Leonardo de Martino, mësuesi i parë i Gjergj Fishtës

Gjergj Fishta

Poeti arbëresh Leonardo De Martino lindi në fshatin arbëresh Greçi, të provincës së Avelinos (Itali) 181 vite më parë. Famullitari i Troshanit (dhe i fshatit Fishtë), ai e pagëzoi Zefin në ditët e para të jetës dhe ka vlerësuar zgjuarsinë dhe zhdërvjelltësinë e zadrimorit të vogël, që do të ishte Fishta i madh e letrave shqipe.

Më 1865 u dërgua si meshtar në Shqipërinë e Veriut, ku mori pjesë në lëvizjen kulturore patriotike. Shkroi vjersha dhe ndonjë pjesë dramatike, të cilat i botoi në përmbledhjen “L’arpa d’un italo-albanese” (“Harpa e një arbëreshi”, Venedik, 1881). Në krijimet e tij më të mira i këndoi me nota romantike dashurisë për Shqipërinë, evokoi figurën e Skënderbeut etj. Krijimtaria e tij ushtroi ndikim te Fishta, Mjeda, kur ishin në hapat e parë si poetë. De Martinos i takon edhe merita për vënien në skenë të dramës së parë shqipe.

Kreu shërbimin meshtarak kryesisht në Troshan, në dioqezën e Zadrimës dhe në fshatrat e Lezhës. Për një farë kohe shërbeu si sekretar i Prenk Pashës, princ i Mirditës dhe si kujdestar i të birit të Pashës, Prenk Bibë Dodës (1858-1920). Por nxënësi i tij më i shquar qe katundari i vogël, Zekë Ndoci, të cilin duart e tij të mësuara e shndërruan në Atë Gjergj Fishtë. Në Poetin i cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë veriore, në majat më të larta. E kjo mund të konsiderohet edhe kryevepra e fratit de Martino.

Atë Leonardi u largua nga Shqipëria në fund të shekullit XIX. Në historitë e letërsisë shqipe thuhet se doli në pension, duke harruar se ai ishte rregulltar katolik e meshtar e se rregulltarët nuk e dinë ç’është pensioni. Sepse i shërbejnë Zotit deri sa mbyllin sytë për dritën e kësaj bote. E De Martino i mbylli sytë në moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin e Sarnos në Itali, më 12 korrik 1923.

Vepra të shkruara në dialektin gegë

I la trashëgim kulturës shqiptare pasurinë që mblodhi gjatë dyzet vjetëve të shërbimit në provincën françeskane: veprat, të përkthyera e origjinale, shkruar në dialektin gegë. Filologu i shquar, Justin Rrota, autor i tekstit “Letratyra shqype për shkollat e mjesme” (1925), shprehet: Leonardo de Martino është “poet prej natyre, shkroi e botoi shumë kangë, sa kje pa ardhë në Shqypni, në gjuhë italishte. Këtu mandej, si e theu dialektin e vet n’atë të Gegnis, ia muer doren e shkroi me aq mjeshtri.

Ndërmjet tyre kujtojmë: ‘Vaji i hapses’, variant shqip i ‘Il lamento della prigionera’ të poetit dhe romancierit milanez, Tomaso Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d’Istrias më 1868. ‘Munnimi i Jezu Krishtit’ (1875), përkthim i veprës ‘Passione di Gesù Cristo’ të Pietro Metastasios (1698-1782).

E, sidomos, veprën origjinale lirike ‘L’Arpa di un italo-albanese, (Harpa e një arbëreshi), Venedik 1888. Është një përmbledhje e vëllimshme 442 faqesh e poezisë më të pjekur e më të përpunuar të De Martinos në italisht e në shqip. Shkruar me finesë e pasuri metrike të pazakontë për letrat shqipe të kohës. Njihet edhe për pjesën teatrore të shkurtër ‘Nata e Këshnellavet’, Shkodër 1880, e para në llojin e vet në shqipe.

Një tjetër vepër e Atë Leonardo De-Martino është: “Breve compendio dell avita e delle gesta di GIOGRIO CASTRIOTA SKANDERBEG, principe dell’Epiro e dell’Albania”, botuar në Greci më 1882. (Përmbledhje e shkurtër e jetës dhe veprave të GJERGJ KASTRIOTIT SKANDERBEUT, princit të Epirit e të Shqipërisë).

Emri i tij lidhet ngushtë edhe me shpalljen e Zojës së Këshillit të Mirë ‘Pajtore e Shqiptarëve’. Pamfleti poetik, që qarkulloi me këtë rast të jashtëzakonshëm festiv. Kushtuar Zojës së Bekuar, është një ndër krijimet e tij më të frymëzuara./konica.al