Dikur kur nuk kishte rrjete sociale e “smartphone”… si ishte fëmijëria atëherë…

Nga: Cristiano Roscini

“Në kohën tonë nuk kishim chat-e; nuk kishim grupe në Whatsapp; nuk kishim smartphone, rrjete sociale dhe as mesazhe. Ekzistonte vetëm telefoni fiks, por atje përgjigjeshin gjithmonë prindërit. Maksimumi i teknologjisë që zotëronim, ishte një zile në shtëpi, të cilës ne i binim për t’i njoftuar shokët tanë se po i prisnim jashtë.

Por realisht, nuk ishte e nevojshme as t’i binim ziles, sepse ata e dinin që kishim dalë. Na dëgjonin prej zërave tanë. Ata e dinin se ku ishim, e dinin se kur ishte orari për të dalë dhe e kuptonin se kush kishte dalë nga zërat tanë.

Fund të fundit, jeta jonë ishte e gjitha aty, të ulur rreth një tavoline ose një mbulese, të transformuar në një shtëpi të dytë. Ekzistonte në grup ai që bëhej vonë përherë. Që nuk e dinte askush prej nesh se kur do të vinte, sepse kishte gjithmonë diçka për të bërë. 

Ishte ajo që shihte vazhdimisht orën, sepse duhet të kthehej herët në shtëpi. Por që shpesh bëhej vonë dhe e kalonte orarin e caktuar nga prindërit.

Ekzistonte i bukuri i shoqërisë, i cili nuk e kalonte ditën duke bërë fotografi. Por i mjaftonte ta shihte dikë në sy për ta bërë të dashurohej me të. 

Ishte ai që ngrinte polemika, që nuk i dukej asgjë mirë dhe kishte ankesa për çdo iniciativë të re në grup. Ishte shpikësja, ajo që kur të gjithë nuk dinim çfarë të bënim. Hidhte një ide për ta bërë ditën më të bukur.

Kishim dhe një rrëfimtar që gjente përherë një histori për të treguar. Një të zgjuar që na jepte këshilla sa herë kishim nevojë për to; një më të moshuar që edhe pse kishte lindur dy muaj përpara të tjerëve, i dukej vetja superior dhe kërkonte respekt maksimal.

Ishim të gjithë, të lumtur e të buzëqeshur, e nuk e kuptonim se ato momente do të iknin shumë shpejt, ashtu si një peizash i bukur që e sheh nga dritarja e një treni në nxitim. Ama diçka mbetet brenda nesh, gjithmonë…”/bota.al


Lexo edhe:

ZBULOHET E KALUARA “DRITHËRUESE” E KËTIJ QYTETI, TASH MBROHET NGA UNESCO