Gjatë takimit të parë mes mistikut Xheladin Rumi dhe mësuesit të tij mistik, Shems Tebrizi, Rumi mbante në dorën e tij një libër.
Tebrizi ia mori nga dora dhe pasi e ktheu mbrapsht filloi të lexojë në të, mandej e flaku në lum.
Rumit iu sos durimi dhe i tha: ”Përse e hodhe në lum?! Në të gjendet dije e cila nuk gjendet në asnjë libër tjetër. Ishte dorëshkrimi i vetëm që kisha.”
Nga ana e tij, Tebriz as që e bëri qejfin qeder për fjalët dhe revoltën e Rumit. Pasi e la të shfryjë, e pyeti: ”E dëshiron sërish librin?”
Rumi: ”Sigurisht që e dua.”
Tebrizi zgjati dorën dhe e nxori librin të thatë nga uji, pastaj shtoi:”Duhet të nxësh një dije që nuk ka ujë që e fshin!”
I mrekulluar, Rumi tha: ”Do të vij pas teje që të më mësosh nga dijet e tua!”
Tebrizi: ”E ke të pamundur ta përballosh!”
Rumi: ”Do ta përballoj.”
Tebrizi: ”Atëherë, merre këtë bucelë me verë dhe shitua njerëzve në pazar!”
Rumi: ”Çfarë të bëj?! Po vera dhe shitja e saj është haram?! Unë jam klerik dhe dijetar!”
Tebrizi: ”Si të duash!”
Rumi: ”Më kërko diç tjetër!”
Tebrizi: ”Nuk dua asgjë tjetër…”
Atë natë, Rumi e kaloi duke menduar dhe pleqëruar fjalët e Tebrizit, derisa iu mbush mendja.
Të nesërmen, mori bucelën me verë, pa e hequr xhyben dhe çallmën e dijetarit dhe brodhi të gjithë rrugët e qytetit, duke u orvatur tu shesë njerëzve verë.”
Njerëzit e konsideruan të çmendur, të tjerë thanë se e kishte demaskuar Zoti, se ai i tillë kishte qenë që herët.
Pasdite vonë, Rumi u kthye tek Tebrizi, me zemër të thyer, i demoralizuar, i pashpresë, i përunjur… “Nuk shita dot as dhe një gotë verë” i tha.
Tebrizi ia ktheu: ”Kaq mjafton. Tani hiqe uniformën, laje dhe pastrohu!”
Rumi e pyeti: ”Po pastaj?”
Tebrizi iu përgjigj: ”Pastaj, asgjë. Tashmë ti je njeri i thjeshtë, si një fidan i vogël. Në kokë, nuk kishe një çallmë, por kishe një shkëmb të madh vetpëlqimi dhe egoje, e unë sapo ta shkërmoqa.
Gjithçka që doja ishte që të ta heq atë ego të fryrë për veten, që të rikthehesh në thelbin e realitetit tënd, pa tituj e temenara, t’i rikthehesh shpirtit tënd fillestar të qashtër, duhej ta hiqje këtë prestigj artificial, të cilin e kanë njerëzit e fesë dhe që njerëzit i shohin si të shenjtë.
Përktheu: Elmaz Fida
ObserverKult
Lexo edhe: