Publikohet historia e panjohur të familjes Roshi, nga fshati Golem i Gjirokastrës, ku disa nga burrat më në zë të saj, pasi kishin luftuar kundra forcave osmane dhe çetave të andartëve grekë, në 1912-ën, u rreshtuan me Ismail Qemalin, duke shërbyer si oficerë të Ushtrisë Kombëtare të porsakrijuar.
Memorie.al sjell dëshminë e rrallë e Avdyl Hakan Banushit, lidhur me familjen nacionaliste Roshi, të cilët gjatë periudhës së pushtimit të vendit, u rreshtuan me forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar, duke luftuar kundër forcave partizane, pas luftës vëllavrasëse që kishte filluar pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.
Historia e përplasjes së forcave partizane të komanduara nga Ali Demi në fshatin Kaninë të Vlorës në dhjetorin e vitit 1943, me forcat balliste të komanduara nga profesor Tare Kalo, ku mbeti mbeti i vrarë dhe Ali Demi.
Ngjarje e cila solli persekutimin e fisit Roshi nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duke filluar nga Alem Reiz Roshi, që u dënua me pushkatim që në ditët e para të mbarimit të Luftës në vitin 1943, Osman Roshi, që u pushktua në vitin 1950, si dhe të tjerë pjestarë të kësaj familje, si Mehmet Reiz Roshi, që u detyruan të arratisej nga Shqipëria, apo si Bajram Roshi, që kaloi 23 vite në qelitë errta të burgjeve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, etj.
“Historia tragjike për familjen Roshi do të vazhdonte gjatë, zanafilla e saj nisi në dhjetorin e vitit 1943, kur në fshatit Kaninë në përpjekje me forcat komuniste, të kryesuara nga Ali Demi, mbeti i vrarë Refik Osman Roshi. Akoma pa u shuar mirë hidhërimi në këtë familje, në nëntor të 1944-ës, në qytetin e Shkodrës, arrestohet një tjetër djalë i kësaj familjeje, i quajtur Alem Reiz Roshi. Gjyqi kundër tyre u zhvillua në Gjykatën Ushtarake të Qarkut të Gjirokastrës, ku ai u dënua me vdekje së bashku me dy nacionalistë Zenel Gjoleka, dhe Selam Karma.
Që nga ajo kohë familja Roshi nga Golemi i Gjirokastrës, do të vuante persekutim e egër dhe barbar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Ky persekucion do të mbaronte vetëm në vitin 1991”. Kështu e kujtonte historinë e kësaj familjeje, Abdyl Hakan Banushi, me origjinë nga fshati Golem i Gjirokastrës, ish-pjestar i forcave nacionaliste të Rinisë së Ballit Kombëtar gjatë periudhës së Luftës, i cili e kaloi gjithë jetën e tij në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës deri në vitin 1990.
Cila ishte e kaluara e fisi të njohur Roshi dhe cilët ishin disa nga përfaqësuesit më në zë të tij që bënë emër të madh në luftrat dhe kryengritjet shqiptare në vitet e para të shekullit të kaluar, si dhe gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist!
Cili ishte qëndrimi politik që mbajtën pjestarët e atij fisi dhe roli i tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare?
Përse ata u perfshinë me organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe cilat ishin rrethanat e vrasjes së Refik Osman Roshit?!
Përse forcat balliste u konfrontuan me armë me forcat partizane të komanduara nga Ali Demi. Cilët ishin burrat më të njohur të atij fisi dhe përse u persekutuan ata nga regjimi komunist i Enver Hoxhës?!
Roshajt në Shpalljen e Pavarësisë
Origjina e fisit Roshi është nga Golemi i Gjirokastrës, i cili ndodhet në veri-lindje të qytetit të gurtë. Ai është i njohur për historinë e tij që nga kohërat e lashta.
Mendohet që të parët e asaj familje janë vendosur në fshat përpara periudhës së Skëndërbeut, por të dhëna të sakta rreth arrdhjes së tyre në fshat, janë fare të pakta.
Ndonëse kjo familje ka qenë tepër e njohur, gjatë periudhës së pushtimit osman, një nga më të njohurit e atij fisi ka qënë Osman Roshi. Lidhur me këtë Abdyl Banushi tregonte: “Bëmat dhe historitë e atij burri të famshëm të quajtur Osman Roshi, kujtohen edhe sot e kësaj dite nga bisedat me banorët e ndryshëm të fshatit tonë. Shumë prej tyre mburren me të kaluarën e tij.
Ashtu si dhe të parët e fisit dhe familjes së tij, që kishin luftuar kundër pushtuesit turk, dhe Osman Roshi, në vitet 1911 – 1912 mori pjesë aktive në kryengritjet që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Bashkë me Osmanin, në ato luftra morën pjesë dhe disa nga të afërmit e tij, të cilët ashtu si ai, jo vetëm e nderuan emrin e asaj familjeje, por edhe historinë e fshatit tonë të njohur për traditat atdhetare.
Vetëm pak ditë pas ngjarjes së madhe të 28 nëntorit 1912, Ismail Qemali, me cilësinë e Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, e dekretoi Osman Roshin si oficer të Ushtrisë Shqiptare, të krijuar më 4 dhjetor.
Pas kësaj ai u emërua si oficer në një regjiment ushtarak që u caktua për mbrojtjen e kufijve juglindorë të vëndit nga kërcënimet e trupave greke. Gjatë asaj periudhe Osmani, drejtoi me qetësi dhe maturi atë regjiment, i cili u bëri ballë sulmeve dhe incidenteve artificiale të krijuara nga çetat e andartëve grekë.
Osmani shërbeu në forcat e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare edhe pas rënies së qeverisë së Ismail Qemalit. Pas ikjes së Princ Widit nga Shqipëria, Osman Roshi, u largua nga rradhët e ushtrisë dhe u kthye në vëndlindjen e tij”, kujtonte Abdyl Banushi, lidhur me të kaluarën e fisit Roshi, dhe historinë e Osmanit.
Po kështu ajo familje, është e njohur edhe për përkrahjen që i dha qeverisë së sapodalë nga Kongresi i Lushnjes në 1920-ën dhe për pjesëmarrjen si vullnetarë në Luftën e Vlorës. Gjatë asaj lufte, kundër forcave të ushtrisë italiane të udhëhequr nga burrat më në zë të Vlorës, si Osman Haxhiu, Qazim Kokoshi, Qazim Koculi, etj,. përveç Osmanit, luftuan dhe dy vëllezërit e tij, Mustafai dhe Reizi. Ky kontribut i’u njoh edhe gjatë periudhës së Monarkisë së Mbretit Zog.
Incidentet në Libihovë dhe Glinë
Gjatë viteve të Monarkisë së Mbretit Zog, pjestarët e fisit Roshi nuk u përzien me politikë por shikuan punët e tyre. Ndryshe nga ajo periudhë, gjatë kohës së pushtimit italian dhe gjerman të vëndit, pothuajse i gjithë fisi, mbajti anën e Ballit Kombëtar, të drejtuar nga Mit’hat Frashëri.
Lidhur me ketë, Abdyli Banushi në mes të tjerash tregonte: “Historia tragjike për familjen Roshi, e ka zanafillën në vjeshtën e vitit 1943, kur Partia Komuniste Shqiptare në mënyrë të njëanshme, prishi Marrëveshjen e Mukjes.
Prishja e asaj marrëveshjeje dha menjëherë frytet e hidhura në të gjitha krahinat e vëndit, duke filluar vëlla-vrasjen!
Kjo gjë ndodhi dhe në rrethin tonë të Gjirokastrës, ku shtatë ditë pas mbledhjes, në shtatorin e vitit 1943, forcat partizane hynë në Komunën e Libohovës dhe vranë shumë nacionalistë dhe antarë të Ballit Kombëtar që ndodheshin aty.
Kjo masakër e madhe shkaktoi një indinjatë të thellë tek banorët dhe për këtë arsye, forcat balliste të komanduara nga Qazim Rustemi, morën si detyrë që të rrethonte forcat partizane që ishin pozicionuar në Glinë, afër Gjirokastrës.
Pas këtij rrethimi, ai i sulmoi duke i asgjësuar plotësisht ata. Por pas këtij akti, edhe pse e dinte që trupat komuniste kishin filluar të parët luftimet, Komanda e Ballit Kombëtar të Gjirokastrës, e dënoi këtë sulm të forcave të Qazim Rustemit.
Ky konflikt do të shënonte dhe fillimin e armiqësisë midis forcave komuniste dhe atyre nacionaliste, dhe për këtë arsye fisi Roshi do ta pësonte mjaft rëndë”.
Vrasja e Ali Demit nga Refiku
Pas fillimit të luftës vëllavrasëse midis forcave komuniste dhe atyre nacionaliste, ndodhi dhe një nga ngjarjet më tragjike për familjen Roshi të fshatit Golem të Gjirokastrës. Lidhur me këtë, Abdyl Banushi tregonte: “Në dhjetorin e vitit 1943, një batalion partizanësh i komanduar nga komunisti Ali Demi, i njohur si atentatori profesionist, hyri në fshatin Kaninë të Vlorës, ku dhe vendosi shtabin e tij.
Në atë kohë kjo zonë kontrollohej nga forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe komandanti i forcave të Vlorës, major Enver Risilia, i cili dha urdhër që batalioni komunist i Ali Demit, të largohej menjëherë nga ai fshat.
Pasi Ali Demi e refuzoi urdhërin e dhënë, major Enver Risilia njoftoi Komandantin e Xhandarmërisë së zonës Gjirokastër – Vlorë, Ismail Golemin, i cili urdhëroi komandantin e batalionit, Profesor Tare Kalon, që të shkonte në ndihmë të forcave të Ballit Kombëtar që ishin nisur për në Kaninë.
Pas këtij urdhëri, Profesor Tare Kalo së bashku me Ali Shefqet Mustafarajn, u nisën për në drejtim të fshatit Kaninë, ku ishte instaluar batalioni partizan i komanduar nga Ali Demi.
Ata kishin marrë urdhër që në rast kundërshtimi nga ana e forcave partizane të Ali Demit, kundër tyre të përdorej forca. Dhe ashtu siç ishte parashikuar, Ali Demi, me forcat që komandonte e kundërshtuan urdhërin për t’u larguar nga ai fshat, dhe pas kësaj, ndërmjet dy palëve u nis një luftë e ashpër. Pas disa orë luftimesh, batalioni partizan filloi të tërhiqej, por komandanti i tyre, Ali Demi, bashkë me dy partizan që ishin shoqërues të tij, mbetën të rrethuar brenda në fshat dhe u fshehën në një shtëpi njëkatëshe, e cila njihej si mbështetëse e partizanëve.
Pas kësaj, komandanti i batalionit të Ballit Kombëtar dhe urdhër që të kontrolloheshin të gjitha shtëpitë që dyshoheshin se ishin të lidhur me partizanët. Gjatë atij kontrolli, mori pjesë dhe kapterri 23 vjeçar i forcave balliste, Refik Osman Rroshi, i cili e zbuloi Ali Demin e dy rojet e tij që ishin fshehur në tavanin e një shtëpie ku ata bënë kontroll. Pas kësaj, Refiku i urdhëroi ata që të dorëzohen, por Ali Demi me dy partizanët e tjerë shpërthyen çatinë e shtëpisë dhe tentuan të dilnin nga rrethimi.
Në atë moment, Refiku u gjend ballë për ballë me Ali Demin dhe qëlloi me automatik, duke e vrarë atë dhe dy rojet e tij.
Pas asaj vrasje, forcat partizane u kthyen përsëri në fshat dhe gjatë betejës së ashpër që u ndez midis tyre, mbeti i vrarë edhe Refik Osman Rroshi”, tregon Avdul Banushi, për incidentin në fshatin Kaninë, ku mbeti i vrarë Ali Demi, (“Hero i Popullit”).
Ekzekutimi i Alem Rroshit
Pas vrasjes së Refik Rroshit, në rradhët e forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar, mbeti një nga djemtë e tjerë të asaj familje, 18 vjeçari Alem Reiz Rroshi, i cili në atë kohë shërbente si truprojë e Zenel Gjolekës, njërit prej eksponentëve kryesor të Ballit Kombëtar për rrethin e Vlorës. Pasi kishte marrë pjesë në disa luftime kundra forcave partizane, Alemi u arrestua prej tyre në nëntorin e vitit 1944, në qytetin e Shkodrës.
Pas arrestimit ai u soll në qytetin e Gjirokastrës, për t’u gjykuar nga Gjykata Ushtarake e atij Qarku, ku bashkë me të, në bankën e të akuzuarve ishin dhe Zenel Gjoleka, Selam Karma dhe Rexhep Guga.
Në seancën që u dha pretenca, prokurori Bexhet Mema, kërkoi dënimin me vdekje, për Zenelin, Selamin dhe Rexhepin, ndërsa për Alemin, vetëm 15 vjet burg.
Pas dhënies së dënimit, Kryetari i Gjyqit, i tha Alemit: “I pandehur Alem Rroshi, megjithëse ke qenë roje besnike i Zenel Gjolekës, megjithëse keni kryer krime, Partia jonë dhe shoku Enver të falin jetën”.
Pas kësaj ai i kërkoi fjalën e fundit Alemit, i cili i’u përgjigj: ”Zotërinj të trupit gjykues, unë kam qenë truproje i këtij patrioti, i cili është nipi i Zeneli Gjolekës së madh, që u vra në Mal të Zi, duke luftuar për trojet shqiptare, që populli edhe sot i këndon për trimërin e tij.
Ja, këta janë Gjoleka-jt zoti kryetar. Nëse ju do t’i falni jetën komandanti tim Zenel Gjoleka, ju do të kryeni një vepër patriotike për një patriot të madh.
Përndryshe, unë dua dhe e kam për nder që të pushkatohem lidhur dorë për dore me komandantin tim, patriot dhe trim, se edhe atje në gropën e përbashkët ku do të na hidhni, edhe atje do t’i bëjë roje”!
Pas kësaj, trupi gjykues u tërhoq për të dhënë vendimin dhe pas disa minutash, e komunikoi atë duke thënë: “Zenel Gjoleka, Selman Karma dhe Alem Roshi dënohen me vdekje, me pushkatim, ndërsa Rexhep Gega, me 25 vite heqje lirie”.
Pushkatimi i Syrja Roshit
Gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, familja Roshi nga fshati Golem i Gjirokastrës, i’u nënshtrua një persekucioni të egër, të cilit mundi t’i shpëtonte vetëm Mehmet Reiz Roshi, vëllai i Alemit, i cili u detyrua dhe u arratis nga Shqipëria.
Ndërsa për të tjerët që mbetën në Shqipëri, Avdyl Banushi tregonte: “Një nga djemtë e familjes Roshi, që nuk u përkul asnjëherë para dhunës së regjimit komunist, ishte dhe Syrja Osman Roshi, i cili në fillimin e viteve ’50-të, u arrestua gjoja se i implikuar në një grup fallsifikatorësh.
Pas kësaj ai u dënua me vdekje, me pushkatim, dhe ekzekutimi i tij u krye në qytetin e Vlorës.
Ekzekutimi i Syrjait shënoi dhe viktimën e tretë nga ajo familje, e cila do të vazhdonte të ishte nën dhunën e egër të komunistëve.
Pas kësaj, babai i Alem Roshit, Reizi, e kaloi gjithë jetën në internim dhe vdiq në mjerim të thellë në fshatin Shtepës të Gjirokastrës, bashkë me djalin e tij të vogël, Bajramin, i cili vuajti 23 vite në burgjet e regjimit të Enver Hoxhës”./Memorie.al
ObserverKult
Lexo edhe:
PËR TË MOS I HARRUAR: EMRAT E XHELATËVE QË MORËN JETË TË NJERËZVE TË PAFAJSHËM GJATË KOMUNIZMIT
Dëshmia e Ismail Çepratit, një ish-të burgosuri e më pas të arratisuri nga Shqipëria, botuar në gazetën “Zëri i Ballit Kombëtar”, të vitit 1957. Ai përmend emrat e disa prej togerëve kriminelë, në duart e të cilëve mbetën jetët e të burgosurve politikë. Po ashtu rastet e shumta të torturave dhe keqtrajtimeve të burrave dhe grave të dënuar.
Është një rrëfim ekskluziv i vitit 1957 i Ismail Çepratit, të arratisur nga Shqipëria dhe strehuar përkohësisht në një kamp grek, publikuar në një numër special të gazetës “Zëri i Ballit Kombëtar”.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult