Dikur luante Mimoza Llasticën, aktorja shqiptare dhuron shtretër, ambulanca…

Aktorja shqiptare, Zhaklina Dhimojani Blättler, i ka ofruar ndihmën e saj institucioneve shqiptare për përballimin e situatës të krijuar nga Covid-19. Ajo ka dhuruar 40 shtretër dhe orendi të tjera spitalore, autoambulancë, gjashtë furgona, dy zjarrfikëse dhe pajisje informatike për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë.

Zhaklina falënderoi bashkëshortin e saj Stefan Blättler i cili nuk ka kursyer mbështetjen e tij për këto nisma humanitare, pasi edhe më herët kanë dhuruar respiratorë për spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” për të ndihmuar pacientët e infektuar nga Covid-19, transmeton ‘korcajone.al’.

Zhaklina Dhimojani Blättler është e njohur për rolet e saj në filmat e para viteve ’90. Një ndër rolet më të spikatur të aktores është dhe “Mimoza llastica”. Zhaklina ka jetuar prej thuajse 30 vitesh në Itali e Zvicër. Aktualisht jeton në Bernë, ku është drejtuese e Sektorit të Marrëdhënieve me Ballkanin pranë “PPCE”.