Denata Ndreca: Kafe Opera Tirana

E nëse nuk mund të të mbaj
unë ty në jetën time,
do të të gjej në ndonjë bar,
a ndër rrugëtime.

Do të t’pi si vesën
që bie mbi borë nga fluturime
dhe kokën do mbështes
mes grushtave më bosh
se boshllëku i zemrës time.

E ndër mend do më vijë
Kafe Opera në Tiranë.
E heshtur do mbes
peng ndër kujtime;

unë larg nga ti,
e ti tutje – i ulur në një anë.