Çmimi Kadare, i iniciuar në vitin 2014 me bekimin e shkrimtarit Ismail Kadare festoi 10-vjetorin, në një event që bëri bashkë fituesit ndër vite e personalitete të letërsisë, në praninë e zonjës Helena Kadare.
“Kam qenë prezente kur Çili ka ardhur në shtëpinë e plazhit dhe i ka bërë propozimin Ismailit. Nëse kjo gjë i vlen letërsisë, dakord jam. Dhe ja ku jemi këtu pas 10 vitesh, uroj që kjo gjë të vazhdojë, të mos ndërpritet asnjëherë.”, shprehet Helena Kadare.
“Platforma jonë, me bekimin e Kadaresë, ka qenë mbështetja e të shkruarit shqip, mbi dorëshkrime, pra një nxitje burimore që njerëzit të shkruajnë letërsinë shqipe në të gjitha zhanerat e veta. “, tha Henri Çili.
Ky jubile erdhi si një homazh për kolosin e letrave shqipe, që u nda nga jeta katër muaj më parë, teksa poezi të përzgjedhura të Kadaresë, erdhën përmes notave muzikore nga Gjergj Leka dhe Liljana Kondakçi.
“Është nëntori i parë pa Ismail Kadarenë, ne nuk pyesim dot më çfarë po shkruan Kadareja. Të gjitha ata që shkruajnë, nuk pyesin dot më çfarë do thoshte Kadare po ta lexonte. Kjo është një humbje e madhe për letrat shqipe dhe për secilin prej nesh.”, u shpreh Alfred Lela.
Dekada e parë e këtij rrugëtimi vjen e përmbledhur në një album nga Instituti Liberal Pashko dhe UET Press. Ndërsa Çmimi special Kadare 2024 iu dha poetit Preç Zogaj, për veprën “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, një personifikim i bukurisë dhe elegancës së lirikës bashkohore.
Ndërkohë, duke nisur nga dekada e dytë, juria e çmimit do të përbëhet nga fituesit e mëparshëm./Top Channel
ObserverKult
Lexo edhe: