Në telefon më pëshpërit se të dhëmb gjithkah
Se të ka ikur shpirti diku kah unë e assesi s’po e gjen
Se gishtërinjtë e vegjël të këmbëve netëve të bien poshtë shtratit
Bashkë me gishtin e unazës që këputet si lule e vyshkur
Se gjithë venat e trupit gjarpërinj rreth qafe të janë bërë
Duke më kërkuar shtratit si kokërr gruri
O sa tmerr më jep derisa më pëshpërit në telefon
Se prej ditës kur m‘i paske pas falë sytë
Je bërë si ai Homeri –tokë e zezë
Sa krejt botën e sheh top të pëlcitur
-fillo e fli në krahun e djathtë, të them
Dhe lexo para gjumit lirika të lehta
Gishtërinjtë vej aty ku ishin e ktheje kohën e dielltë
E unazën me gishtin që të përkëdhelja
-dhe nisu se çdo udhë soset kur nisesh
kur nisesh të vish tek unë, nisu
gjeje shpirtin e humbur
nisu e m’i sill ata sy që i ke si globi
t’i shkëpus gjarpërinjtë nga qafa
e duart e mia t’i vë aty të pushojnë
duke t’i shikuar sytë që i ke si globi