Dielli perëndon herët në Ballkan…fragment nga romani Stina e pestë (video)

Ju ftojmë të ndiqni një fragment shkëputur nga romani “Stina e pestë”, lexuar nga autorja Majlinda Bregasi.

Dielli perëndon herët në Ballkan e nata nuk është për udhëtarët. Nxënësi i mirë nuk e harron mësimin e parë, veçmas kur ai ta shpëton jetën. Ende e ndieja në vesh fërshëllimën e atij plumbi qorr nëpër kapele që më dha mirëseardhjen, rrëshqitjen nëpër flokë si prekja e rrufeshme e Zotit që më kujtonte se isha në vendin ku vdekja të rrinte më afër se këmisha. Kërceva nga kali dhe u fsheha pas gëmushës për t’iu përgjigjur zjarrit. Asnjë lëvizje, asnjë zë.
Në atë moment ndjesia jokristiane e të qenit një gjahtar në pritje më pushtoi gjithë trupin. Mannlicher nuk më bëri asnjë punë. Qitësi ishte zhdukur si një vetëtimë e vetmuar në qiell. Tre zaptijet që më shoqëronin më treguan se asgjë jonormale nuk kishte ndodhur e nëse do të doja ta vazhdoja udhëtimin për Shkodër do duhej ta pranoja këtë plumb qorr si standard të jetës në këto anë.
Isha në Gjakovë kur për herë të parë pashë majat e Alpeve që shkëlqenin në diell. Ishte ai momenti, kur pa e ditur se çfarë do më gjente vendosa ta zbuloja atë vend. Tashmë, që sapo kisha kaluar testin e parë, dëshira për eksplorim m’u bë e pakontrollueshme. Ka diçka brenda meje që nuk i duron gjërat e rëndomta, diçka që më shtyn drejt jonormales, diçka që nuk e kam nën kontroll. E qartë që ky vend kishte shumë më tepër për të zbuluar sesa të dhënat gjeologjike e gjeografike, por ajo që më priti e para ishte vdekja. Këtu filloi sfida.

Vdekja më afër se këmisha, ishte ky mësimi për jetën. Për ta ishte gjithmonë koha për të vdekur, ndaj dinin të jetonin. E mbështillnin kokën me qefinin e tyre të cilin e mbanin si përkrenare. Ai shall i bardhë borë që ndriçon nën diell si majat e alpeve i vesh ata me një tis legjendar në harmoni të plotë me habitatin e tyre.
Të jetosh me vdekjen në kokë. Ta shohësh tjetrin gjithmonë me vdekjen të lidhur fytyrës e sërish mos të gjesh asgjë të llahtarshme?
E gjitha të të duket llahtarshëm normale? Të mësuarit me vdekjen, është kjo që njeriu modern ka humbur duke e zbehur pasionin për të jetuar. Këta jetojnë në çdo frymë. Ne vdesim çdo moment, të bindur për pavdekësinë tonë.

ObserverKult

.