Alban Bala: Lexoji sytë e mi…

të dua grua

Lexoji sytë e mi – librin që ta dhurova
Përpara se të të shihja në sy.

Lexoji sytë e mi –
Çdo ditë e kam një ngjyrë të re
Dhe një histori dashurie që flet për ty
Një përrallë për fëmijët, një hënë dhe një diell
Që fiket sa herë ti ndez ëndrrat si yje.
Lexoji sytë e mi – dy fletë të shkruara imët
Që i shënjoj për ty me fytyrë.

Është një liber i vogël në bibliotekën e ditëve
Ku flenë dija, harresa dhe kujtimet.

Lexoji sytë e mi! Në pemën e pranverës
Dy gjethe dridhen për ty.

Lexoji sytë e mi…