Nga Agim Musta
Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991.
Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm.
E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia.
Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht.
Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
(1945-1991)
Demonstrata antikomuniste e Shkodrës, e 14 janarit 1990
Shkodra, si bastioni më antikomunist në Shqipëri, i pagoi haraçin më të madh diktaturës enveriane.
Me mijëra banorë të saj u arrestuan, torturuan, u burgosën dhe u vranë. Me qindra mundën të arratisen jashtë Shqipërisë. Ata që mbijetuan në mjerim dhe varfëri dhe jetuan gjithë ankth dhe frikë, grumbulluan në gjokset e tyre, urrejtje të përgjumur, për shtypësit dhe shfrytëzuesit e tyre.
Të vjetrit nga moshat, që kishin provuar mbi shpinat e tyre dhëmbët e ujqërve të kuq, mezi i zvarritnin këmbët, nëpër rrugët e ngushta të Shkodrës plakë.
Jo pak prej tyre nxirrnin dufin, duke iu treguar të rinjve, gjëmat e terrorit komunist, që kishte pësuar Shkodra gjatë 45 vjetëve.
Ata i dëgjonin me vëmendje dhe me dhembë të shtrënguara, i bënin pyetje vetes: “Kështu do jetojmë gjithmonë”?! Vitet kalonin dhe askush s’merrte guximin për t’u ngritur në këmbë, për shembjen e regjimit mizor.
Nxitja erdhi nga Timishoara trime, ku maxharë dhe rumunë, u përleshën me guxim me mercenarët e diktatorit Çaushesku në muajin dhjetor të vitit 1989.
Çifti diktatorial, Nikolla dhe Eleni Çaushesku, u ekzekutuan si qenër të tërbuar, nga një skuadër ushtarake. Gjithë Rumania shpërtheu si një vullkan eruptiv. Ato ngjarje, iu futën dridhmat dhe drejtuesve të Partisë Komuniste Shqiptare, duke i dhënë zemër rinisë shkodrane, për t’u hedhur në demonstratë.
Më 14 janar të vitit 1990, me iniciativën e nxitjen e të rinjve guximtarë si: Ded Vneshta, Viktor dhe Ler Martini, Ndoc Liqejza, Paulin Shtjefni, Pjerin Veli, Gjovalin Zefi etj., shpërtheu demonstrata antikomuniste, që tundi Shkodrën si tërmet 9 ballësh.
Një natë përpara se të shpërthente demonstrata, sigurimsat arrestuan një pjesë të nxitësve dhe i rrahën barbarisht në qelitë e Sigurimit. Kjo nuk e ndaloi demonstratën, për t’u grumbulluar me mijëra të rinj dhe të reja, përpara Institutit të Lartë Pedagogjik. Ata i bënë thirrje studentëve të bashkohen me ta. Një pjesë jo e vogël, u bashkuan, të tjerëve u pëlqeu roli i sehirxhinjve.
Demonstruesit iu drejtuan Komitetit të Partisë, duke hedhur parulla, “Poshtë diktatura”!, “Poshtë komunizmi”!,”Liri demokraci”, etj.
Një nga udhëheqësit e demonstratës, Ler Martini, pa i bërë syri tërr, hyri në Komitetin e Partisë, ku ishin mbledhur udhëheqja e rrethit, të strukur si pulat e lagura. Leri, pasi hodhi përtokë dhe e bëri thërrime bustin e diktatorit, i paralajmëroi ata, se s’do të kishin vend ku të futeshin, në qoftë se urdhëronin të bëheshin reprezalje ndaj demonstruesve.
Demonstruesit u drejtuan tek përmendorja kryesore e Enver Hoxhës, por për mënyrën e organizimit edhe kësaj radhe, dështoi rrëzimi i saj.
Të irrituar për mosarritjen e pikësynimit, një pjesë e tyre thyen xhamat e vitrinave të dyqaneve në rrugën kryesore të qytetit, duke u dhënë shans grabitësve, të plaçkitnin, çfarë të mundnin.
Me gjithë epilogun jo të dëshiruar të demonstratës të 14 janarit 1990, ajo do të mbetet si një ngjarje e jashtëzakonshme, jo vetëm për qytetin e Shkodrës, por për gjithë Shqipërinë.
Diktatura komuniste 45-vjeçare, po shkërmoqej. Shqiptarët të rraskapitur dhe të çoroditur, po fitonin lirinë e shumëpritur.
Lëvizja antikomuniste e Kavajës
Kavaja, një qytet në qendër të Shqipërisë, gëzonte një nam të mirë për mirëqenie dhe për bujarinë e banorëve të saj. Gjeli i detit, shalqiri dhe kosi i Kavajës, ishin kthyer në simbole në gjithë Shqipërinë.
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se; kavajasit ishin njerëz apolitikë dhe më pak të prekur nga terrori komunist. Vetë qyteti i Kavajës, ishte kthyer në një geto për qindra familje nga e gjithë Shqipëria, të dëbuar nga qytetet kryesore nga regjimi komunist.
Nuk kam dëgjuar asnjë nga pjesëtarët e këtyre familjeve, që të mos flasin me respekt për kavajasit. Nga fundi i viteve 1980, laku ekonomik po shtrëngohej çdo ditë e më tepër në fytet e kavajasve.
Një varfëri ekstreme, kishte pushtuar Kavajën. Të flisje për mishin, ishte e barabartë sikur të flisje për politikë.
E vetmja rrugë për të mbijetuar, ishte vjedhja. Vidhej nëpër ndërmarrje shtetërore, vidhej në kooperativat e fshatrave, vidhej nëpër dyqane, vidhej kudo.
Burgjet për krime ordinere, ishin plot me kavajas. Njerëzit i mbanin sytë dhe veshët te RAI Uno dhe te “Zëri i Amerikës”.
Ata prisnin me ankth, se çdo të ndodhte. Më 1 janar të vitit 1989, në Kavajë qarkulloi trakti i parë anti-komunist.
Trakti ishte nënshkruar nga “Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Popullit Shqiptar”. Po në muajin janar të vitit 1989, u ngjitën fletushka antikomuniste, në katundin Synej dhe u gris me thikë portreti i Enver Hoxhës, në Stacionin e Makinave-Traktorëve (SMT). Ngjarjet e Rumanisë, i dhanë zjarr edhe barutit të lagur të Kavajës.
Të parët që u angazhuan në lëvizjen antikomuniste, ishin të rinjtë. Në mes të natës të 29 janarit të vitit 1990, të rinjtë guximtar, Gëzim Çelhysa dhe Çezar Petja, hynë në gjimnazin e qytetit dhe mbushën muret e klasave, me parulla antikomuniste.
Alarmi qeveritar, ishte i jashtëzakonshëm, por shkruesit e parullave nuk u zbuluan.
Të rinjtë e Kavajës, vendosën që më 25 mars të atij viti, kur në stadiumin e qytetit, do të luhej ndeshja e futbollit “Besa”-“Partizani”, në minutën e 80-të, në stadium do të hidheshin parulla antikomuniste dhe do të fillonte demonstrata.
Natën e 24 marsit, u shpërnda trakti me thirrjen: “Mjaft kemi jetuar si lepuj. Le t’i lajmë me gjakun tonë shkallët e stadiumit, që të bëhemi simbol i lirisë për brezat që do të vijnë”! Organet qeveritare që u njohën me traktin po atë natë, morën masa të jashtëzakonshme në stadium dhe demonstrata dështoi.
Dy të rinj: Safet Beçerri dhe Ilir Rrugëja, që hodhën parullat antikomuniste në stadium, u arrestuan.
Më 26 mars, u arrestuan Selaudin Cara dhe Ago Dalipi, si organizator për demonstratën e dështuar.
Kur lajmi u hap nëpër qytet për arrestimin e dy të rinjve, një turmë prej 200-300 veta, u mblodhën para rajonit të policisë, duke hedhur parullat:
“Lironi shokët tanë! Poshtë Diktatura”, dhe duke qëlluar me gurë thyen xhamat e rajonit të policisë e dëmtuan rëndë portretin e Enver Hoxhës, të vendosur në hyrjen e godinës.
Pastaj demonstruesit vazhduan rrugën për në qendër të qytetit, duke kënduar këngën: “Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu”. Demonstrata u shpërnda qetësisht, pa ndërhyrjen e policisë.
Autoritetet vendore dhe qendrore, të frikësuar nga demonstrata, dërguan urgjentisht në Kavajë, anëtarin e Byrosë Politike, Muho Asllanin, prokurorin e përgjithshëm, Rrapi Minon, zv/ministrin e Brendshëm, Zylyftar Ramizin etj.
Ata gjithë natën diskutuan se si mund të mbanin gjendjen nën kontroll. Diktatura e kapur nga paniku, kishte ulur veshët.
U vendos që të mos bëheshin arrestime masive, por organizatorët e demonstratës, të arrestoheshin një nga një, pa bujë, në fshehtësi.
Krahas kërbaçit, të përdorej dhe “kulaçi” (duke bërë disa përmirësime në jetën ekonomike).
Kjo bëri që gjendja deri diku të qetësohej deri në datën 4 korrik të atij viti, kur shpërtheu demonstrata e dytë masive me pjesëmarrjen e mbi 3000 personave.
Demonstrata filloi fill në orën 23.00, pas mbarimit të ndeshjes të Kampionatit Botëror, Angli-Gjermani. Demonstruesit mbushën rrugët e qytetit, duke hedhur parulla “Liri demokraci”. “Gjermania është e jona”! “Poshtë Nexhmije Hoxha”! etj. Forca të shumta policore nga Tirana dhe Durrësi, iu vërsulën Kavajës.
Me 10 korrik ata filluan të rrihnin pa asnjë shkak, të gjithë të rinjtë që endeshin nëpër rrugë për të futur panik në popull. Afër kishës së Shënkollit, disa të rinj kavajas që u sulmuan nga sampistët, i quajtën ata “kopilët e Nexhmie Hoxhës”.
Kaq u desh dhe një nga sampistat, qëlloi me revolver të riun Josif Buda, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Vrasia e Josif Budës, ishte hakmarrja e diktaturës ndaj Kavajës. Kjo vrasje u bë shkak që gjithë Kavaja, u ngrit në këmbë si një trup i vetëm.
Në ceremoninë mortore morën pjesë mbi 20 mijë veta. Në qendër të qytetit, u hodhën parullat: “Poshtë qeveria”, “Enver-Hitler”, “Hakmarrje-hakmarrje”. U thyen xhamat e Komitetit të Partisë dhe të dyqaneve kryesore.
Natën, një repart tankist u vendos në kryqëzimet kryesore të Kavajës. Për herë të parë diktatura po përdorte tanket për të mbrojtur rendin.
Por, edhe tanket nuk e shpëtuan dot nga përmbysja regjimin e urryer komunist. Kavaja si gjithë Shqipëria, fitoi lirinë, një pjesë e madhe e popullsisë së saj, emigroi drejt Italisë për një jetë më të begatshme.
Kufiri shtetëror i Shqipërisë komuniste, varri i qindra shqiptarëve të pafajshëm
Para Luftës së Dytë Botërore, kufiri shtetëror i Shqipërisë, ishte i hapur, i qetë dhe pa probleme. Me përjashtim të ndonjë kontrabande të vogël, askush nuk tentonte për ta kaluar atë ilegalisht.
Qeveritë e atëhershme ballkanike, i kishin krijuar të gjitha lehtësirat qytetarëve të tyre, për të shkuar në çdo vend të botës.
Pas Luftës se Dytë Botërore, në Ballkan u vendosën sisteme të ndryshme shoqërore. Në Greqi u rivendos sistemi kapitalist, ndërsa në Shqipëri dhe në Jugosllavi pushteti u muar nga partitë komuniste.
Qeveria komuniste shqiptare, e ktheu kufirin tokësor shqiptaro-grek, 150 km. gjatësi, në një zonë të nxehtë, të ndaluar dhe të rrezikshme.
Gjatë viteve 1945-1950, kufiri shqiptaro-grek, kalohej vetëm nga EAM-istët grekë dhe forcat e Sigurimit Shqiptar që luftonin përkrah tyre.
Në shumë lugina, si në atë të Devollit, të Vjosës, të Drinosit dhe të Konispolit, kufiri u minua, si masë paraprake për të penguar kalimin e tij. Minimi u krye nga shqiptarë.
Në kufi, u dislokuan trupa të shumta të shtetit komunist shqiptar, të cilët ndërtuan edhe fortifikime ushtarake.
Të shumtë kanë qenë ata qytetarë shqiptare, që në tentativë për të kaluar kufirin shqiptaro-grek, janë vrarë ose janë kapur nga rojet shqiptare të kufirit.
Në këtë periudhë dhe në vitet e mëvonshme, janë përzënë me dhunë disa qindra familje qytetare shqiptare që jetonin në afërsi të kufirit, bile dhe katunde të gjitha, si fshati Perdhikari, në rrethin e Sarandës.
Ata u vendosën me përdhunë në Shqipërinë e Mesme, pa ju dhënë asnjë dëmshpërblim për shpërnguljen dhe dëmet e pësuara.
Në vitin 1950, kufiri shqiptaro-grek, u përforcua jo vetëm me trupa të reja, por edhe u rrethua me gardhe dhe tela me gjemba mbi 4 metra të lartë.
Vetëm zogjtë mund ta kalonin kufirin pa u rrezikuar. Me qindra qytetarë kanë humbur jetën dhe janë vrarë nga forcat e kufirit.
Me qindra të tjerë janë kapur dhe janë torturuar nga kafshimet e qenve të kufirit, duke përfunduar pastaj në burgjet dhe në kampet me punë të detyruar.
Kufiri shqiptaro-jugosllav, deri në qershorin e vitit 1948, kur Jugosllavia e Marshallit Tito, u shpall nga informbyroja “Kali i Trojës”, në bllokun Komunist ishte i hapët dhe mund të kalohej pa probleme.
Pas qershorit të vitit 1948, edhe në kufirin shqiptaro-jugosllav, me gjatësi 250 km., u morën po ato masa për forcimin që ishte marrë në kufirin greko-shqiptar.
Në tentativë për arratisje në Jugosllavi, gjatë periudhës 1949-1990, janë vrarë mbi 600 veta.
Nga këta, mbi 60 persona kanë gjetur vdekjen gjatë kalimit të lumit Buna dhe liqenit të Shkodrës. Përveç këtyre, disa mijëra të tjerë janë kapur dhe janë dënuar me burgime të rënda dhe konfiskime pasurish.
Nga terreni i thyer malor në kufirin shqiptaro-jugosllav, ka pasur disa qindra të vdekur nga rrëzimet nëpër humnera dhe ngrirja nga të ftohtit.
Mjafton të përmendim vdekjen e 21 grave dhe fëmijëve të ngrirë nga të ftohtit në malet e Tropojës, në vitin 1951. Kufiri shtetëror i Shqipërisë komuniste, për gjysëm shekulli qe kthyer në simbol lirie, ose vdekjeje.
Kush e kalonte atë, fitonte lirinë. Kush vritej, kufoma i digjej me një kovë naftë, pa iu hapur varr. Kush kapej, e prisnin torturat dhe kalvari i stërzgjatur i burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar.
Edhe në grahmat të fundit të rezistencës së tij, regjimi komunist me urdhër të “Jagos”, Ramiz Alia, nxori në vitin 1990, një dekret, ku tentativa për kalimin e kufirit, nuk dënohej me vdekje, por me 5 vjet burgim.
Ky dekret, ishte një dredhi për të futur në grackën e vdekjes, disa qindra bij dhe bija të Shqipërisë. Të gënjyer nga ky dekret cinik, në vitin 1990, u nisën drejt kufirit shumë të rinj dhe të reja, me shpresë se do fitonin lirinë dhe do të gjenin mirëqenien.
Udhëheqja e shtetit komunist, krahas dekretit të gushtit të vitit 1990, jepte urdhra verbale, reparteve të kufirit, për të ekzekutuar në vend, pa u gjykuar, të gjithë ata që kapeshin në tentative për kalimin e kufirit.
Jo vetëm që vriteshin, por kufomat e tyre tërhiqeshin nga traktorët me kavo çeliku, në fshatrat kufitare, për të tmerruar banorët dhe të afërmit e tyre.
Gjatë një periudhe 8-mujore, janë ekzekutuar në brezin kufitar mbi 100 të rinj dhe të reja.
Kurrë nuk do të duhet me saktësi, sa shqiptarë janë vrarë në kufi, sa të tjerë janë ekzekutuar pa u gjykuar, sa kanë humbur jetën duke rënë në humnera afër kufirit, sa kanë ngrirë maleve me borë të rraskapitur nga lodhja?!
Askush nuk është dënuar për këto krime, askush nuk ka kërkuar falje dhe asnjë qeveri nuk ka marrë mundimin, për t’i nxjerrë në dritën e diellit.
Vdekja e Diktatorit dhe rrëzimi i monumentit
Enver Hoxha në vitin 1973 u godit nga hemorragjia e parë në tru. Diktatori, ka pasur gjithmonë probleme shëndetësore tepër serioze, që mbaheshin sekret, jo vetëm ndaj publikut, por edhe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste.
Shoku dhe mjeku i tij personal, Fejzi Hoxha, ka deklaruar se; qysh në vitin 1946, Enveri ka vuajtur nga sëmundja e diabetit.
Gjatë viteve 1960-1985, diktatorin e kanë vizituar një numër i madh mjekësh me famë botërore si: Amalia Fleming, profesori japonez Tokusuko etj. Ish-ministri i shëndetësisë, Llambi Zeçishti, i ekzekutuar në vitin 1982, ka deklaruar se në vitin 1979, Enver Hoxhës, iu bë një operacion në dorën e djathtë, në vilen e tij, nga dy kirurgë francezë, pa e marrë vesh edhe vetë Llambi, që në atë kohe, ishte ministër i Shëndetësisë dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë.
Me gjithë masat e jashtëzakonshme për ruajtjen e konspiracionit për gjendjen shëndetësore të Diktatorit, vesh me vesh, pëshpëritej, se Enver Hoxha kishte marrë fund biologjikisht dhe vdekja e tij ishte e shpejtë.
Vetëm një profesor anglez, i cili e vizitoi Enver Hoxhën, nga fundi i viteve ‘70-të, i deklaroi mjekut që e shoqëronte, Servet Shametit, se diktatori nuk do të kishte vdekje të shpejtë, por gjendja e tij nervore, do të vinte duke u rënduar dhe mjerë ata që do të ishin pranë tij.
Koha e vërtetoi plotësisht, diagnostikimin e saktë të profesorit anglez. Me të gjitha përpjekjet e jashtëzakonshme që bënte klani Nexhmije-Ramiz, për mbajtjen gjallë të diktatorit, atij i erdhi vdekja më 11 prill të vitit 1985.
Ka zëra, që thonë që diktatori ka vdekur më 7 prill, por njoftimin zyrtar, u bë më 11 prill, pasi përfunduan akordet në klanin Nexhmije – Ramiz.
Diktatori vdiq, po kulti i tij edhe pas vdekjes, në vend që të venitej, mori përmasa të frikshme.
Një monument gjigant u ngrit në “Sheshin Skënderbe” në Tiranë dhe një piramidë madhështore e këtij faraoni të shekullit të XX-të, u ndërtua (me shuma kolosale), në qendër të Tiranës.
Mbi 1 milion shqiptarë, u sollën në Tiranë, si kopera bagëtish, me lot në sy dhe faqet e gërvishtura, për t’i bërë homazh diktatorit, që i kishte shndërruar në skllevër.
Shqiptarët, megjithëse të fundit në përmbysjen e diktaturës komuniste në Evropën Lindore, shpërthyen si vullkan, mbas ngjarjeve të Rumanisë, në fund të vitit 1989.
Më 20 shkurt të vitit 1991, mbi 200 mijë veta, jo vetëm nga Tirana por dhe nga rrethet përqark, u mblodhën në “Sheshin Skënderbej” për të përmbysur monumentin e Enver Hoxhës, që për 45 vjet, i kishte poshtëruar dhe varfëruar shqiptarët, si asnjë popull e, frikësuar gjer në palcë, kishte urdhëruar, që në shesh të vendoseshin disa qindra forca speciale, të armatosura deri në dhëmbë, për të penguar rrëzimin e monumentit.
Mbi shesh, dy helikopterë ushtarakë, fluturonin kërcënueshëm mbi turmën, që kish filluar përleshjen me mercenarët e kuq.
Nuk mungonin as makinat zjarrfikëse, që me ujë të ngjyrosur, lagnin turmat e revoltuara. Monumenti, ngjante si një kështjellë e antikitetit egjiptian, që sulmohej nga katër pikat e horizontit dhe mbrohej me fanatizëm nga garda besnike e Faraonit.
Sulmet dhe kundërsulmet, vazhduan për më shumë se 2 orë. Në orën 14.00, në qafën e diktatorit u hodh një lak prej çeliku, që u tërhoq me vrull nga një kamion “Skoda”.
Monumenti u shkul nga bazamenti dhe u rrëzua në shkallët e piedestalit, me një zhurmë shurdhuese. Hareja e masës 200 mijëshe ,ishte e papërshkrueshme.
Jehona e kësaj zhurme, u dëgjua deri në rrëzën e Malit të Dajtit. Monumenti i diktatorit, u tërhoq zvarrë, për t’ua çuar si “dhuratë”, studentëve grevistë.
Me dhjetëra të rinj urinonin mbi të, për t’u “hakmarrë”, për poshtërsirat që ai kishte bërë ndaj popullit shqiptar, të shumë vuajtur.
Kur errësira ra në rrugët e Tiranës, forcat e Sigurimit, rrëmbyen mbi 15 të rinj, shumica e tyre të ardhur nga rrethet dhe i zhdukën pa lënë gjurmë në Malin me Gropa, në Qarkun e Tiranës.
Kufomat e tyre pasi u ekzekutuan, u hodhën në humnera të pashkelura nga këmba e njeriut. Pas 7 vjetësh nga rrëzimi i monumentit e veja e Diktatorit, Nexhmije Hoxha (Xhuglini), i deklaroi një gazetari holandez, se dita më e dhimbshme në jetën e saj, ka qenë dita kur u rrëzua monumenti dhe jo dita e vdekjes së vërtetë të Enver Hoxhës. /Memorie.al
ObserverKult
—————————-
Lexo edhe:
E DHIMBSHME: JA ÇKA JU BËRI ENVER HOXHA PRONARËVE TË SHTËPIVE KU U VENDOS
Sapo erdhi në pushtet, Enver Hoxha u vendos në hotel “Dajti” në Tiranë. Pak ditë më vonë i pëlqeu një shtëpi e ndërtuar në vitin 1942 nga një italiane, Velleda Lucia Costa. E në shtëpinë tjetër ngjitur me të (nga lindja) që i takonte pronarit Qemal Biçakçiu, u vendos Koçi Xoxe.
Shtëpia ku u vendos diktatori ishte në ish-truallin e ish-deputetit Hamit Myftiu nga Berati. Këtë truall, më 9.1.1940, Myftiu ia dha me qira për 99 vjet sipërmarrësit italian Vittorio Ercole Belloti.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult