U hap Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor

Në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, u çel Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor, një ngjarje e rëndësishme që bashkon të gjitha entet botuese në fushën shkencore në mbarë hapësirën shqiptare.

Në stenda të veçanta do të qëndrojnë të ekspozuara botimet akademike të institucioneve të ndryshme shkencore e kërkimore në Shqipëri, Kosovë e më gjerë. Panairi, i cili do të zgjasë deri më 25 prill, është organizuar në kuadër të Ditës Botërore të Librit, në sajë të bashkëpunimit mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë.

Instituti Albanologjik-Prishtinë merr pjesë në edicionin VI të këtij panairi, si një pjesëmarrës i rregullt me disa nga botimet dhe veprat shkencore të botuara së fundmi.

Në kuadër të këtij panairi do të promovohet libri shkencor “Veprimtaria shkencore e Bajram Krasniqit” i Hysen Matoshi, këshilltar shkencor në Degën e Letërsisë, IAP.

Pjesë e këtij Panairi do të jenë edhe botimet e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), ku vizitorët do të kenë mundësi të njihen me një korpus të pasur botimesh shkencore, historike, letrare dhe etnografike mbi botën arbëreshe.

Me anë të kësaj pjesëmarrjeje, QSPA jo vetëm që nxjerr në pah një kulturë që shpeshherë mbetet në periferi të vëmendjes publike, por edhe rrit ndërgjegjësimin për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së shqiptarëve të Italisë, si një pjesë e pandashme dhe e çmuar e identitetit tonë kombëtar. 

ObserverKult


Lexo edhe:

DITA NDËRKOMBËTARE E LIBRIT DHE E DREJTAVE TË AUTORIT- PSE U VENDOS TË JETË MË 23 PRILL