reklamë

Disa fjalë për romanin “Nënë Bija” të Zyrafete Manajt

Nga Luan Rama

Romani “Nënë Bija”, një roman që lexohet shpejt pasi në faqet e tij është një jetë dramatike që rrjedh si një lumë i rrëmbyer, një kronikë e kohëve të zymta të Kosovës. Romani nuk pretendon të bëjë një afresk të asaj që ndodhi në Kosovë në fundin e shekullit XX, në kohën e errët të Millosheviqit. Mjaftonte historia e një familje të thjeshtë, e lidhur fort pas tokës dhe lirisë për të kuptuar jetën e të gjitha familjeve shqiptare në Kosovë, jetën tronditëse me pengje, linçime, burgje, të ikur larg dhe të vrarë. Sigurisht, aty lexova faqe të jetës së autores, të një rinie në revoltë që nuk e theu burgu dhe ku gjithçka sillet rreth një nëne, nënë Bija, ku gjithçka është reale, jo një fiksion por shkruar me gjuhën e një nëne siç e ka dëgjuar auorja, me dhimbjen e madhe të saj dhe rrugëtimin udhëve drejt burgjeve ku është prangosur vajza e saj, djali i saj i dërmuar nga torturat.

Dhe në atë rrugëtim të lodhshëm e të vështirë unë shoh sot vuajtjet e mijëra nënave që kërkonin atëherë bijtë e bijat e tyre që donin me çdo kusht lirinë, edhe përmes gjakut, ato nëna që dhe kur i kthenin mbrapsht që mos të takonin pjellat e tyre ato do të shkonin sërish edhe përmes stuhisë, dëborës, postblloqeve. E dinin që kjo ishte sakrifica e madhe e fëmijëve të tyre që po rriteshin në kohë terrori dhe se sakrifica do të thoshte të ishe dhe martir dhe këtë ata e kishin pranuar, por dhe zemra e nënës e kishte pranuar dhe kjo ishte forca më e madhe e një nëne.

E kështu, brenda tregimit ravijëzohet figura e Artës, e asaj që ti e autorja e njeh mirë, që e ka përjetuar në zemrën e saj që në kohën e manifestimeve të «Kosova- Republikë», që ka vuajtur bashkë me të, ka ecur e ëndërruar bashkë me dritën e një shprese të madhe, me imazhin e lirisë që besonte se do të vinte një ditë.

Arta provoi gazin lotsjellës, pastaj përndjekjet, arrestimet, torturat, burgjet, nga burgu i Mitrovicës në burgun e Lipjanit, Pozharevcit… Dhe kur Bija vinte e shihte pas hekurave ajo i thoshte «Mos e ul kokën». Ishte si një fjalë shenjti ! Dhe ajo nuk e ulte kokën. As Lisi nuk e uli kokën që nënë Bija i shkonte në burgun e Nishit dhe e gjente të transformuar nga torturat, gjithë plagë por jo të thyer.

Liria ka gjithnjë një çmim të madh dhe Bija e dinte këtë, e kishte të shkruar brenda shpirtit, në librin, palimpsestin e popullit të saj, e kishte si një talisman. Shtëpia e saj ishte si të gjitha shtëpitë e Kosovës, të thjeshta, me shumë vuajtje dhe dashuri, oda e të rinjve ilegalë, streha të lirisë. Në vetminë e saj, me zemrën e helmuar ajo vërtitej si një figurë mitike e tragjedive të mëdha. Dhe autorja shkruan: “Në çdo cep të shtëpisë jetonte kujtimi i dikujt prej tyre…” Po, shtëpia kthehej si në një libër historie që do ta lexonin te tjerët. Dhe kështu, nga faqet e romanit unë e pashë fytyrën e Bijës, e krijova me gërmat e fjalëve të tua dhe kjo është vlera e romanit tënd që lexuesi të jetojë me personazhin, ta rikrijojë brenda vetes, të ndjejë pulsimin e një zemre tjetër, hapin e saj, fjalën, trishtimin e besimin. Aty unë pashë sytë e saj të lodhur por me një dritë që shkëlqente në thellësi të tyre. Ishte besimi i një agu të ri. Një zemër nëne që nuk thyhet, një nënë me burrin e saj ilegal që punon larg në dhe të huaj për të mbajtur gjallë familjen. Sakrifica është e madhe. Është koha kur Kosova jeton ditët e saj më të vështira, midis jetës dhe vdekjes.”

Romani nuk ka përshkrime romantike pasi koha nxiton, zemrat vuajnë. Të shkruash për një kohëpushtimi nuk ke nevojë të krijosh histori, të shpikësh. Historia të vjen e të përplaset në fytyrë sapo hedh hapin në rrugë, sapo kalon një prag. Autorja shkruan për Bijën por të gjitha nënat janë si ajo, kudo dhe në fshatrat më të largëta të Kosovës. Ka diçka universale në të gjithë këtë. Po, nuk ka nevojë për romantizëm pasi është koha e hekurit dhe e zjarrit, koha e plumbit. Shtëpia shkrumbohet, librat digjen, rrobat e fëmijeve të rritur para kohe, shalli i Artës, këpucët e Malit, këmishët e Lisit, digjen… Por jo kujtesa, jo besimi për një Kosovë të lirë. Dhe ja tek më rishfaqet fytyra e nënë Bijes, e asaj që rikrijova gjatë leximit, e Bijes që vërtitet nëpër shtëpinë e shkrumbuar me trarët e rënë dhe një cep qielli që shfaqet lart çatisë së djegur me tymin që ende ngrihet lart. Dhe kur njerëzit i thonë Bijes me dhimbje “Ta dogjën shtëpinë”, ajo u përgjigjet “ E dogjën gurin por jo shpirtin!”…

Gjuha e Bijës është gjuha e popullit që ka kaluar një jetë të tërë nën dhunë por nuk është mposhtur. Shpirti është më i fortë se guri. Një mësim historik!… Është fundi i luftës. Kosova është e lirë. Bijtë dhe bijat kthehen nga malet dhe secili ka plagët e tij. Dhe dikush e pyet nënë Bijen: “Nëse do kishe një tjetër jetë çfarë do doje të ishe?” – “Ajo që isha. Nënë e kësaj toke, sepse vetëm toka nuk e lë asnjë grua dhe asnjë burrë pa strehë!”

Nënë Bija është një mençuri popullore, qëndresë popullore. Popujt mund t’i burgosësh, mund t’i plagosësh dhe t’i vrasësh por ata nuk vdesin. Është feniksi që jeton brenda tyre… Autorja na e jep luftën e Kosovës përmes historisë së një familje ku secili lexues e përjeton në mënyrën e tij, një jetë dhe luftë që i përfaqëson të gjithë…

ObserverKult


Lexo edhe:

Nesër mbahet manifestimi kulturor: Për çikat. Për gratë. Për jetën!