Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991.
Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm.
E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha. Kjo për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia.
Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Portrete bashkëvuajtësish-
(1945-1991)
Musine Kokalari, kjo “Bubulinë” e shekullit të njëzetë, e fillon veprimtarinë politike qysh në bankat e shkollës së mesme Femërore të Tiranës, nga fundi i viteve tridhjetë.
E lindur në një familje intelektualësh, më 1917, me prindër dhe vëllezër juristë, me mendime nga më të moderuarat për kohën, ajo brumoset qysh në fëmijëri me ide përparimtare, me dashuri të pakufishme për trojet shqiptare dhe me urrejtje për regjimet totalitare.
Duke qenë një njohëse e thellë e tabanit kombëtar dhe e kulturës botërore, ajo përqafon idealin social-demokrat, si të vetmen rrugë për përparimin e vendit tonë.
Mbaron shkëlqyeshëm universitetin e Romës dhe kundërshton postin e dhënë në fakultetin e Letrave të këtij universiteti, vetëm për t’u ndodhur midis popullit të saj, në ato kohëra të vështira.
Pushtimi fashist i 7 prillit e hidhëroi thellë Musinenë, por ajo është e bindur se diktaturat kanë jetë të shkurtër, se boshti fashist Romë-Tokio-Berlin, do ta humbasë luftën grabitqare, se Shqipëria do të çlirohet nga zgjedha fashiste, se liria dhe drejtësia do të triumfojnë.
Gjatë viteve 1940-’43, Musineja zhvillon një veprimtari politike të ethshme me intelektualë me botëkuptim pro demokracive perëndimore, që ishin përkrahëse të rregullta të së parës mesagjeri shtypi në Shqipëri, që ajo e drejtonte me aq sukses.
Ajo diskutonte me patos gjendjen kritike në vend, ngjarjet në frontet e luftës dhe nxirrte konkluzionet për detyrat imperative të inteligjencës shqiptare në situatat e krijuara.
Ajo ndiqte me mosbesim veprimtarinë e dyshimtë të Partisë Komuniste Shqiptare, duke zbuluar rolin negativ të emisarëve me pushtuesit e huaj dhe i paralajmëronte ata për fundin e turpshëm.
Mbas dështimit të Konferencës së Mukjes, gusht 1943 dhe kapitullimit të Italisë me 8 shtator të po atij viti, Musineja iu vu punës për krijimin e menjëhershëm të Partisë Social-Demokrate Shqiptare, si një grupim politik ndërmjet partive të djathta të Ballit, Legalitetit dhe Partisë Komuniste.
Ajo së bashku me juristin Skënder Muço, profesorin Isuf Luzi, juristin Abaz Omari e të tjerë, formuan Partinë Social-Demokrate Shqiptare dhe botuan në ilegalitet 6 numra të gazetës “Zëri i Lirisë”, organ i PSD-së.
Ndërkohë Musineja zhvilloi takime të shumta me intelektualë të pavarur, me udhëheqës të partive politike, për të krijuar një front nacionalçlirimtar pluralist, gjë që u hodh poshtë nga Partia Komuniste Shqiptare, e drejtuar nga sllavofilë.
Pikërisht për këtë veprimtari politike, Musineja vihet në shënjestër jo vetëm nga Gestapoja gjermane, por dhe nga udhëheqja komuniste, e posaçërisht nga Enver Hoxha, i cili e njihte mirë karakterin dhe forcën intelektuale të saj, mbasi me të lartpërmendurën, binte dhe farefis.
Më 1944, Skënder Muçoja, mbas këshillimeve me Musinenë, organizon në Dukat të Vlorës, forcën e armatosur të PSD-së, pranë së cilës u ngarkua dhe një mision ushtarak amerikan, që mbante lidhje të vazhdueshme me komandën aleate të Mesdheut.
Dukati u përgatit si bazë për zbarkimin e mundshëm të ushtrive komuniste shqiptare, e cila urdhëroi asgjësimin e menjëhershëm të këtij grumbullimi forcash, për të zhdukur çdo përkrahje të aleatëve perëndimore.
Këto veprime të socialdemokracisë shqiptare, alarmojnë dhe Gestapon gjermane, e cila, me tradhti arreston në fund të gushtit 1944 Skënder Muçon, së bashku me profesor Ismail Yzeirin dhe Sako Mezinin, të cilët i pushkatuan po atë ditë, në katundin Kallm të Lushnjës, me urdhër të gjeneral Fistum-it.
Kjo qe një humbje e madhe për socialdemokracinë shqiptare dhe i shkaktoi një tronditje të thellë Musinesë, e cila përkohësisht, në rrethet e krijuara, ndërpreu veprimtarinë e sajë.
Më 12 nëntor 1944, kur ende zhvilloheshin luftime në rrugët e Tiranës, Musineja arrestohet së bashku me dy vëllezërit e saj, Vesimim dhe Muntaz Kokalarin, nga një komandë partizane, me urdhër sekret të Enver Hoxhës dhe mbahet dy javë në arrest në një bazë të kthyer në burg.
Kurse vëllezërit e saj dhe kushëriri, Syrja Kokalari, vriten barbarisht në bimsat e Hotel “Bristolit”, që ndodhej në qendër të Tiranës, bashkë me 9 të pafajshëm të tjerë.
Sigurisht vrasja mizore e vëllezërve të saj të pafajshëm qe një tjetër goditje e rëndë për Musinenë e brishtë, por kjo ia shtoi më tepër urrejtjen dhe veprimtarinë kundër murtajës së kuqe, që kishte shtrirë kthetrat e vdekjes në mbarë vendin tonë.
Megjithëse nën mbikëqyrjen dhe e ndjekur këmba – këmbës nga agjentët e Sigurimit, me guximin dhe zgjuarsinë që e karakterizonte, arrin të krijojë lidhje të reja politike, me ish-të njohurit e saj, që i kishin shpëtuar terrorit komunist.
E në mars të vitit 1945, formon një grupim politik, ku midis të tjerëve, bënin pjesë profesor Gjergj Kokoshi dhe juristi Suad Asllani.
Në verën e 1945-ës, hyn në lidhje me dy grupe të kryesuara nga Sami Qeribashi dhe Qenan Dibra, harton memorandumin, që u dërgohet në emër të këtyre grupeve misioneve ushtarake aleate të akredituara në Tiranë dhe më 6 nëntor 1945, me përpjekjet e saj titanike, në shtëpinë e Ali Kavajës, në lagjen ku 5 vjet më parë ishte formuar Partia Komuniste Shqiptare, formohet i pari grupim opozitar antikomunist “Bashkimi Demokratik”.
Në mbledhjen e 6 nëntorit, u miratua njëzëri nga të gjithë të pranishmit përmbajtja e memorandumit, 2 dhjetorit 1945, për Asamblenë Kombëtare, mbasi këto zgjedhje, do të manipuloheshin nga PKSH-ja dhe do të shkelej çdo parim demokratik.
Fatkeqësisht qeveritë aleate heshtën dhe zëri i opozitarëve të regjimit komunist në Shqipëri, trokiti në derë të shurdhët.
Personalisht Musineja, duke përbuzur rrezikun që i qëndronte mbi krye si shpata e Demokleut, takohet me kolonelin anglez Palmer, duke i bërë një ekspoze verbale të gjendjes në vend, të zgjedhjeve dhe kërkesat e opozitës klandestine, po përsëri heshtje dhe sakrifikim i opozitarëve shqiptarë, për hir të konjukturave politike të kohës.
Shqipëria lihet nën ombrellën e Beogradit dhe rrezikon të humbasë pavarësinë, duke u shndërruar në një republikë të shtatë të Jugosllavisë Federative. Në janar të 1946-ës, Musineja arrestohet, duke filluar kështu kalvarin e torturave dhe të mundimeve dyzetvjeçare.
Duron me stoicizëm të gjitha torturat dhe fyerjet e hetuesve injorantë e xhelatë, del para gjyqit ushtarak të kryesuar nga Frederik Nosi dhe prokuror Nevzat Haznedarin, duke mbajtur një qëndrim plot dinjitet dhe duke mos mohuar aspak pikëpamjet e saj politike.
Me replikat e saj të spikatura dhe plot argumenta, Musineja i vë akuzuesit në shtyllën e turpit.
Dënohet më 2 korrik të 1946-ës me 20 vjet burgim, si “sabotatore dhe armike e betuar e pushtetit popullor”.
Njohu të gjitha burgjet e diktaturës komuniste, duke përfshirë dhe burgun-ferr të Burrelit.
Gjatë gjithë viteve të vuajtjes së dënimit, Musinesë iu bënë presione nga më djallëzoret, me porosi të vetë diktatorit, i cili kërkonte me këmbëngulje, që ajo të thyhej moralisht dhe i kërkohej të thoshte vetëm dy fjalë: Kërkoj falje, duke premtuar lirinë e menjëhershme dhe një pension të mjaftueshëm.
Ajo s’pati asnjë tundim dhe emisarët e dërguar nga Enver Hoxha, për këtë qëllim, ktheheshin duarbosh dhe kokulur, duke marrë me vete kundërshtimin kategorik të Musinesë. Inkuizitori i madh, nuk mundi ta përkulte Zhan D’Arkë-n shqiptare.
Ajo u bë një simbol i disidencës shqiptare dhe udhëheqëse shpirtërore e grave komuniste.
Shumë ish-të dënuara politikë, si; Drita Kosturi, Rita Koka, Nurije Koçuli, Qefsere Begeja, Hava Golemi, Marije Medicina, Jolanda Tafmizi, Lavdije Petrela, e të tjera, flasin me veneracion për qëndrimin dinjitoz të Musinesë, ndaj veglave të diktaturës, për këshillat e saj për të qëndruar me moral të lartë dhe për idetë që i ngulte në shpirtrat e mendjet e tyre për fitoren e lirisë dhe shkatërrimin e diktaturës.
Lirohet nga burgu në tetor të vitit 1961 dhe internohet përjetësisht në Rrëshen të Mirditës.
Punon në bujqësi dhe në ndërtim si punëtore llaçi, me çizme llastiku gjer në gju. Dimër e verë. Përgjohet ditë e natë nga agjentët e Sigurimit dhe nuk lejohet të largohet as 100 metra nga vendi i internimit, pa lejen e Degës se Punëve të Brendshme.
Shikohet me admirim dhe frikë nga banorët e Mirditës, por askush nuk guxon t’i afrohet dhe t’i thotë një fjalë.
E rraskapitur nga vuajtjet e pafund dhe e dërrmuar nga punët e rënda, Musineja sëmurët nga kanceri dhe vdes e vetmuar në vendin e internimit, më 14 gusht 1983, pa pasur pranë asnjë dorë njeriu që t’i mbyllte sytë.
Shoqërohet në banesën e fundit nga dy varrmihës të Komunales dhe nga operativi i Sigurimit, që do të hartonte raportin e fundit për këtë heroinë.
Figura e saj, sa poliedrike, aq dhe tragjike, është një shëmbëlltyre unike jo vetëm për vendin tonë, por për gjithë vendet e Evropës Lindore, që lënguan për gjysmë shekulli nën terrorin komunist.
Ajo u mor me politikë, jo si një karrieriste e etur për pushtet, po për të mbrojtur interesat kombëtare në çaste dramatike për vendin tonë dhe për të shpëtuar kombin nga tragjedia që i përgatitën armiqtë e Shqipërisë, sllavët, shovinistë, të sheqerosur me ideologjinë komuniste.
Është imperativ i kohës që arti dhe letërsia shqiptare, t’ua prezantojë brezave të rinj me objektivitet dhe realizëm figura të ndritura si Musine Kokalari, të lëna në harresë dhe të denigruara nga regjimi komunist. I përjetshëm qoftë kujtimi i saj!
Një jetë në vuajtje Vera Dema
Me Vera Demën u njoha më 1992, në Shoqatën e ish-të Burgosurve dhe të Internuarëve Politikë. Kalvari i saj kishte filluar qysh në nëntorin e vitit 1944.
Ishte 13 vjeçe kur i morën shtëpinë dhe e nxorën me forcë në mes të rrugës. Edhe pse ka kaluar më tepër se gjysmë shekulli, ajo s’e harron kurrë atë ditë të zezë. Ja ç’kujtonte ajo me trishtim: “Ajo ditë ishte fillimi i kalvarit tim, një kalvar, që do të mbaronte pas gjysmë shekulli.Pesëdhjetë vjet vuajtje dhe mjerime. Askush s’e beson një gjë të tillë”.
Në listën e parë të internimit, që u hartua nga Ministria e Punëve të Brendshme, në shkurt të vitit 1945, emri i Verës kishte numrin rendor 12. Me gjithë familje, e internuan në Berat.
E larguan nga shkolla dhe e detyruan t’u përvishej punëve të rënda fizike. Shpesh herë policët që i shoqëronin i dënonin fizikisht.
Vëllanë e saj, Aliun 10-vjeçar, e qëlluan me grusht në vesh dhe e shurdhuan për gjithë jetën. E i ndiqnin këmba-këmbës dhe e provokonin orë e çast.
Pa mbushur 15 vjet, e arrestuan. E torturuan tetë muaj, në qelitë e Sigurimit. I kërkuan të pohonte se kishte lidhje me të arratisurit, brenda e jashtë vendit. Detyrën e xhelatit, e kishte marrë përsipër vetë shefi i Sigurimit, Strati Papa.
Për ta dënuar penalisht, i ngritën moshën me një proces-verbal të rremë. Vuajti dy vjet në burgun e Beratit.
Me të mbaruar dënimin, e dërguan në kampin e internimit, në Tepelenë. Kampi ishte vendosur buzë lumit Vjosë, në qendrën e “shtabit të erërave” të çmendura të Tepelenës.
Ishte një kamp për pleq, gra dhe fëmije. Aty kishin grumbulluar 2500 fatkeq, të strehuar në pesë kazerma gjysmë të rrënuara.
Ishin tërësisht nga Shqipëria e Veriut. Ato vuanin për “fajin” e burrave të tyre, të arratisur në male, ose jashtë Shqipërisë.
I ushqenin me bollgur dhe grosh plot miza e krimba. Bukën ua gatuanin me miell elbi, të mbetur qysh nga koha e pushtimit italian.
Më 1950 në kamp ra një sëmundje, që brenda një muaji mori 300 jetë njerëzish. Në varreza s’kishte më vend. Njerëzit filluan t’i varrosnin në zallishten buzë Vjosës.
“Gratë dhe vajzat, – thotë Vera – i dërgonin çdo ditë në grykën e Mezhgoranit, për të sjellë dru në kamp. Katër orë rrugë, me një barrë të rëndë në kurriz. Nga lodhja dhe stërmundimi, shumë gra dhe vajza ishin rrëzuar në humnerat buzë Vjosës.
Në vjeshtë dhe në dimër, ktheheshin në kamp të lagura gjer në sqetulla dhe të ngrira nga të ftohtit.
Nxirrnin teshat dhe i vendosnin mbi batanije për t’i tharë. Policët e kampit, me komandantin, Xhafer Pogaçen, na i hiqnin batanijet, për të na parë trupat tona lakuriq.
Ato që protestonin, i lidhnin me pranga në shtyllat para kampit dhe i linin në mes të shiut e të ftohtit me orë të tëra. Kishte edhe raste, kur në qafat e tyre u varnin kova me fekale.
Asnjë ndihmë mjekësore, dhe askush s’guxonte të ngrinte zërin, për këtë kamp shfarosës”!
Në fund të vitit 1954, dyqind të internuar i hoqën nga kampi i Tepelenës dhe i dërguan në kalanë e Porto-Palermos, në bregdetin e Himarës. Midis tyre ishte edhe Vera. Për këtë kamp ajo tregon:
“Na vendosën në bodrumet e errëta dhe plot lagështi të kështjellës. Edhe ditën nuk mund të shikoje pa ndihmën e dritës së pishave.
U kthyem në njerëz parahistorikë. Për të shuar urinë, hanim lëndë lisi. Dyzet të internuar rrezikuan të vdisnin. Shpëtimi i tyre ishte një mrekulli.
Në verë na jepnin vetëm një gavetë me ujë në ditë, për të shuar etjen. Banorët e katundit Qeparo, na shikonin me dhimbje. Ata mundoheshin të na ndihmonin, kur ishin larg syve të rojeve.
Nga një shi i madh, që ra gjatë një nate dimri, për pak u mbytëm të gjithë. Niveli i ujit arriti një metër lartësi, në bodrumet ku banonim. Një Zot e di si shpëtuam atë natë”!
Të internuarit e Porto-Palermos i mbanin sytë nga deti. Ata prisnin më kot shpëtimin e tyre nga dikush, që do të vinte t’i nxirrte nga ajo skëterrë.
Një mbrëmje, rojet bregdetare, diktuan periskopin e një nëndetëseje, që lundronte pranë bregut. U dha alarmi. Telefonat s’pushuan së rëni.
Me urdhër të posaçëm të ministrit të Brendshëm, të 200 të internuarit i hoqën brenda natës. I dërguan përsëri, në kampin shfarosës të Tepelenës.
Më vonë, për arsye sigurimi, kampi i Tepelenës u shpërnda. Të internuarit i dërguan në Myzeqe, ku ishin ndërtuar me dhjetëra kampe internimi. “Mua më dërguan në kampin e Savrës, – thotë Vera.
Na caktuan për banim, disa baraka, ku ç’binte jashtë, pikonte brenda. Punonim nëpër kanale plot me ujë dhe me ushunjëza, të cilat na thithnin edhe atë pak gjak, që na kishte mbetur. Natën mushkonjat na linin pa gjumë.
Na paguanin me 1/5 e pagesës që merrin punëtorët e lirë, sikur të mos mjaftonin gjithë këto të këqija, papritur na mbiu edhe miu i kuq. Ishte një mi, që të ngjallte pështirë kur e shikoje. Nuk linte gjë pa kafshuar. U infektuan shumë të internuar. Disa prej tyre vdiqën, pa asnjë diagnostikim.
Askush nga pushtetarët nuk e çau kokën. Ata zgërdhiheshin, kur dëgjonin se shumë të internuar, ishin infektuar nga miu i kuq.
Në Savër u martova. Më 1964, më hoqën nga Savra bashkë me tim shoq dhe na internuan në katundin Ndroq.
Këtu na lanë gjer në vitin 1975 dhe pastaj na internuan përsëri në Myzeqe, në kampin famëkeq të Grabianit, kësaj radhe, përveç burrit, kisha me vete edhe djalin tim 6-vjeçar, Engjëllin.
Më caktuan të punoja në pastrimin e stallave të derrave. Edhe për të banuar, banonin po atje, nëpër stalla, të ndara në kthina. Kafshët i trajtonin shumë më mirë se ne.
Na mbanin nën një terror të vazhdueshëm psikologjik. Frika e arrestimit, na qëndronte mbi kokë. Ishim të diskriminuar kudo: në punë, në pagesë, nga shitësit e dyqaneve, nga kujdesi shëndetësor, nëpër shkolla e kudo ku shkelte këmba jonë”.
Grabiani dhe të gjitha kampet e internimit, ishin kampe të shfarosjes së ngadalshme. Ato njëkohësisht, ishin rezervate për furnizimin e kampeve – burgje me punë të detyruar.
Pas një deti me dhembje e vuajtje, Vera erdhi banoi në Tiranë, në një apartament dhuruar nga ‘KAFOD’-i anglez. Çanta e saj ishte plot me barna.
Vuajti nga një seri sëmundjesh, por dëshira e saj për jetën është e madhe. Rrudhat e shumta në fytyrën e saj dikur të bukur, ishin dëshmi e një jete plot vuajtje e tortura. Ndërroi jetë në vitin 2006, duke i rënë qosh më qosh ferrit Komunist. / Memorie.al
ObserverKult
Lexo edhe:
RRËFIM TRONDITËS: SI VDIQËN FËMIJË E PLEQ NË KAMPIN E TEPELENËS
Tmerri që kishte ndodh në kampin e Tepelenës
“Kam parë me sytë e mi, kur vdiq nëna e Prenk Pervizit. Ajo nanë që i kishte dhënë bukë gjithë Veriut. Ajo vdiq vetë urie”
Një autokolonë me “james”-sa amerikanë. Dhe ca “zis”-a sovjetikë me kabinë druri. Ishin rreth 100 makina. Aty ishin ngarkuar rreth 1500 familje.
Na morën të gjithëve. Para makinës tonë, në një“zis”, ishte familja Petrela.E bija e Abaz Kupit, Xhumaja, me familjen e saj. Motra ime, Shqipja, që kishte shumë miqësi me ta. dhe Roza Dajçi. (e bija e profesor Dajçit, skulptorit, të cilët i kishin internuar se iishte arratisur djali, Çesku), hipën në makinë me ta. Gjyshja, i kërkoi Shqipes të zbriste. Të vinte në makinë me ne. Shqipja zbriti, kurse Roza ndejti me ta.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult