Diktatura dhe kanceri: Fati i trishtë i Drita Çomos

 “Jetuam që ata mos të jetojnë si ne… O Zot… kaq e pamundur është që njerëzit të jetojnë të lumtur?” (D.Ç) 19 shkurt, ditëvdekja e Drita Çomos, 39 vite më parë. Emrin dhe historinë ia njoha fillimisht nga libri «Dritë që vjen nga humnera», publikuar nga Shtëpia Botuese «Onufri».

Kopertina me portretin e saj, sjell ndërmend dikur fotografitë e maturës, por parathënia e Kadaresë, nuk të bind se i bëhej librit të një gjimnazisteje. Një personazh i panjohur për shumë njerëz, të cilët kanë pasur më shumë informacion për prindërit dhe familjen e nënës, Liri Belishova, partizane dhe viktimë e bindjeve të saj, por jo për të.

Njerëzit e dalë nga rrathët e Ferrit, sepse kanë mbetur të heshtur në dhimbjet e tyre, siç do të ishte dhe Drita nëse nuk do të publikoheshin shënimet e saj, pas vdekjes, një pjesë e të cilave janë dorëzuar nga bashkëshortja e një oficeri të sigurimit dhe publikohet me dëshirën e nënës. Bashkëbisedimi me fletët e bardha, nuk është si “Ditari i princeshës”. Shënime fatkeqësisht jo të përditshme dhe jo aq të gëzueshme, për shkak të rrethanave si e internuar.

Ky ditar vjen si një dëshmi për kohën në të cilën është shkruar.

Natyrisht, Drita nuk ishte hyjneshë, pra e pavdekshme, ajo do të fikej një ditë, por largimi në moshë të re e në kushte të mjerueshme, mbetet një trishtim i dyfishtë i quajtur kob.  Parathënia më përgatiti me tragjedinë. “Në udhët e jetës së saj i kishin dalë herët, tepër herët, dy nga përbindëshat më të zez të kohës: diktatura dhe kanceri”. (I. Kadare)

Periudha e përmbledhur i përket viteve 1974 e deri në shkurt 1981. Në të janë të bashkangjitura edhe një grusht poezish të shkruara prej saj.

Ditari i njëqindenjëzetenëntë ditëve nga jeta e Dritës, e cila mundi të ndriçojë zbehtësisht vetëm për njëzetetre vite, nuk denoncon hapur sistemin e kohës, por vetmia, dhembja, shënimet prej librave të lexuar, kalvari i saj, bëjnë një prezantim trishtues e askund nuk gjendet fija e shpresës për të dhe pse ajo i beson jetës. “Një njeri i vetëm nuk mund të bëjë asgjë, ndaj dhe ai i nënshtrohet fatit dhe ndoshta, vetëm të përpiqet që të paktën, imagjinata e tij të ecë krahë botës së madhe”.

Adoleshente përplaset me statusin e ri të pacientes së Spitalit Onkologjik, dhe e  Senatoriumit që e tërhiqte me gjelbërimin e vet, larg zhurmës apo ndotjes së qytetit ku jetonte e ndjente keqardhje kur “qielli i kish rrëzuar yjet në tokë».

Nëpërmjet shënimeve, rresht pas rreshti, përcillen ankthet e përditshme. Shihet qartë se dhimbjet e sëmundjes janë më të përballueshme se sa dhembjet e jetës, apo të të afërmve  nga njëri burg në tjetrin ku duhej t’i vizitonte sepse i donte me dhembjet e shpirtit. Dhe pse në humbëtirën e pashpresë, kishte besim tek e ardhmja, pavarësisht sprovave të përditshme, tallazeve të dhimbjeve që ia rrëmbenin oksigjenin e pakët.

Drita nuk shkruan pothuajse asgjë për realitetin politik apo historik të vendit. Por marëdhëniet me njerëzit, të njohur e të panjohur, me miq e shok, me familjen, tregojnë kohën në të cilën ajo mbijetonte. Dëshiron të vazhdojë studimet dhe e vetmja botë që i fal një fije drite është ajo e librit, por fatkeqesëshit u largua nga kjo jetë pa marrë diplomën e gjimnazit për shkak të persekutimit.

«Po ne urrejmë mërzinë,/Ja që dhembja, s’na trishtoka dot”.

Një vajzë e re nëpër stacione të përcaktuara, si Elbasani, Cërriku, Tirana, Lezha, që nuk janë gjë tjetër veç pikat e internimit-burgut-spitalit. Ditët apo netët mbështillen nga mendime filozofike që herë–herë, çuditesh si mund të jenë shkruar nga një vajzë njëzetvjeçare, e pafuqishme të kuptojë padrejtësitë e njerëzve, të cilët nuk tregohen të dashur me jetën, me njëri-tjetrin.

Emrat e miqve i shkruante me iniciale, nga frika se do t’i dënonin pse i qëndronin pranë.

Metaztazat e sistemit ishin më të forta se ato të sëmundjes. Ajo e dinte tanimë se mes dashurisë dhe urrejtjes më e fuqishme mbetej neveria kundrejt saj ndjenja që sistemi i kishte ofruar prej kohës,  kur familja u internua duke i burgosur jo vetëm lirinë, por edhe ëndrrat. Peisazhet në ditët e saj, janë pothuajse gri, shi, ftohtë e rrallë, ato diellore edhe pse deri në fund, i besoi verbërisht jetës.

“Kjo është jeta, të duash dhe të urresh, mos të kesh iluzione”.

Dukej sikur, gjëja më e bardhë që shihte, mbetej fleta e fletores ku rrëfehej; ku përpiqej të ndihej e lirë; ku hidhte mbi të gjitha, mendimet dhe brengat që e brenin çdo orë, sidomos në vargjet ku gjithçka shpërthente dhe rebelohej më guximshëm.

«Ai nuk lindi shqiponjë,/nuk ëndërron për qiej të kaltër,/Ai ka një sqep të stërmadh, të llahtarshëm,/ Dhe me të kërkon të shqyejë të ardhmen».

Kjo duket se është edhe drita që vjen nga humnera ku jetonte çdo ditë, duke u përpjekur të lumturonte sadopak njerëzit që i falnin dashuri. Leximi, poezitë, mësimi i anglishtes, puna e dorës, apo më vonë puna në ndërmarrjen Komunale të qytetit, kujdesi për lulishtet, ishin ato çka mbushnin ditët kur nuk ishte në spital apo në takimet e fiksuara burgjeve tek familjarët e saj.

«Kot të gjitha/ Po jetën e dua shumë/Dhe shpesh gëzohem aty kot, pa ditur,/Gëzohem që dua dhe më duan,/Për një copë qiell, për diçka të bukur».

Rrëfimi i saj është tepër i natyrshëm, ashtu si ajo e ndien, me momentet e pakta të gëzimit, shpresës, dhembjes, pikëpyetjeve të cilave sa më shumë lexonte e përjetonte aq më shumë e torturonin duke mos i gjetur dot pse-të.

1958-1981! Sa pak kohë dhe sa shumë trishtim për një vajzë që e donte jetën, por koha e kishte dënuar; e donte dashurinë, por i largohej me frikë; e adhuronte lirinë, por ia kishin burgosur “atë të cilën me asnjë thesar në botë, nuk mund ta krahasoje” ; e çmonte jetën, por sëmundja po e tërhiqte drejt vdekjes.

Kur lexon pikëllimin e saj si në ditar apo mes vargjeve, ndien një farë rebelimi kundrejt padrejtësisë njerëzore. Përlotesh me të, për ato ç’ka ajo ka kaluar në atë moshë të brishtë, kur fillon të deshifrojë jetën. E bukur, e zgjuar, e dashuruar me lirinë, i betohet vetes, se do te jetë gjithmonë po ajo, por “dreqi e di çdo të bëhet, po kujt t’ia vësh fajin”.

Drita, nuk e priti dot pranverën e 23-të. Shpirti sikundër edhe trupi, ndiheshin të dërmuar, tallazet ishin më të fortë se dëshira për të rrojtur ende. Nga humnera e saj u përpoq të dërgojë pak rreze drite të një shpirti të sinqertë, të pastër, mesazhin e dashurisë për jetën dhe njeriun.

Liria është pasuria që ushqen gjithkënd, me dashuri dhe mirënjohje. Vetëm kaq pak Dritë, por t’i nuk arrite ta përjetosh siç duhej.

«E hënë, 9.II.81

…Dje kam qënë jashtë mase e këputur. Kam pengesë në frymëmarrje. Kam pengesë në frymëmarrje, nuk ngopem dot me frymë dhe pulsi me rreh shumë shpejt, sidomos kur ngrihem. Edhe oreksi sikur më iku…”

Ky ishte shënimi i saj i fundit pasi pas dhjetë ditësh, drita e saj do të shuhej…

Njëqindenjëzetë e nëntë dritë nga rrezatimi i një shpirti të vrarë./Konica.al

Mimoza KUCHLY

Paris 2020