Dëshmia: Ja e vërteta e Ndue Marashit, që u tha se vrau veten: “Bashkëshortja doli për të blerë cigare për të shoqin, ndërsa shërbëtorja…”

Nga: Ndoc Selimi

Gazetat shqiptare të datës 17 dhjetor të vitit 1975, dhanë një lajm tepër sensacional: “Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Tiranë, Ndue Marashi, kishte vrarë vetën”. Mënyra se si vazhduan programet mediatike të asaj nate, duke mos i dhënë asnje lloj rëndësie atij lajmi të pazakontë, kuptohej qartë se politika e Tiranës dhe e Shqipërisë, donte ta anashkalonte ngjarjën, si dhe t’i tregonte opinionit publik se i vrari së shpejti do te shpallej armik i popullit.

Një ditë me parë (16.12.1975), kur ndodhi ngjarja, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Ndue Marashi kthehët nga zyra për në shtëpi rreth orës 10 paradite, për t’u përgatitë për një pushim disa ditorë në Vlorë bashkë me të shoqën Françeskën, pasi kjo e fundit ishte goditë në kokë në mënyrë banditeske në erresirë, në kohën që kishte lënë punën prej njerëz që nuk u identifikuan kurrë.

Në orën 11 të dites së 16 dhjetorit 1975, dëgjohet një krismë e vetme arme në shtepinë e Kryetarit, të cilën e pohuan komshinjtë. Mbas kqyrjes se rrethanave te ngjarjes, si dhe nga proces – verbal i policisë, doli se i vdekuri ishte Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Tiranë, Ndue Marashi, që me një komunikatë të brendeshme te leshuar nga vetë kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu, pohohej publikisht të nesërmen me 17 dhjetor, në formë denigruese se “bajraktari i fshatrave të Tiranës, është vetëvrarë”, duke vazhduar me pas me mediat, të cilat lajmëruan se “Ndue Marashi, ka vrarë vetën me pistoletën e punës, me një plumb të vetëm në ballë”. Komunikata ishte pa komente, por thjeshtë sa për dijeni. Mos të harrojmë, se ishtë ky kryeminister, që flet me histerizëm kundër përsonalitetit të veriorit Ndue Marashi, i cili 6 vjet më vonë do të provonte këtë fat mbi kokën e vet.

Në momentin e vrasjës së Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Tiranes, Ndue Marashi, askush nuk ndodhej në shtëpi; bashkëshortja do të blinte cigare për të shoqin të nji kinkaleri te “Sheshi Avni Rustemi”, për udhëtimin e nesërm, ndërsa shërbtorja kishte ikë për të “blerë bukë”, kur kësaj të fundit nuk i lejohej të largohej nga shtëpija asnjë çast. Komshinjtë në fillim deponuan se kishin parë dy persona te dera e shtepisë, që u larguan me një motorr pikërisht, pas degjimit të krismës së armës (kush mbante motorr në atë kohë?), por më vonë u tërhoqën, duke thënë se nuk kishin parë gjë! Sapo u kthye në shtëpi e shoqja e Ndues, Françeska, dhe mori vesh lajmin e kobshëm, tha: “Ma vratë Nduen”, duke i’u drejtuar hetuesve e njerëzve të Sigurimit të Shtetit që merreshin me rrethanat e vrasjës. Këtë thënje, megjithë presionin e kërcnimet që i’u benë, ajo nuk e mohoi kurrë, as para Feçor Shehut, as në hetuesi, as në tortura, as në internim, dhe asnjëherë deri sa u nda nga jeta.

Ndue Marashi u lind në rrethinat e Shkodrës me 1933-in. Familja e tij ishte shpërngulur nga Dushmani (lagja Malagji) dhe ra në qytet, si shumë familje malesore për t’i shpëtuar varfërise e duke kërkuar një jetë më të mirë. Kur Ndoja nuk ishte as gjashtë vjeç, me 1939, familja bën lëvizjen e dytë, e kësaj radhe në drejtim të Tiranës, në Lagjen e Bamit, që në atë kohë ishte vetëm një fushë me ferra e driza, si dhe një pjesë e varrezave të qytetit. Në këtë lagje me vëllezer e motra e në varfëri, hedh shtat numri një i ardhshëm i Tiranës, Ndue Marashi. Njerëzit dhe komshinjtë, si: Kokonozt, Sheht, etj., flasin fjalët më të mira për këtë familje, për shpirtin solidar, për urtësi e integrim në shoqëri. Nduja i vogël ishte inteligjent nga natyra, por nuk mund të vazhdonte shkollën direkt, pasi ishte me i madhi i fëmijëve, e kështu gjen një punë e nga këtu fillon të arsimohej pa shkëputje, për disa vjet rrjesht. Direkt nga prodhimi, i ngjitët dijes duke mbaruar me rezultate të shkëlqyera shkollën Buqësore në degën Zooteknikë. Aftësitë vetëm tijat; energjia në punë, aftësia drejtuese dhe mbi të gjitha karakteri i tij, bëjnë që sapo mbaroi fakultetin, të emërohej drejtor i konvikteve të Institutit Kamëz dhe me vonë bëhet pedagog në këtë institut.

Shpejt Ndue Marashi do të përfshihej në nomenklaturen drejtuese duke filluar së pari si kryetar i koperativës bashkuar të Kasharit. Në këtë detyrë merr nderimin e gjithë fshatarëve duke qenë krah për krah me ta në punë e shtëpi, në dasma, gëzime e morte. Ai dijti të fitojë respekt sa askush tjetër, ku edhe sot nuk del një banor i kohës tij të thotë një diçka të keqe për këtë kuadër, përkundrazi ata e kujtojnë plot nderim. Ai rriti rezultatet e të ardhurat për krahë pune e mbi të gjitha barazoi klasat duke mos përfillur biografitë. Potenca organizuese dhe aftësia për t’u zgjidhë hallet popullit e sjellin Nduen sekretar të parë të partisë për Rajonin Nr 4 të Tiranës, i cili kishte në vartësi të gjitha fshatrat. Emri i tij filloi të lakohej në skajet ma të largëta të rrethit dhe në vatrat ma të varfëra duke u sjellur besim në zgjidhjën e halleve e problemeve që kishin njerëzit. Në keta vite dëgjoheshin këshillat që qytetarët e fshatarët u jipnin njëri – tjetrit: “Shko te Ndue Marashi, se ai ta zgjidh problemin “. Kështu sekretari i parë cakton një ditë në dy javë për takim direkt me popullin. Fjala e tij ishte shpatë dhe zgjidhja e problemit e sigurtë. Puna po i jipte rezultate dhe në vitin 1970 zgjidhet Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Vështirsive i del me gjoks, pasi dikasteri kishte shumë mangësi e burokraci që kërkonin zgjidhje urgjente. Përseri njerëz hallexhinjë pas dere për takim me kryetarin, e përseri një ditë në dy javë takim me popullin. Ishin këta vite që njerëzit kishin filluar të humbnin besimin te dikasterët për shkak të një burokracie të tepruar dhe papërgjegjsie që kishin kuadrot, për shkak të frigës e të pa aftësisë së tyre për të vepruar në pavarësi e me kopetencë dhe për këtë i vetmi që mund t’i ndihmonte dhe t’u zgjidhte hallet e t’u vinte në ndihmë, ishte vetë Kryetari.

Në shtator të vitit 1973 edhe unë, autori i këtij shkrimi, i shkova në takim kryetarit Ndue Marashi, për të zgjidhë një padrejtësi që Enti i Banesave, i kishte bërë repartit tonë të helikopterëve. Sa për kurjozitet, në këtë kohë Komiteti Ekzekutiv i Tiranës, ishte në mes të sheshit para Pallatit të Kulturës ku është sot Muzu Kombetar. “Ka ardhë shoku i helikopterëve”, i tha sekretarja. Ai u ngrit ne kembë e m’dha dorën. “Prej nga je”, m’tha, duke parë emrin tim verior në kartë vizitë. (kujtoj që në këto vite ishin shumë pak verior që banonin në Tiranë). “Prej Komani”, i’u përgjigja si me krenari. “O po, ai fshati poshtë në breg të Drinit…”. Kështu vazhduam bisedën, sikur kishim harruar përse ishim aty.

I shpjegova pastaj se Komiteti Ekzekutiv, na ka marrë një hyrje me shumë te pallati që kishte ngritë reparti i helikopterëve, për efektivin e vet me kontribut vullnetar, sepse nga 15 hyrje duhet te mirrte dy, ndërsa ju na keni marrë tre. Dha urdhër te vinte shefi i Urbanistikës dhe i tha direkt në sytë e mi, që të kthente apartamentin këtij institucioni ushtarak. Këtu qëndronte aftësia e tij prej kuadri, në zgjidhjen e prerë të problemit. U ndamë duke më premtuar, se do të vinte në repartin tonë për të bërë një fluturim me helikopter. Dhe vertetë erdhi tre ditë pas takimit tonë, ku bëri një bisedë me efektivin kuadër, pilot e teknik për punen në dikasterin e tij. Pastaj bëmë një demonstrim me helikopter, por nuk u la të fluturonte, megjithë deshirën e tij. U largua duke na zgjidhur edhe një problem tjetër madhore; sjelljën e rrjetit të ujit pishëm në repartin tonë të helikopterëve Farkë.

Ligji i “xhunglës” në Shqiperinë tonë komuniste, kërkonte të kishte vetëm një kapo, një “unë” dhe çdokush më i fortë, me i dijeshëm, apo më guximtar, duhej të eleminohej. Fati i dijës, zotësisë dhe ndershmërisë, përbënte krim dhe krimi ndëshkohej. Shifrat fiktive në prodhim, në realizime 5-veçarësh, në jetën e “lumtur” te krijuar nga partia, në begatinë e vendit etj kishin marrë përmasa të mëdha. Të gjithë gënjenin nga lart e deri në bazë, por askush nuk i besonte dhe të gjithë i besonin se duhej besuar, se ndryshe përseri ndëshkimi ishte prezent. Në raportin që paraqet Manush Myftiu në një plenum të udhëhequr nga kreu i Partisë Enver Hoxha, flet me shifra fiktive e plot pasaktësi e gënjeshtra, në lidhje me sigurimin e bukës në vend dhe marrjën e një rendimenti të lartë në produktet e drithrave në kooperativën e Shëngjergjit të rrethit Tiranës.

Ky raportim fiktiv u kundërshtua në vend nga Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Ndue Marashi, i cili i thotë se këto shifra nuk janë të sakta dhe se kjo kooperativë nuk siguronte as gjysmën e prodhimit që flitet në raport. Manush Myftiu, nuk ishte mësuar ta kundershtonte njëri dhe me ton, i përgjigjet se: “Duhet të skuqet faqja nga gënjeshtra”, ndërsa Kryetari mbron përsonalitetin e vet, duke i thënë se: “Unë jam i ndershëm e nuk di te gënjej”. Simbas të thënave vëtem ndërhyrja e Enver Hoxhës, bëri që situata të qetësohet.

Ky ishte ai inicim në formën e një zjarri të vogël, i cili më vonë do të digjte gjithë shtëpinë dhe fill pas këtij incidenti, e kërkon urgjent në takim Enveri, i cili e përgëzon për ndershmërinë e kurajon dhe i thotë se “…vazhdo kështu, se je në rrugë të drejtë. I kemi gjetur njeriun e duhur Tiranës…”. Por duhet kuptuar, se kjo ishte taktika djallëzore e diktatorit, i cili para se të godiste, të jepte një “dozë gjumi”, taktikë që e kishte përdorë edhe me të tjerë dhe do ta përdorte deri në fund të jetës tij.

Ishte e vështirë të “hahej” malësori i jonë i ndershëm me një klan tepër dinak dhe të pabesë. Në mbrapaskenë u përgatit një buletin për përdorim të brendshëm në parti, i cili u shpërnda urgjent nëpër të gjitha organizatat e partisë se Tiranës, ku Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit Tiranë, Ndue Marashi, cilësohej si “njeri i drekave e darkave”, se “ishte si qehajaj i Tiranës, e deri imoral”, duke përgatitë terrenin për fundin e tij si drejtues, si politikan e si njeri. Vala e kësaj situate tepër të tensionuar, u pasua nga një tjetër ngjarje e randë dhe e jashtëzakonëshme, që ra direkt mbi shpatullat e Kryetarit.

Në kooperativën e Baldushkut të Tiranës, ngordhën rreth 100 lopë nga helmimi me zhivë dhe mënjiherë formulohet akuza tjetër në drejtim të Ndue Marashit, si: “përgjegjës direkt për punën e grupit armiqsorë”. Sipas hetuesit të çeshtjës së asaj kohe, Dilaver Bengasi, Manush Myftiu i jep urdhër të arrestohën deri 100 vetë, po unë, thotë ai, arrestova 8 përsona, e dy me pushkatim. Por e parë nën dritën e fakteve të sotme, kjo ishte thjeshtë një hakmarrje primitive ndaj Ndues dhe kjo ngjarje lidhet direkt me Sigurimin e Shtetit e klanëve në udhëheqje. U arrit deri atje sa të thuhej se: ‘mjelsja e lopëve, Nadire Shima, dhe punëtori i stallës, Selman Balla, ishin me biografi të keqe, e për këtë nuk ishte zhvilluar lufta e klasave nga kuadrot e deri në nomenklaturat e larta të ekzekutivit’.

Po ku e siguruan zhivën këta fshatarë të mjerë dhe për ç’grup armiqsorë bëhej fjalë?! Kush e udhëhiqte këtë organizatë armiqësore?! Me këtë rast u denuan dhe u pushkatuan disa njerëz, të quajtur në ate kohë “me biografi të keqe”, por pa as me të voglin faj dhe që ishin planifikuar të hiqeshin qafe, por kokrra ishte tjeterkund, ishte te ai njeri, që siç thoshte ish shoku i ngushtë i Ndues, Fadil Lame, se: “Ora e tij punonte në krahun e dashurisë humane”. Pas kësaj ngjarje të Baldushkut, fillon lufta e hapur e kastës udhëheqëse kundër Ndues, ku mirrnin pjesë më potentët e vendit, si Enver Hoxha, i cili shprehet se: “Duhet shikuar puna armiqësore e këtij krieatri”, si dhe Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Manush Myftiu etj.

Periudhës tepër të rënduar, të vështirë e tepër stresuese që kalonte familja Marashi, i shtohën edhe disa letra anonime të inicuar nga vetë Manush Myftiu, kundër Ndue Marashit. Kësaj nuk i mungoi edhe kërcnimi direkt që i bën Mehmet Shehu në një darkë për nder të një delegacioni të huaj, ku si portokoll, kishte vëndin e vet Kryetari i Komitetit Ekzekutiv. Mehmet Shehu troket gotat me të pranishmit dhe kur i vjen radha Ndues, i thotë gjithë kërcnim: “E kemi pak punë me ty”.

Që nga ajo ditë e deri sot, kanë kaluar plot 45 vjet, kur 42 vjeçari, njeriu i parimeve njerëzore, përsoni politiko – drejtues, që kishte hyrë kaq thellë në zemren e popullit, i mungon familjes, i mungon historisë, na mungon nè bashkëkohësve të tij e mbi të gjitha mungon e verteta e ngjarjës.

Vetvrasje apo vrasje? Kjo vazhdon të jetë dilema që shtroi për zgjidhje bashkëshortja Françeska, të bijtë, familjarët dhe gjithë opinioni dashamirës i Ndue Marashit. Pas peripecive të internimeve dhe vuajtjeve të pafund për 16 vjet, këto familjarë menduan se nderi i pjestarit të familjes tyre do të vihej në vend mbas viteve 90′, por ajo ngjarje mbeti nën hirin e harresës e diskriminimit, megjithëse kanë shkuar e ardhë disa qeveri deri tani, kjo histori e trishtueshme nuk është zbardhë akoma.

“Ne nuk kërkojmë hakmarrje’ – thoshte Franceska, – por duam të dalë e verteta”. Vetëvrasja apo vrasja po zhduket dalëngadalë në heshtjën e përjetëshme, ku e mori me vete në varr atë ditë dimri të vitit 1975, malësori, njeriu i ndershëm, shëmbulli i lartë i një kuadri, biri i Dushmanit Ndue Marashi./Memorie.al