Dënohet kosovari në Zvicër që vodhi piktura të Picassos e i shiti për 150 euro

Një 37-vjeçar më shtetësi të dyfishtë kosovare dhe serbe, është dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim në Zvicër, pasi kishte vjedhur piktura të Pablo Picassos në shtëpinë e një pensionisti dhe i kishte shitur në treg për 150 euro, shkruan “Blick”.

37-vjeçari bashkë me një person tjetër në tetor të vitit 2020 kishin kryer vjedhjen në Weinfeld TG të Zvicrës, lidhën pensionistin 80-vjeçar para se të kryeninin vjedhjen.

Raportohet se shuma totale e vjedhjes ishte 75 mijë franga. Në mesin e gjërave që vodhën ishin dy piktura të piktorit të famshëm Pablo Picasso, vlera e të cilave në treg sillet rreth 50 mijë franga zvicerane.

Shtetasi kosovar u dënua duke u bazuar në gjurmët që la. Ai ishte kapur nga Policia gjatë një vjedhje tjetër në vitin 2021.

Se ku gjenden pikturat e Picassos, shtetasi kosovar ka thënë në gjykatë se nuk e di. Ai ka treguar se i shiti me çmim të ulët në treg në Thurgau.

“Ishin false, i kam shitur në treg për 150 euro”, ka thënë kosovari në gjykatë.

Ai ka thënë se ishte një vjedhje e planifikuar. Ai duke u përgjigjur në sallën e gjyqit, po përpiqej të mbante lotët.

Tregoi se kishte humbur gjithçka duke luajtur poker. Thotë se nuk donte t’i bënte asgjë të moshuarit të cilin e grabiti. Tregon se një ditë pas grabitjes, ishte ndalur pranë shtëpisë për të parë nëse i moshuari ka mundur të lirohet.

Për këtë arsye edhe avokati i kosovarit ka kërkuar një dënim me kusht. Por, gjykata i ka parë gjërat ndryshe.

Ka dënuar kosovarin me katër vjet e gjysmë burg. Pos kësaj, ai duhet të largohet nga Zvicra për dhjetë vjet. Po ashtu duhet të paguajë edhe shpenzimet e gjyqit dhe një dëmshpërblim prej 25.680 franga për gjërat e vjedhura./rtv21.tv

ObserverKult


Lexo edhe:

NGA DA VINÇI TE DALI, EMRA TË MËDHENJ TË PIKTURËS “RIJETËSOHEN” NË PIROGRAFI

Leonardo Da Vinçi, Salvador Dali, Cloude Monet, Sandro Botticelli, Frida Khalo, Pablo Picaso, Van Gogh e të tjerë emra të mëdhenj të pikturës “rijetësohen” në pirografi, por në formën e tyre përfundimtare pas vdekjes.

Një ekspozitë të tillë sa të veçantë, por edhe disi e frikshme ka guxuar ta realizojë një 22-vjeçar nga Pogradeci. Ai është mjaft i talentuar në pirografi.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult