Tregim nga Dino Buzzati: Gungat në kopsht

Nga Dino Buzzati

Kur bie nata, mua më pëlqen të bëj një shëtitje në kopsht. Nuk besoni që të jem i pasur. Një kopsht si i imi e keni të gjithë. Pak më vonë do ta kuptoni përse.
Në errësirë-por nuk është krejtësisht errësirë, sepse nga dritaret e ndriçuara të shtëpisë vjen një refleks i dobët drite-në errësirë unë eci mbi livadh, këpucët fundosen paksa në bar dhe ndërkaq mendoj e, duke menduar, ngre sytë për të vështruar qiellin nëse është i kthjellët dhe, në qoftë se ka yje, i vrojtoj duke pyetur veten për shumë gjëra. Por ka netë që nuk i bëj pyetje vetes, yjet qëndrojnë atje lart sipër meje si të budallepsur e nuk më thonë asgjë.
Isha ende një djalosh kur, duke bërë shëtitjen time të zakonshme të natës, u ndesha në një pengesë. Duke mos parë, ndeza një shkrepse. Mbi sipërfaqen e sheshtë të livadhit dallova një xhungë të ngritur dhe kjo ishte diçka e çuditshme. Ndoshta kopshtari do të ketë bërë ndonjë punë, mendova, do ta pyes nesër në mëngjez.
Të nesërmen thirra kopshtarin, i cili quhej Xhakomo dhe e pyeta:
-Çfarë ke bërë në kopsht, në livadh është një si gungë, mbrëmë u pengova në të e sot në mëngjes, sapo agoi dita, e pashë. Është një gungë e ngushtë e gjatoshe si kurriz, i përngjan një tume varri. Mund të më thuash çka ndodhur?
-Nuk është se i përngjan, zotëri,-tha kopshtari Xhakomo, -është pikërisht një tumë varri. Sepse dje, zotëri, vdiq një miku juaj.
Ishte e vërtetë. Miku im i shtrenjtë Sandro Bartoli, njëzet e tre vjeçar, kishte vdekur në mal me kafkë të coptuar.
-Mos do të thuash, -i thashë Xhakomos, -që miku im është varrosur këtu?
-Jo, -u përgjigj ai, -miku juaj, sinjor Bartoli, është varrosur në rrëzë të maleve, që ju i njihni. Po këtu, në kopsht , livadhi është ngritur vetë, sepse ky është kopshti juaj, zotëri, dhe gjithçka ndodh në jetën tuaj, zotëri, do të ketë një vijim pikërisht këtu.
-Shko, shko, të lutem, këto janë bestytni të kota, -i thashë, -të lutem ta sheshosh atë gungë.
-Nuk mundem, zotëri, -u përgjigj ai, -as edhe njëmijë kopshtarë si unë nuk do t’ia dilnin mbanë ta sheshonin atë gungë.
 
Pas kësaj nuk bëri asgjë dhë gunga mbeti atje e unë, në mbrëmje, pasi kishte rënë nata, vazhdoja të shëtisja në kopsht e ndonjëherë më ndodhte të pengohesha në të, por jo shumë shpesh, meqënëse kopshti është mjaft i madh. Ishte një gungë e gjërë shtatëdhjetë centimetra dhe e gjatë një metër e nëntëdhjetë, sipër i rritej bari dhe lartësia nga niveli i livadhit duhet të ishte rreth njëzet e pesë centimetra. Natyrisht, çdo herë që pengohesha në gungë, mendoja për atë, mikun e shtrenjtë të humbur. Por kish të ngjarë të ishte edhe e kundërta. Domethënë se, shkoja përplasesha në gungë, sepse në atë çast isha duke menduar për mikun tim.
Por kjo çështje është mjaft e vështirë për t’u kuptuar .
Kalonin, përshembull, dy ose tre muaj pa u përplasur në atë reliev të vogël gjatë shëtitjeve të mbrëmjes. Në këtë rast, më rikthehej kujtimi për të e atëherë ndaloja dhe, në heshtjen e natës, e pyesja me zë të lartë: Po fle?
Por ai nuk përgjigjej.
Në të vërtetë ai flinte, por larg, nën shkrepa, në një varrezë mali e, me kalimin e viteve, askush nuk kujtohej më për të, askush nuk i çonte lule.
Kaluan shumë vite dhe ja, një mbrëmje, gjatë shëtitjes së zakonshme, pikërisht në qoshen e kundërt të kopshtit, u pengova në një tjetër gungë. Për pak nuk u rrëzova sa gjatë gjërë. Kishte kaluar mesnata, të gjithë kishin rënë për të fjetur, por aq i madh ishte zemërimi im, sa zura të thërras me zë të lartë: Xhakomo!
Xhakomo!- pikërisht me qëllimin për ta zgjuar. E, në fakt, u ndriçua një dritare dhe Xhakomoja u shfaq në ballkon.
-Ç’djallin është kjo gungë?-thërrisja, -Ke bërë ndonjë gërmim?
-Jo, zotëri. Vetëm se, ndërkohë, ka ikur nga kjo botë një shoku juaj i shtrenjtë pune. –tha ai. –E quanin Kornali.
Ca kohë më pas u përplasa në një gungë të tretë dhe, ndonëse ishte natë e vonë, edhe këtë herë thirra Xhakomon, që po flinte. E dija shumë mirë tashmë se ç’kuptim kishte ajo gungë, por atë ditë nuk kisha marrë asnjë lajm të keq, prandaj isha gjithë ankth ta mësoja.
Xhakomo, i durueshëm, doli në dritare.
-Kush është?-e pyeta.-Ka vdekur ndokush?
-Si urdhëron, zotëri!-tha ai. –Quhej Xhuzepe Patanè.
Kaluan pastaj disa vite mjaft të qetë. Por në një farë kohe shumëfishimi i gungave filloi përsëri në livadhin e kopshtit. Kishte të vogla, por, nga ato soj gungash, ishin ngritur përpjetë edhe ca gjigande që nuk mund të kapërceheshin me një hap. Që t’i kaloje ishte vërtetë e domosdoshme të ngjitëshe nga njëra anë e pastaj të zbrisje nga tjetra sikur të ishin kodrina. Të kësaj rëndësie, brenda një kohe të shkurtër, u rritën dy njëra pas tjetrës dhe nuk qe nevoja të pyesja Xhakomon se çfarë kishte ngjarë. Atje poshtë, në ato tuma të larta sa një bizon, rrinin mbyllur pjesë të shtrenjta të jetës sime, të rrëmbyera mizorisht.
Prandaj, çdo herë që në errësirë përplasesha me këto dy male të tmerrshëm, shumë ngjarje të dhimbshme më përzjeheshin përbrenda dhe unë qëndroja atje si një fëmijë i trembur e thërrisja miqtë me emër. Kornali, thërrisja, Patanè, Rebici, Longanezi, Mauri, thërrisja, ata që ishin rritur me mua, që për shumë vite kishin punuar me mua. E pastaj, me zë akoma më të lartë: Negro! Vergani! Ishte sikur të bëje apel. Por askush nuk përgjigjej.
 
Pak nga pak, pra, kopshti im, që njëherë e një kohe ishte i sheshtë e i rehatshëm për shëtitje, u shndërrua në një fushë beteje. Bar ka akoma, por livadhi ngrihet e ulet nëpër një labirint me male, gunga, xhunga, të ngritura dhe secila prej këtyre të ngriturave i përgjigjet një emri, çdo emër i përgjigjet një miku, çdo mik i përgjigjet një varri të largët dhe një boshllëku këtu brenda meje.
Këtë verë, pastaj, u ngrit një aq e madhe sa që, kur iu ndodha pranë, profili i saj ma fshehu krejt pamjen e yjeve. Ishte e madhe sa një elefant, sa një shtëpi gjigande, ishte diçka e frikshme t’i ngjiteshe, një farë kacavarjeje, kështu që ishte më mirë ta shmangje ngjitjen, duke i rënë përqark.
          Atë ditë nuk më kishte ardhur asnjë lajm i keq, prandaj, ajo gungë e re në kopsht, më habiti pa masë.
Por e mësova shpejtë: ishte miku im më i shtrenjtë i rinisë, që kishte shkuar përgjithmonë. Midis tij e meje kishte pasur aq shumë të vërteta, bashkë kishim zbuluar botën, jetën dhe gjërat më të bukura të saj, bashkë kishim eksploruar poezinë, pikturën, muzikën, malet dhe ishte e logjikshme që, për të mbajtur tërë këtë material të pafund, duhej vërtet një mal i tërë.
           Në këtë pikë më përshkoi një drithërimë rebelimi. Jo, nuk mund të jetë e vërtetë, i thashë vetes i frikësuar. Dhe prapë edhe njëherë i thirra miqtë me emër. Kornali! Patanè! Rebici! Longanezi! –thërrisja-Mauri! Negro! Vergani! Segala! Orlandi! Kiareli! Brambila! E tamam në atë çast u ndje një si fëshfërimë fryme, që vinte nga thellësia e natës e më përgjigjej po, ju betohem që një farë zëri më thoshte po dhe vinte nga të tjera botë, apo ndoshta ishte zëri i ndonjë zogu nate, sepse zogjve të natës u pëlqen kopshti im.
         Tani, ju lutem, mos më thoni: përse vrapon pas këtyre trishtimeve të llahtarshme, jeta është kaq e shkurtër dhe e vështirë në vetvete; të na e hidhërosh me qëllim është budallallëk; në fund të fundit, këto trishtime nuk na përkasin neve, të përkasin vetëm ty.
Ah, jo, përgjigjem unë, fatkeqësisht u përkasin edhe juve, do të ishte bukur, e di, të mos iu përkisnin. Sepse kjo ngjarja e gungave të livadhit u ndodh të gjithëve dhe, secili prej nesh, po shpjegohem qartë më në fund, është pronar i një kopshti ku ndodhin ato fenomene të dhimbshme. Është një histori e vjetër, që përsëritet që nga fillimi i shekujve, edhe për ju do të përsëritet. Dhe nuk është një shaka letrare, gjërat qëndrojnë pikërisht kështu.
Natyrisht, pyes veten edhe nëse në ndonjë kopsht do të ngrihet një ditë një gungë që do të më përkasë mua, qoftë edhe një gungëz e rangut të dytë apo të tretë, një rrudhosje, makari, e livadhit, që ditën, kur dielli rreh nga lart, as që mund të shikohet. Sidoqoftë, një person në botë, të paktën një, do të pengohet atje.
     Ka të ngjarë që, për faj të karakterit tim të mallkuar, unë të vdes vetëm si një qen në fund të ndonjë koridori të vjetër e të shkretë. E megjithatë, një person atë mbrëmje, do të pengohet në gungëzën rritur në kopshtin e tij, do të pengohet edhe natën pasardhëse dhe çdo herë do të mendojë-faleni shpresën time-me një fije keqardhje do të mendojë, për një farë tipi, që quhej Dino Buxati.

*Shkëputur nga libri me tregime i Dino Buzzatit: Rënia e shenjtorit *

Përktheu: Hasan S. Bregu

*Titulli i origjinalit: “Gungat në kopsht”

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

DINO BUZZATI: DITË TË HUMBURA