Digjet prej 40 vitesh, urdhërohet të mbyllet “Dera e Ferrit”- ja pse

Me diametër rreth 50 metra, dhe 20 metra e thellë, “Dera e Ferrit” digjet prej 4 dekadash

Ajo është një nga atraksionet kryesore për turistët e pakët që i afrohen Turkmenistanit, një prej regjimeve më të rreptë dhe totalitar të botës.  

Pamjet e “Derës së Ferrit”, gjithsesi, janë aq impresionuese saqë kanë bërë xhiron e botës. Në mes të shkretëtirës që mbulon pjesë të mirë të territorit turkmen, afro 190 kilometra nga kryeqyteti Ashgabat, ndodhet një gropë me diametër rreth 50 metra, dhe 20 metra e thellë, që ditë dhe natë është i mbuluar nga flakët.

Kjo dukuri ndodh nga viti 1971, ku në tentativën e gjetjes së një burimi gazi, inxhinierët tentuan të shpëtonin nga një rrjedhje duke djegur gazin. Ata mendonin se gazi do të shteronte për pak javë, por në fakt rrjedhja vijon ende, 40 vite më pas.   

Por tani çudia gjeologjike, që nuk ka asgjë mbinatyrore, mund të përfundojë për vullnetin e presidentit turkmen Gurbanguly Berdymukhamedov, transmeton ‘a2news.com’.

Ish-dentisti që kontrollon vendin me grusht të hekurt nga viti 2007, ka vendosur të mbyllë gropën për një seri arsyesh.  

Fillimisht sepse sipas tij “gropa e ferrit” ka dëmtuar ndër dekadash mjedisin përreth, duke ndikuar edhe te shëndeti i pak personave që jetojnë aty.

Por arsyeja  e vërtetë është ekonomike. Vendi është i pasur me burime natyrore, por ngritja domethënëse e gazit në vitet e fundit e shndërron gropën e njohur në një vrimë ku përfundojnë miliona euro.

“Po humbasim burime të vyera, që mund të shfrytëzojmë për të përmirësuar jetën e popullit”, mësohet se ka deklaruar Berdymukhamedov. Mbetet për t’u parë nëse mbyllja do të jetë e lehtë, apo gropa e ferrit do të shndrisë, e vetmuar, në errësirën e shkretëtirës.  

————–

Lexo edhe:

“PORTA E FERRIT”, VENDI KU FLAKËT QËNDROJNË NDEZUR QË PREJ 1971