Poezi nga Dhori Qiriazi
Ç’janë erërat për mua,
copërat e muzgut të mbrëmjes, a e di?
Pluhur mendimesh
ndjenjash, sa të dua,
sikur të kthehesh ti,
sikur të kthehesh ti!
Bisqet e hollë, ç’janë vallë për mua,
lulet e njoma që mblodha përsëri?
Dua t’i thur rreth balleve të tua,
sikur të kthehesh ti,
sikur të kthehesh ti!
1959
*Titulli i origjinalit: “Ç’janë erërat për mua”
ObserverKult
———————————————–
LEXO EDHE:
“TË DUA! MENDOHU, TË DUA!”, POEZI NGA DHORI QIRIAZI
Të dua!
Mendohu!
Të dua!
Kapërcej udhëkryqet e jetës,
kapërcej shiritat e bardhë të rrugëve të asfaltuara
me këto fjalë të përjetshme: “Të dua!”
Oh, si janë qiejt tanë të kaltër,
më të butë se mëndafshi i deteve mesdhetare!
Atje ndizen me miliona yje natën,
ndërsa unë, në kupolë të tyre, kam shkruar:
“Të dua!”
Mbi rërën e plazheve kam shkruar: “Të dua!”,
Mbi dyert e kabinave: “Të dua!”,
mbi granitin e maleve: “Të dua!”
Dhe kam zbritur poshtë hendekëve
dhe livadheve të gjelbra plot lule: “Të dua!”;
Pranë kallamave fërshëllonjës
dhe pranë lëvorfeve të drurëve shekullorë kam shkruar: “Të dua!”
Mbi velën e kuqe të banderolave,
ku shkruhen gjëra të rëndësishme me germa të bardha
unë shtoj me mend edhe këto fjalë:
“Të dua, të dua!
Mendohu,
të dua!”
ObserverKult