Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi/ Si u dashuruan shkrimtarët e famshëm shqiptarë?

Nëse tradita do që dashuria t’i bëjë njerëzit më të bukur, në këtë rast janë ata që e bëjnë më të bukur dashurinë. Dashuritë e njerëzve të letrave s’mund të jenë kurrsesi më pak të bukura se veprat e tyre.

Një dashuri shumë interesante është ajo mes Ismail dhe Helena Kadaresë. Ajo një vajzë e re, që adhuronte shkrimtarin e madh, e guxon t’i dërgojë edhe një letër atje në Moskë, që të lexonte një krijim të saj.

Ndërsa ai, një djalë modern, me famë e i paparashikueshëm. A s’ishte i tillë Kadareja, kur i shkoi Helenës së bukur në konvikt në qytetin Studenti dhe nxori një brisk, e ashtu pa folur e papandehur i preu një pjesë të gërshetit, dhe veprimin-habi e shoqëroi me fjalët “e dua për kujtim”.

Apo kur i shkoi në shtëpinë e prindërve në Elbasan dhe ndërsa të gjithë kujtuan se do t’i kërkonte dorën, ai ia këputi gjumit pa e hapur fare muhabetin e shumëpritur.

Dasma e Ismail Kadaresë në vitin 1963 ishte edhe fillimi i një dashurie që do t’i çonte në martesë Dritëro dhe Sadije Agollin. Ajo ishte e ftuara nga ana e nuses, Helenës, ndërsa shkrimtari i madh, i ftuari i dhëndrit.

Ismail Kadare- Helena

Dashuria me një shkrimtar të madh, duhet të jetë dashuri e madhe. Dhe Ismail Kadare me Helena Kadarenë, nuk e kanë prishur rregullin.

As me faktin që kontakti i parë mes tyre nisi nga një letër që vajza adoleshente nga Elbasani ia dërgonte studentit në Moskë afro 50 vjet më parë, për t’i lexuar një tregim të saj në gazetën “Zëri i Rinisë”.

As kur ai e takoi për herë të parë dhe ajo shtangu me të folurën snobe që Ismaili tregoi në sy të një kushëriri. As kur i shkoi në konvikt në Qytetin Studenti dhe nxori një brisk e ashtu pa folur e papandehur i preu një pjesë të gërshetit dhe veprimin-habi e shoqëroi më fjalët “e dua për kujtim”.

As kur i shkoi në shtëpinë e prindërve në Elbasan dhe të gjithë kujtuan se do i kërkonte dorën, ndërsa ai vetëm fjeti gjumë atje pa e hapur fare muhabetin e shumëpritur.

As kur një ditë të bukur i dërguan familjeve nga një telegram, ku njoftonin se ishin fejuar, një veprim-çudi i asaj kohe, e as kur bënë ceremoninë e dasmës me kushtin që të gjithë të ftuarit të mos ishin më bashkëshortët. Shumë varën buzët nga ky kusht, por beqarët u kënaqën pa masë.

Mes tyre ishin edhe Dritëro dhe Sadija, dy miqtë e vjetër të çiftit Kadare që u njohën pikërisht në atë dasmë të kolegut dhe mikut të tyre. Çifti ishte nga të interesantët.

Ajo një bionde e bukur rrezëllitëse, ai një shkrimtar race gjithnjë në rritje. Të dy të një ere që frynte në Shqipërinë e viteve ‘60. Pak erë Moske, pak erë Perëndimi dhe me shumicë erë dashurie.

Të një dashurie të papërsëritshme. Me të bukurat dhe të papriturat e saj. Me tallazet dhe emocionet plot ndjenjë. Për të vërtetuar përherë edhe tashmë që Ismail Kadare ka kaluar të 70-at dhe ajo të 65-at, se dashuria me një shkrimtar të madh është një dashuri e madhe.

Dritëro Agolli dhe Sadija

Nëse shumë njerëz kanë pasur një dashuri të madhe në jetë, shkrimtari i dashur i shqiptarëve ka pasur dy. Dashuria e tij e parë e madhe, quhej Nina.

Ishte një ruse të cilën Dritëro Agolli e dashuroi pothuaj që në atë moment që e pa në shkallët e universitetit të San Petersburgut. Ajo ishte dy vjet më e vogël dhe studionte për anglisht.

“Shiheshim shpesh dhe u bëmë miq”, tregon shkrimtari i njohur për revistën “Klan”, të datës 14 shtator 2003.

Martesa e tyre pas mbarimit të studimeve ishte një ceremoni e thjeshtë në apartamentin e prindërve të saj, dhe pastaj ditët e para bashkëshortore do t’i nisnin në një konvikt të zakonshëm shkolle. Duheshin shumë edhe pse prindërit e Agollit nuk e pëlqenin këtë lidhje të tyren, pasi “nusja ishte e huaj”.

Por gjashtë vitet e Ninës dhe djalit të tyre Arjanit ishin të lumtura, deri kur filloi shembja e marrëdhënieve shqiptaro-ruse, që plasariti deri në ndarje edhe martesat e shumta të asaj kohe mes shqiptarëve dhe ruseve.

Dy vjet pas ikjes së Ninës në vitin 1963, ai martohet me Sadijen. Një vajzë e bukur dhe inteligjente me të cilën e prezantoi Naum Prifti, Helena dhe Ismail Kadare.

Përveç dashurisë së madhe, ata i lidhi edhe një miqësi me të tilla përmasa. Dritëroi dhe Sadija, kanë dy fëmijë, Elonën dhe Artanin, madje janë bërë edhe gjyshër.

Petro Marko & Safo

Jo vetëm jeta e Petro Markos, por edhe historia e dashurisë së tij me Safon Çelon është e denjë për një vepër. Një histori e nisur në oborrin e Hotel Dajtit, kur shumë të rinj u vendosën në Tiranë pas luftës.

Ai, një gazetar që punonte në gazetën “Bashkimi”, ndërsa ajo një bukuroshe e pasionuar pas pikturës. Intelektualit që kishte njohur që herët modën dhe shijet evropiane nuk kish si të mos i tërhiqte vëmendjen vajza simpatike e veshur me pantallona si vajzat e Grenobit kur shkonin për ski.

Një vështrim që zgjati vetëm pak sekonda dhe karakteri i fortë i poetit që duroi luftën dhe burgjet fashiste është thyer nga bukuria. Më pas fati do të bënte që Safo të ishte kolege me Petron dhe dita e parë e punës do të ishte dhe dita jozyrtare e martesës së tyre.

Vetëm një dialog i shkurtër ku ai e pyet nëse ajo është dashuruar dhe pas përgjigjes negative Petro Marko i thotë se “ti do të bëhesh gruaja ime”. Kështu lindi historia mes shkrimtarit dhe piktores Safo.

Një dashuri që do të kurorëzohej me dy fëmijë Jamarbërin dhe Arianitën. Një dashuri me shikim të parë që do ti rezistonte edhe furtunave të tjera që kaloi jeta e Petro Markos.

Në vitet e burgu gjatë diktaturës kujtimi për Safon do të mbante gjallë, shkrimtarin. Kjo duket në letrat që Marko i dërgonte nga qelitë. Asnjë fjalë për vuajtjen, asnjëherë nuk përmendet fjala, torturë apo gardian. Të gjitha letrat janë një himn që Petro Marko i këndonte gruas së tij.

Sabri dhe Nermin Godo

Ai ishte 21 vjeç dhe kishte rënë kokë e këmbë në dashuri me një vajzë që sapo kishte mbaruar shkollën. Ishte viti 1950 dhe ata janë njohur rastësisht. Sabri Godo kishte vajtur të punonte në Durrës, dhe atje ishte fqinj me Nerminin. Një dashuri e bukur dhe e madhe, por që s’kuptohej nga prindërit.

Ju është dashur të “arratisen” nga familjet e tyre që s’e pëlqenin këtë lidhje të tyren, se dy të rinjtë “ishin të kategorive të ndryshme shoqërore”. Kjo është e vështirë të kuptohet tani, por ka qenë shumë herë më e vështirë të jetohej në atë kohë. Përveç kësaj, Partia i kërkoi të zgjidhte: ose të hiqte dorë nga gruaja ose nga Partia.

“Unë mbajta gruan dhe lashë Partinë”, tregon i urti Godo për “Tirana Observer”. Një dashuri e madhe, me ceremonira të vogla. Për shkak të familjeve, ata s’mundën të bënin kurrfarë ceremonie dasme, por dolën të jetonin bashkë me çfarë mundën.

Dhe në fakt s’u doli keq. Miqtë e tyre, i cilësojnë si çift perfekt. Megjithëse Godo është një nga politikanët më të njohur e më të vlerësuar në vend, bashkëshortja e tij fisnike vazhdon t’i qëndrojë pranë, por në hije, larg prozhektorëve të medias e kamerave të shumta.

Ata kanë dy vajza të cilat janë fryt i dashurisë së tyre dhe gëzimi i tyre i jetës. Por tashmë gëzimet janë shtuar. Sabriu dhe Nermini janë gjyshër të katër nipërve.

Lasgush Poradeci- Nafija

Historia e tyre e dashurisë është po aq e bukur sa lirikat e tij. Poeti i dashurisë e njohu Nafijen, atëherë kur po shkruante gjithnjë e më pak, pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria po zvogëlohej gjithnjë e më shumë nga izolimi e nga pamundësitë për të udhëtuar në botë.

Njohja e tyre është bërë shumë vonë publike nga botimi që bënë vajzat e tyre, të letërkëmbimit të çiftit të viteve ’40. Kështu nga to, del që Nafija dhe Lasgushi për herë të parë takohen në shkollën e vizatimit, në Tiranë, në vitin 1937.

Një grup poeteshash të shkollës “Nëna Mbretëreshë” vizitojnë një ekspozitë, aty ku Lasgushi jepte mësime vizatimi. Para këtij takimi ai kishte lexuar poezitë e Nafijes.

Drejtori i shkollës i prezantoi. Ja çfarë do t’i shkruante së ëmës Llazari, zonjës Kostandina Gusho, për vajzën që do të bëhej gruaja e jetës: Nëna ime e dashur, duke dashur të martohem me një çupë prej shkolle që më ka hije, kërkoj lejen tënde.

Është një lesh-verdhë e hollë, ashtu siç më pëlqen mua, por më shumë se këto më pëlqen mendja dhe shpirti i saj.

Unë me çupën jam njohur përpara dy vjetëve kur ajo ishte nxënëse në klasën e tetë… U fejuan dhe në qershor të vitit 1939, vunë kurorë civile në Bashkinë e Durrësit.

Lindja e dy vajzave e lumturuan çiftin. “Ime më e ka adhuruar tim atë”, tregon vajza e tyre. Bashkëshortja e poetit vdes në Pogradec, në 3 gusht 1983, pesë vjet para tij.

Ai është zgjuar i tmerruar tek ka parë se e shoqja po jepte shpirt. Ishin të dy në një shtrat. Kur trupi u nda nga shpirti, ai, poeti i madh, nuk reshtte së puthuri këmbët e duart së të shoqes.

Dhimitër- Mynever Shuteriqi

Ata nuk ndaheshin kurrë nga njëri-tjetri. Nëse do shikoje Dhimitrin, duhet të ktheje kokën përqark për të “gjetur” Myneverin. Tani që ai s’është më, ajo e ka gjetur një mënyrë që të jetojë sërish me të.

Me kujtimet e tij, me librat dhe fjalët e lëna në ditar, fotografitë e vendosura në çdo cep të shtëpisë dhe me dashurinë që e ruan të freskët, ashtu si para 60 e ca viteve.

Atëherë kur u njohën ishin të dy shumë të rinj, por po ashtu mbetën edhe shumë vite më pas. Ja çfarë shkruan shkrimtari i njohur për bashkëshorten e tij në ditarin që ka mbajtur më 21 qershor të vitit 2001. “Sot, Myneveri mbushi 77 vjeç. Dhe mua më dukesh po e re! Memoria, humori, gjallëria e saj, po njësoj.

Është shëndoshur pak, po jo si njerëzit që trashen e rëndohen me moshën, përkundrazi, i vete. Kur vinte, në rini të saj, dita e lindjes të saj, 21 qershori, -dita e parë e Verës, kjo ditë, le të ishin pjekur qershitë e mushmollat e fiqtë shëngjinës, i sillte përsëri freskinë e saj të habitshme, veç e përtërin sot, nuk e plak…”.

Dashuria e tyre bazohej në miqësinë e tyre të fortë dhe në sakrificë. “Kur isha shumë e re pata një sëmundje shumë të rëndë. Në atë kohë në Shqipëri nuk kishte ilaçe dhe gjendja ekonomike e vendit ishte shumë e rëndë.

Për të më ndihmuar mua shiti të gjitha gjërat, madje edhe gjënë më të shtrenjtë që kishte: makinën e shkrimit, që e kishte marrë me vete nga Franca”, tregon Myneveri në një intervistë dhënë për gazetën “Tirana Observer”. Çifti Shuteriqi kanë tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë./ living.al

ObserverKult


Lexo edhe:

“UNË, VAJZA E ‘PANJOHUR’ E AKTORIT AGIM SHUKE”, RRËFIMI PREKËS I JONIDËS: TRAUMA QË MË LA PA FËMIJË!

Vajza e aktorëve të mëdhenj shqiptarë Agim Shukes dhe Mirketa Çobanit, ka rrëfyer një anë të errët të jetës së saj. Ajo ka prekur fëmijërinë, ndarjen e prindërve dhe traumat e divorcit të tyre.

Jonida Çobani Gjoka e ftuar në ABC News, deklaroi se e ka përjetuar shumë divorcin e prindërve të vet. Kjo për faktin se ndihej si një hije dhe si shkaku.

Ajo tregon se edhe pse dy aktorë të njohur, jeta e tyre private nuk ishte ajo më e mira. Gjithçka që i lidhte ishte vetë ajo.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


alban tartari

ALBAN TARTARI: BUZËQESHJA JOTE…

Poezi nga Alban Tartari

Buzëqeshja jote
Është
Si një varkë fenikase
Që më bën të lundroj dete
Të vete e të mos di ku vete
Të iki e të mbetem
Në brigje të panjohura
Të endem

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult