësaj shoqërie, një zë estetik të poezisë dhe autorëve me ndjenjë të hapësirës së sotme shqiptare.

Demir Gjergji heshti në pikun e të qenit energjik, në çastin e mbramë të kapjes së një ngjitjeje më të mbramë, për pasionin me talent të vetvetes dhe në një kapërcyell ndërprerjeje me radiofoninë publike.

Dekada të tëra, zëri i tij bëri ngjyrë dhe pati timbër publik, përmes Radio Tiranës. I fitoi shumë horizonte dëgjimi dhe i theu shumë gardhe pengimesh për dëgjim, ndër hise dhe vise shqiptare.

Demiri mbeti rigorozisht adhurues dhe shërbëtor i estetikës së simpatikes. E bëri këtë, deri sa ndau frymën nga trupi, por jo për konkurime dhe gara jubilarësh.

Në dekadat e fundit të jetës u pri dhe gatoi poezi-shkurtima sikur të donte të mishëronte ndërgjegjen e poetit dhe gazetarit konçiz. Nuk e humbi kurrë ndërgjegjen e lartësisë së vetvetes në raport me të tjerët dhe në referencë me peshën reale të vetvetes.

Demiri ishte mik me shumë dhe mbetet mik, me më shumë. Me dhimbjen e ikjes së beftë, këta të dytët, janë edhe më të shumtë.

Ndër ta dhe tek të shumtët Demir i dashur, ke tashmë të vetmen mundësi, të shohësh duke mos qenë me prani fizike, dritën e shpirtit tënd mbi ne, e cila ndritë përmes frymës që gjallon dhe zërit që të kumbon.

Na e ngrite fytyrën tënde në ajri dhe na le me fjalën që e kemi për lexim dhe rilexime në pakohësi.

Tani që nuk të tokim dot me dorën e takimeve, do të të ndjejmë përmes fjalës tënde me zë dhe estetikë.

Me ndjenjën e përhershme të mikut që nuk ndërron, Sandri. /tirananews.al

____________________

Lexo edhe:

ALEKSANDËR ÇIPA: AKSIDENTIN ME TY E NDAN NJË PUTHJE

ObserverKult