Dhimitër Anagnosti, regjisori që na solli filma që nuk harrohen kurrë

Regjisori i shquar, Dhimitër Anagnosti festoi 86-vjetorin e lindjes.

Urimeve për ditëlindjen e regjisorit Anagnosti, i është bashkuar edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti. Margariti e falënderoi atë për guximin që pati të ishte i vërtetë edhe në kohërat më të vështira.

Gjithashtu Margariti theksoi se Anagnosti e ngriti artin e kinemasë në nivele sipërore, duke shënjuar përgjithmonë kinematografinë shqiptare.

“Gëzuar ditëlindjen Dhimitër Anagnosti! Faleminderit që guxuat të ishit i vërtetë edhe në kohërat më të vështira; që e ngritët artin e kinemasë në nivele sipërore, duke shënjuar përgjithmonë kinematografinë shqiptare; që gdhendët karaktere të paharrueshëm dhe u kthyet në shkollë për brezat e rinj. Paç jetë të gjatë!”, u shpreh Margariti në urimin e saj.

Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno, më 23 janar 1936 dhe është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966. Këtë e bëri së bashku me Viktor Gjikën. Pastaj, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë e 10 filma dokumentarë. Ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti është njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Më 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Këtë post ai e mbajti deri më 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Anagnosti është i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar”, Roza Anagnosti.

Në vitin 2021, në 85-vjetorin e tij të lindjes, Anagnosti u dekorua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. /ATSH

ObserverKult

___________________

Lexo edhe:

FILMI “TOKA JONË” ISHTE I BEKUAR, SI U DASHURUAN ROZA E DHIMITËR ANAGNOSTI?