Diella Çitaku, autorja që ndërton kontrastin emocional

Rreth dy librave të Diella Çitakut, Qiellnaja ime,(2022) dhe Shikimi i zogjve, (2022)

dije demiri frangu diella çitaku

Nga Dije Demiri-Frangu

Dy përmbledhjet e poezive të Diella Çitakut, Qiellnaja ime,(2022) dhe Shikimi i zogjve, (2022), vijnë nga kjo autore pas librave tjerë të saj, si Brengë e uritur, (2017) si dhe përmbledhja tjetër, Mjegulla ka sy (2017). Autorja bën një jetë aktive letrare dhe përgjatë viteve është shpërblyer me çmime të ndryshme letrare. 

Duhet thënë që në fillimi se në mesin e krijueseve, emri i Diella Çitakut veçohet. Veçohet si qasje, si qëndrim ndaj subjektit krijues,  veçohet si ndjeshmëri dhe parasegjithash si përgjegjësi –ndaj aktit krijues. Diella,veçohet sepse frymëzimi i saj është brenda një universi jo real, sado që herë-herë ajo zbret e shikon përreth, duke u thurë  vargje njerëzve të dashur, qoftë heronjve qoftë  familjarëve, ku autorja reflekton një qasje dinjitoze –poetike, duke u ruajtur nga elementet e rënda himnizuese dhe duke shfaqur një humanizëm dhe sinqeritet në raportet me ta.

Raporti i saj me heronjtë, që i dhuruan jetën lirisë, shprehet përmes një krenarie dhe një dhembshurie sublime. Autorja ruan sensin e masës, pa folklorizime dhe pa eufori por me figura të zgjedhura poetike, me një sugjestion të thuktë poetik,  i përgëzon për guximin që patën për të larë borxhin ndaj atdheut, atëherë kur armiqtë e goditshin zemrën e tij. 

Ndryshe, nëse merremi me tipologjinë e poezisë së saj, dominon poezia e dashurisë- një dashuri paksa me tone romantike, që zakonisht si në poezitë e romantikëve, sjell dhembje, ëndrra, projeksione imagjinative, situata të papritura, përbysje realiteti e deri në mohim të saj apo edhe deri në idealizim të saj.

Duke qenë se të shpeshtën është mes ekstremeve, autorja ndërton kontrastin emocional që mund të jep kjo ndjenë nga stina në stinë, gjë që edhe ajo vet është evulative, si stinët dhe karakteri i ndryshëm i tyre. Në këto poezi, gjithçka rrjedh mes reales dhe absolutes, mes forcës dhe dobësisë së këtij emocioni, krahas sugjestionit poetik se ajo –gjithsesi është e bukur, është pjesë e udhës sonë jetësore. Autorja, dashurinë e vrojton diku në gjethe, në qiell, me hijezimin e hënës e rrezet e diellit, me shiun e acarin, të ngjizur si shejtni, si në poezinë : Ndërtuam një qiell me ofshamat tona

Qiell me shumë diej të mëdhenj

Dritëronin me rreze në agun buzagaz

E ne rrëshqitnim lëndinave të fildishta 

Ndërsa në poezinë  Zëri Yt , dashuria është përjetësia:

Mua  më ikte mendja …

Tek i  përgjumur dukej syri yt

Teksa shtegton vegimeve të kohës

E kaltra jote ma sjell qiellin në tokë

Kurse zemrës sime një qetësi përjetësie..

Ose:

Ndërtuam një qiell me ofshamat tona

Qiell me shumë diej të mëdhenj

Dritëronin me rreze në agun buzagaz

E ne rrëshqitnim lëndinave të fildishta

Autorja, këtë lloj poezie, si dhe të gjithat, duket se i shkruan me një lehtësi, sado që poezia, përkundër prozës, del nga një thellësi tjetër, nga një thellësi që jo të gjithë e mbërrijnë dhe  e trazojnë,  por Diella rrinë gjatë me muzat, i njeh dhe e njohin, ndaj ajo shkruan rrjedhshëm, spontanisht dhe krejt sinqerisht.

Autorja ka edhe një kontingjent të poezisë meditative- poezi për probleme e situata të befasishme jetësore e të paevitueshme në jetë për njeriun e rëndomtë, për botën njerëzore, e cila më shpesh i zhgënjen poetët sesa i entuziazmon, për dilemat që janë të lashta sa njeriu e sa letërsia, si: Çfarë është jeta? Pse është e tillë? A e bëjnë vet njerëzit jetën të vështirë? Pse njerëzit nuk janë çdo herë njerëz, nuk janë të njerëzishëm?

Janë këto pyetje, e shumë të tjera brenda të cilave shfaqet muza e autores sa kritike aq e pikëlluar dhe dyshuese në këtë  botë, krejt kjo me mesazhin më të mirë-për hir të dëlirësisë së jetës, botës e vet njeriut. Realisht, të gjitha poezitë e saj brenda kanë një meditacion, kanë pyetje të ndryshme që rrinë brenda gjuhës së figurave dhe që mbyllen si sugjestione në rolin e përgjigjeve, përgjigje  të cilat thjeshtë janë ai koncentrati estetik i veprës.   

Ndryshe,  Diella është e Degdisur shirave, ballafaqohet me Langojtë e qiellit, metamorfizohet – U bëra gjethe, nga ndjeshmëria poetike  E dëgjon si shushurij, i ka Fjalët në grykë, dëgjon kumtin e barit e tjerë.

Librat kanë edhe disa proza poetike. Ato janë të shkurta dhe bartëse të ideve autoriale, sado të veshura metaforikisht. Prozat, kryesisht shprehin epizode dhe momente të ndryshme jete, të filtruara nga imagjinata dhe dashuria për artin.

ObserverKult

Lexo edhe:

SIMBOLIKA E NJË MURIMI