reklamë

Dimensioni moral dhe metafizik i kanunit në interpretimin e Nysret Krasniqit

Nga Blinera Hajdari

Kanuni, si një nga format më të rëndësishme të rregullimit të jetës shqiptare, nuk përfaqëson vetëm një sistem normash juridike, por një strukturë të thellë morale dhe metafizike që rregullon jetën e individit dhe të komunitetit. Te vepra studimore “Kanunet e Gjeçovit”, Nysret Krasniqi e interpreton kanunin përtej dimensionit juridik, duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë filozofik dhe kulturor. Sipas kësaj qasjeje, kanuni është një sistem që ndërton marrëdhënien e njeriut me vetveten, me tjetrin dhe me rendin e përgjithshëm të botës.

Gjeçovi kishte filluar mbledhjen e ligjeve dokjesore, kryesisht të Shqipërisë Veriore, që më vonë marrin emrin ”Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Botimi i tyre fillon te revista ”Albania” e Konicës për të vazhduar te ”Hylli i Dritës”, deri kur Gjeçovi vritet nga forcat serbe në Has të Kosovës, më 1929.

Kanuni i mbledhur prej tij është i organizuar në 12 libra, që përfshijnë aspekte të ndryshme të jetës shoqërore dhe juridike, si: Kisha, Familja, Martesa, Shpi gja e pronë, Puna, Të dhanunat, Fjala e gojës, Ndera, Damet, Kanuni kundra mbrapshtivet, Kanuni i pleqnis dhe Shlirime e perjashtime.

Kështu, kanuni shfaqet si një formë e organizimit të jetës që lidhet ngushtë me konceptin e nderit, me kontrollin e impulseve individuale dhe me raportin e njeriut me metafiziken. Ai nuk është vetëm një kod sjelljeje, por një mënyrë e të menduarit dhe të ekzistuarit brenda një bote të strukturuar sipas parimeve të qarta morale.

Në qendër të kanunit qëndron njeriu si individ (individum), i cili është bartësi kryesor i normave dhe vlerave të këtij sistemi. Ai zotëron nevojën për nderimin e qenies së tij singulare nga tjetri, nga ”shoqi” i tij siç shprehet autori. Sipas interpretimit të Krasniqit, kanuni e koncepton njeriun si një qenie që nuk mund ta pranojë cenimin e nderit. Shprehja se “shpirti i njeriut nuk e pranon çnderimin” përfaqëson një nga parimet themelore mbi të cilat ndërtohet e gjithë struktura morale e kanunit. Qenia njerëzore posedon imanencën arketipore të kërkesës për nderim.

Ky koncept i nderit nuk është vetëm individual, por edhe kolektiv, pasi ai lidhet ngushtë me familjen, për të kaluar në fis, shoqëri, shtet e komb. Nderi i individit është njëkohësisht nderi i familjes dhe i komunitetit, dhe çdo shkelje e tij kërkon reagim për të rivendosur ekuilibrin moral.

Kanuni përcakton edhe një sistem të qartë marrëdhëniesh që individi duhet të respektojë: ndaj Krijuesit, ndaj babait, nënës, gruas… Këto raporte përbëjnë bazën e rendit moral dhe tregojnë se njeriu në kanun është i vendosur brenda një rrjeti të strukturuar detyrimesh dhe përgjegjësish.

Sot, të merresh me kanunin shpesh shihet me skepticizëm dhe, siç theksohet në vepër, mund të rrezikosh të marrësh epitetin “donkishotesk”. Kjo ndodh sepse kanuni shpesh lidhet me praktika të vjetra, madje kthim në fisnoren, e cila është harruar ose duhet të harrohet! megjithatë, një qasje e tillë rrezikon të injorojë dimensionin e tij kulturor dhe historik. Sipas Krasniqit, kanuni duhet parë si një dëshmi e asaj që ka qenë shoqëria shqiptare dhe si një element që ndihmon në kuptimin e identitetit kulturor. Ai “dëshmon çfarë ka qenë dhe ridëshmon çka je”, duke e bërë të qartë se tradita nuk duhet vetëm të ruhet, por edhe të zhvillohet. Madje Gjeçovi ishte i vetëdijshëm se të huajt, do ta shihnin Kanunin si një monument të kulturës identitare, siç citohet Sabri Hamiti ne vepër.

Një aspekt i rëndësishëm në interpretimin e kanunit është tensioni midis impulseve individuale dhe nevojës për kontroll moral. Në këtë kuadër, lakmia (epothymia) paraqitet si një forcë që mund të çojë në prishjen e rendit të brendshëm të njeriut dhe të komunitetit. Kur individi udhëhiqet nga dëshirat e pakontrolluara, ai rrezikon të shkelë normat dhe të dëmtojë harmoninë shoqërore. Lakmia është pjesë tjetër e shpirtit, forca e të cilës lidhet zakonisht me kërkesat e trupit (somantika), që mund të cojnë në mohime të nderit arketipik, i cili cilësohet si dhanti e Metafizikës, Njëshit Transcedental apo Zotit.

Përballë kësaj, kanuni vendos logon (arsyen) si mekanizëm kontrolli. Logosi përfaqëson aftësinë e njeriut për të rregulluar sjelljen e tij dhe për ta vendosur atë në përputhje me normat dhe vlerat e pranuara. Në këtë kuptim, kanuni është edhe një sistem edukues që synon të formojë një individ të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm, sepse Logosi është elementi i tretë i shpirtit që mban nën kontroll lakminë.

Vepra na bën të qartë se puna e Gjeçovit nuk ishte vetëm një akt dokumentimi, por edhe një proces interpretimi që ndikoi në mënyrën se si kanuni u kuptua dhe u transmetua në studimet e mëvonshme. Një nga idetë më të rëndësishme që del nga interpretimi i Krasniqit është se baza e parë e kanunit është raporti i njeriut me metafiziken (Kisha). Kjo do të thotë se sjellja e njeriut në jetën e përditshme është e lidhur me një sistem besimesh dhe vlerash që e tejkalojnë dimensionin tokësor.

Kjo metafizikë kanunore krijon një botë që është njëkohësisht fisnike dhe e rreptë. Fisnikëria dhe rreptësia qëndrojnë në respektimin e normave, në ruajtjen e nderit dhe në besnikërinë ndaj vlerave tradicionale. Mirëpo, kjo botë është edhe autentike, sepse buron nga vetë përvoja historike dhe kulturore e komunitetit shqiptar.

Françeskanët, ndër ta dhe Gjeçovi, nuk ndahen nga koncepti i famshëm, binomi atme e fe, për të cilin Krasniqi shprehet se është tharm i qenies së tyre, madje koncept testamental nacional.

Kanuni përfaqëson një formë të së drejtës dokjesore, e cila nuk është e shkruar fillimisht, por që fiton fuqi përmes pranimit dhe zbatimit nga komuniteti. Në këtë kuptim, ai nuk është një ligj i imponuar nga një autoritet i jashtëm, por një sistem që lind nga vetë shoqëria.

Një nga paradokset më interesante të kanunit është fakti se ai shfaqet si një garanci për lirinë e individit, por njëkohësisht vendos kufizime mbi sjelljen e tij. Kjo liri nuk është absolute, por është e lidhur ngushtë me përgjegjësinë. Individi është i lirë për aq kohë sa respekton normat dhe detyrimet që rrjedhin nga sistemi kanunor.

Në këtë kuptim, kanuni krijon një ekuilibër midis lirisë dhe rendit, duke e bërë të mundur bashkëjetesën brenda një strukture shoqërore. Gjeçovi del si një modernist i përhershëm, që e ka ideal jetësimin e shoqërisë moderne mbi bazë të ekuilibrit konstant të së kaluarës me të tashmen.

Kanuni, në veprën e Nysret Krasniqit, paraqitet si një sistem kompleks që ndërthur elemente juridike, morale dhe metafizike. Ai nuk është vetëm një kod rregullash, por një mënyrë e organizimit të jetës. Përmes analizës së profesorit, bëhet e qartë se kanuni duhet studiuar jo vetëm si një fenomen i së kaluarës, por edhe si një element që ndihmon në kuptimin e identitetit kulturor dhe të strukturës së vlerave në shoqërinë shqiptare, sepse kanuni mbetet një burim i rëndësishëm për reflektimin mbi raportin midis traditës dhe modernitetit. Vetë, Gjeçovi e dinte se e ardhmja nuk mund të jetë utilitare pa krenarinë e së kaluarës, si rrjedhojë të kaluarën e shihte me syrin e kultit religjioz.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ibrahim Rugova- figurë e madhe e një populli të vogël

.