Dije Demiri-Frangu: Shpesh më zë frika për botën

dije demiri frangu diella çitaku

kur i dolën dhëmbët Hitlerit më 1933
gjithë gjallesave ju kishte pas ikur qumështi nga gjinjtë
Gibelsi kishte pas nisur ta mësojë oratorinë për ta vënë botën në gjumë
e nënave si penj të hollë pambuku ju ishin pas këputur zemrat
ujërat ishin pas rrotulluar keqas e
degët e mollëve kishin pas çelur plot fantazma
të gjithëve si kokrra breshëri ju kishin pas rënë kordhat e zërit
bashkë me dhëmbët që kaherë kishin harruar kafshimin
grua e padhëmbë karnavalesh ishte pas bërë bota

sot
sa herë më ik zëri a më lëkundet ndonjë dhëmb
më zë frika për botën
e nisi të shkruaj poezi dashurie
në flokë muzash të varura si lule bagremi
vë mija puthje e pi qumësht dallëndysheje
duke u lutur për botën