
Nga: Agron Gërguri
Shfaqje e ambientuar në një gjendje post apokaliptike ku gjithçka është djegur dhe gjithandej vjen erë vdekjeje. Dy personazhet babë e bir sillen në një rreth vicioz me qerren e diellit pa e ditur më kah është lindja e kah perëndimi, duke u munduar t’i japin kuptim lëvizjes ata takojnë personazhet e tjera që i kanë shpëtuar kataklizmës. Një vrasje apo më saktë një njeri i vdekur bëhet idomë e asaj që synon t’ na dëftoj shfaqja. Fundi a është fillim dhe jeta a lind mbi vdekje?! Kjo pyetje si dilemë e përcakton pistën e veprimit dramaturgjik dhe regjisorial përplot ndërthurje e argumente që mblidhen gjatë lëvizjes së karrocës dhe bëhen narracion i dramës të cilin e kuptimëson fakti se shfaqja jepet në ambient të hapur ku edhe hëna bëhet personazh që sodit nga qielli dhe i jep rrëfimit dimension kosmik duke zvogëluar njeriun dhe universalizuar problemin njerëzor. Të mbetur të vetëm në një tokë që nuk dihet e kujt është Martini (Andi Bajgora) e Gjergji (Mensur Safqiu) nuk gjejnë rrugën ku e kah duhet të shkojnë derisa të vdekurin të cilin e ngarkojnë në karrocë si një barrë e krimit të dikujt, nuk arrijnë ta varrosin sepse nuk e dijnë kush është dhe cili është shkaku i vdekjes së tij. Në të njëjëtin ambient apokaliptik është edhe një grua (Qëndresa Loki) që shkon deri në vetëvrasje pasiqë uji i pusit të ndytë nuk e pastron nga mëkati i panjohur. Një tjetër personazh (Shpëtim Selmani) përfaqëson apotheozen tokës dhe bukës. Në strehën e tij ka mbetur vetëm kashta dhe sofra e zbraztë ndërsa nga fëmijët vetëm djepi. Një nënë (Igballe Qena) që pret. Zërat që vijnë nga qielli na bëjnë të kuptojmë se shpirtërat tashmë lundrojnë nëpër kujtesë derisa jeta ka ikur në vdekje. Karroca bëhet anije kosmike, e spektatorët të mbërthyer në ambientin e dizejnuar skenikisht provokativ bëhen pjesë e produkcionit të kësaj shfaqje multimediale e cila nis me instalacione: shtëpinë që rri pezull, pemën e kujtesës nëpër të cilën ecë spektatori deri sa mbërrinë në hapësirën ku zhvillohet shfaqja. Rrugës të shoqërojnë zëra që herë janë e herë nuk janë të artikuluar por të fusin në një ambient në dukje surealist në esencë kosmik apo përtej konkretes, në një hapësirë ku kuptimim e kërkon vetë spektatori pavarësisht a e gjen apo jo, kryesorja mendja aktivizohet, pyet, dyshon, përhumbet dhe ndalet të pyes veten çka është kah ndodhë.
A mjafton të na fascionoj përshtypja, përceptimi, provokimi apo do duhej të na ofroj një përmbajtje pasi që arrinë të na marrë për dore e të na dërgojë aty ku e kishin synimin, Arta autorja e tekstit dhe Ilirijana- regjisoria e shfaqjes, në një ambient që deshe s’deshe të shtyn të mendosh kah po shkon njeriu?! Pa çka që personazhet si bartëse të veprimit teatror dukeshin të zvogëluar dhe depersonalizuar në raport me kataklizmen e ndodhur. Vendndodhjen e dramës sikur e kishte shkretëruar ngrohja globale, mungesa e gjelbrimit, e fjalës dashuri e cila shndërrohet në veprim kujtese derisa në një punkt veprimi skenik shfaqet një grua e re e cila bënë një ritual të pastrimit të burrit sado që kjo skenë nuk arrin që të na intimizojë me idiomën e krijuar bukur si shprehje atu e teatrit për t’na drithëruar dashurisht ajo frikshëm na e pasqyron të kundërtën e asaj që shikojmë: mungesën e dashurisë e cila e ka varfëruar për të mos thënë shkretëruar jetën e secilit prej nesh.
Duke shikuar se si po zhvilloheshin veprimet skenike të imponohej pyetja pse marrëdhëniet midis personazheve nuk zhvillohen deri në shpërthim dramatik që shqetëson përtej ambientit i cili dosido të përfshin por më tutje nuk flet sikur i frikohet dritës dëshmuese të hënës. Dialogët sporadik kryesisht metaforik nuk prekin ndjenja e nuk provokojnë emocione të cilat i pretendon një rrëfim skenik. Kështu më vjen mendimi i parë pastaj konstatoj se kjo shfaqje pretendon të shkoj përtej në dimensione ku shpirti i njeriut përplitet por nuk e gjen dot rrugën deri te trupi i vdekur. Ka pëlcit big beni i shpirtit dhe bota po jetonë kataklizmën e mungesës së njerëzores është dehidruar emocionalisht. Bazuar në ambientin apokaliptik personazhet e përhumbur kanë veprime “autonome” në kërkim të pamundur për gjetur vrimën e daljes nga gjendja. Përveç marrëdhënies babë – bir tjerat marrëdhënie nuk kanë zhvillim raporti por vetëm konstatim gjendjeje.
Por sado duken sentencor të gjitha raportet skenike bëhen të arsyeshme në një ambient post apokaliptik që në fakt është toka e shkretëruar, prishtja e strofullës dhe përtej kësaj pasoja e shkatërrimit të raporteve njeri – njeri, njeri- natyrë apo keqtrajtimit të natyrës, digjitalizimit të jetës, industrializimit të dashurisë të gjitha këto shenja të shkretërimit të jetës për pasojë e kanë sëmur atdheun e quajtur tokë, andaj autorja Arta dhe regjisorja Ilirjana operojnë brenda një vakumi të cilin e ka krijuar kataklizma në kërkim të frymëmarrjes, grurit për arat shterpe, varrit për të vdekurit, frekuencave të dashurisë, gjallimit të shpresës dhe gjakimit për t’iu përgjigjur pyetjes kah jemi nis kështu. Dëshmia që hëna në qiellin e hapur të fshatit Kukaj, i bënë ngjarjes gjithashtu hyn në regjistrin e shenjave kosmike dhe harmonisë së prishur dhe si e tillë bëhet material për të ndërtuar një harmoni artistike përmes gjuhës së teatrit që na flet dramatikisht shqetësueshëm.
Shfaqja në shikim të parë të fascionon me ambientin shumë përmbajtësor, pastaj sa nis rrëfimi të zhvillohet ke pritshmëri të thyerjeve e kthesave dramatike në marrëdhëniet midis personazheve në raportin shkak-pasojë po që nuk ndodhin në skenë por te spektatori po se po. Andaj të gjitha “mungesat” sikur i arsyeton tipoligjia e dramës, tema që trajton, koha dhe vendi. Si e tillë, shfaqja të grishë imagjinaten dhe nuk të lë spektator indiferent duke pritur që gjithë rrëfimin t’ia thonë personazhet, por pa hetueshëm bëhesh edhe vetë personazh s’paku si metapjesëmarrës i dilemës apo pyetjes esenciale që shtron shfaqja: kah po shkon njerëzimi dhe në cilën pergamen do të shkruhet jeta e tokës që të di ta lexoj dikush kur t’nis një jetë e re.
E veçanta dhe dobësia e shfaqjes është se “Karrocë n’ajr” nuk mund të luhet në ambiente tjera sepse e humb ndriçimin e hënës plakë andaj nuk funksionon me të gjitha shenjat që i emeton Kukaj dhe Serpentine ku pakufishmëria e qiellit bëhet ambient skenik.
Aktrimi, teksti, regjisura që bëhen mesazhe
Aktorët e shfaqjes ishin ambientuar me skenografinë e cila bëhet pjesë e lojës së tyre, ashtu si edhe kolonat muzikore, efektet e tymit dhe ndrçimi i dizajnuar mrekullisht.
Edhe pse nganjëherë me ndonjë kapërcim intonativ aktrimi prek patetikën duke dalë mbi atmosferën e shfaqjes megjithatë në përgjithësi detyrat skenike i kryenin me saktësi me një gjuhë shprehëse aktoriale naturaliste që i ngjanë interpretimit në film.
Teksti kishte disa vakume të cilat i plotësonte leximi regjisorial me një organizim të veprimeve brenda natyrës apokaliptike të cilën Ilirijana kishte organizuar me mizanskenë spontane duke zhvilluar raporte midis personazheve të cilat raporte nganjëherë funksiononin si mungesë raporti, si një përhumbje brenda së cilës kërkohej rruga për një botë tjetër sepse kësaj i ka humbur gjelbërimi e ëndërrat kanë mbetur matan jetës. Në sfond dëgjohet një zë fëmije i cili sikur na thotë: e ardhmja është në kërkim të fillit të kujtesës. Rrota e historisë së njerëzimit tashmë është pjesë e karrocës në ajr në kërkim të jetës brenda pafundësisë së kosmosit.
Shfaqja “Karrocë n’Ajr” ia vlen të shikohet sepse zgjon një mori asociacionesh, mendimesh dhe shqyrtimesh që vetëm teatri di ti thërras.
Produkcioni i shfaqjes:
Autore: Arta Arifi
Regjisore: Ilirjana Arifi
Aktorë: Mensur Safçiu, Andi Bajgora, Shpëtim Selmani, Igballe Qena, Qendersa Loki, Albana Gashi
Kompozitor: Memli Kelmendi
Mjeshtër ndriçimi: Skender Latifi, Albert Gashi
Kostumet: Njomza Luci
Skenografia: Serpentine
ObserverKult













