Disa shënime për librin me poezi “Njeriu i diellit” të Alisa Velajt

Nga Diamanta Zalta

“Njeriu i Diellit” është libri më i ri i poetes Alisa Velaj, me 60 poezi që flatrojnë për në zemrën e lexuesit si pulëbardha të etura për të parë reagimin më të bukur njerëzor pas cicërimave të tyre. E kanë hak! Nuk e njoh nga afër autoren, por me bindje mund të them se: gjak mund të mos e kem, por bijë të shpirtit po. Kisha kohë pa lexuar poezi të këtij niveli, që nga përdorimi i gjuhës, konfiguracionit dhe mendimit të avancuar qe përcjell.

Sepse në fund të fundit, një libër duhet doemos të përcjellë pedagogji, të luajë rolin e një guri që vendoset në themelet e këtij arti të veshtirë, të cilit i duhet që vetëm nëpërmjet dy vargjesh të thotë aq shumë. Jo më kot poeti i madh i kohëve tona Lasgush Poradeci shkruante: “Poezia është përpara së gjithash si Art. Ajo formon shpirtin e kombit. Një libër roman, është një libër bashkëbisedimi, ndërsa një libër me poezi është një libër formimi … Prandaj duhet të shkruajmë poezi jo të mirë po shumë të mirë, jo të lartë po shumë të lartë, shumë të thellë, shumë të gjerë, që t’i vemë shpirtit të kombit themele të shëndosha”. (Përpara monumentit në vendlindjen e tij është një fushë plot me trendafila. Ngjajnë se kuqëlojne si fjalët e tij, pozuar si POEZI.)

Kështu dhe Alisa Velaj, duke perifrazuar Heminguejin, i afrohet lapsit mbi fletë si prifti Altarit!. Po, e dashur Alisë, vjen një kohë dhe kupton se je personalizuar plotësisht, trup e shpirt, ke Botën tënde . Dhe shkon të jetosh atje, e zgjedh në hapësirën tënde. Me rastin më të vogël që të jepet, kërkon të shkosh atje ku ndihesh e përmbushur. Disa këtë vend e quajnë “vetmia ime”. Për ty është “i imi tjetër vend”. Atje mbyll çdo zhurmë, ngre lart zërin e asaj muzike që jeton brenda teje, me të dhe për të. Tingëllon pak egoiste?! Jo. Po çdo njeri, absolutisht çdo njeri, ka përbrenda dhe një vetë të dytë, me të cilën gëzon ndryshe, hidhërohet, lufton, gjen paqen, humb apo fiton copëza nga tërësia e asaj që quhet JETE . Eshtë vetë natyra e njeriut e tillë . Pas kesaj, dihet se karakteri dhe përmbajtja që i japim ne vetë jetës, shkojnë bashkë.

Alisa zgjodhi të shkruajë jetën! Vargu i saj duket se kërcen vals me ndjesitë, me ngjyrat, me zogjtë, me harabelat, me barin dhe lulet e egra. Herë një Shtraus gazmor dhe herë të bën të heshtur e të menduar si të jesh duke dëgjuar List-in.

Shpirti na zgjerohet si det, e na duket vetja si një varkë peshkatari mbi të.

Bukë dielli në varkën e peshkatarit.
Avullon aroma, tejshpon nuhatjen.
Shpërndahet pa na parë ajo që erdhi
e na deshi pa e kuptuar,
dhe e kuptuam pa e ditur se e deshem …

Në poezinë “Me shpirtin e detit” poetja duket sikur ka gjetur çelësin e së Mirës! Ndoshta tek i Ati , tek sprovat e njerëzve më të mëdhenj, tek rrëfenjat me to .

“Po këto pyetje me kaq të fshehta, shpirt ?
Njeriu përtërihet mes zbulesash, bijë!
Strehoii në zemer dhe aty mbaji .

Ka çaste kur frymëzimi bëhet shtrat për zjarr dhe vetmia tulatet përpara shpresës . E do shpresën mëndja e avancuar , sepse mendimi kërkon arritjet në ndryshim .

Kapërdin shpresën vetmia , pelikanin burgos në qiellzë, nëpërdhëmbë e dhëmballë . O mall dashurie përpëlitur në eshtra,
eja të paktën një ag të vetëm,
belbëria e zogut të gdhihet Fjalë…

Vazhdoj të përhumbem në vargjet e autores për orë të tëra dhe mendoj e ndërgjegjësuar se me këtë poete fillon një epokë e re triumfi për poezinë; më serioze, më kërkuese, më e përgjegjshme, më respektuese, me një ligjërim metaforik krejtësisht të ri. Me një strukturë sintaksore të veçantë që i mundëson lexuesit shpresën, se në mes të kësaj gjurulldie ku shume vetëquhen me lehtësi poetë, shpesh edhe në mes të një deliri të paspjegueshëm, Pema e Poezisë që së pari kërkon modesti dhe shumë ushqim shpirtëror e kulturor, po çel fruta të reja që i përkasin të fismes dhe vlerave . Alisa çel gjithashtu një gjuhë të re poetike që të krijon imazhin e poezise Perendimore te shekullit tone, rrëzon tablotë e vjetra të mënyrës së të shkruarit poezi, duke iu përshtatur detyrimisht rimave dhe metrave. Ajo përdor me sukses vargun e lirë, duke ia përshtatur një muzikaliteti të brendshëm.

PAPERLYERJE

Qofsh dritë e më së bukurës dhimbje,
ti mëngjes shtatori i papërlyer me natë.

Detin, si munde ta shkulësh nga vetja ,
në sy duke më parë si të mos isha?

Nëse përmes poezisë, autorja dëshmon, se për shpirt ka detin, vargjet e saj dialogjike në thelbin e tyre ngjasojnë me ato shishet e hedhura në det me një mesazh të çmuar brenda , si një short shprese, me gjasa për t’u lexuar nga dikush në bregun tjetër të zemrave.

Poezia e Alisa Velajt ecën me kohën, nëpër shtigje të ngushta, duke kërkuar dritën e një realiteti ende të pavikatur. Për një realitet të tillë gugasin vargjet, duke qenë gjithmonë pjesë e lëvizjes së një mendimi modern, të një gjenerate të re kërkuese për stade të reja të të shkruarit poezi aspak të thjeshta, të avancuara, paralel me kohën, me mund e përpjekje për të gjetur yllin e Fjalës dhe bukurinë e Gjuhës.

E arritshme, e preçize, përkundër gjithçkaje është Gjuha. Fjala dhe mendimi në poezine e Velajt e marrin zanafillën nga rrënjët, që do të thotë: bëmë baba të të ngjaj! Ka poezi të thukëta brenda librit, ku poetja duket sikur i thotë lexuesit: ja eja matma pulsin tim të kuptosh vargun brenda mendimit deri ku arrin! Ka një bardhësi të virgjër përbrenda shpirtit të saj që çlirohet edhe përpos lutjes. E thjeshtë, e brishtë, aq sa mban zemra. Nganjëherë penës së saj i pëlqen ta ´´tejkalojë´´ njeriun, humanizon në shqisa qiparizat, i bën të qajnë , të flasin vetminë, peshën e dritës e bën diell. Mohin legjendë që kurrë nuk vdes; personazh ky me të cilin dashurohesh .

E lexova një herë kete liber, nuk më mjaftoi . Kjo gjë rrallë here më ndodh. Vetëm në hapsirën e këtij bashkëpunimi me lexuesin, poeti mund të zërë një vend të merituar në UDHEN E SHKRONJAVE. Prania e tij bëhet e pranuar kur ai bëhet TI! Poeti bëhet zëri yt në Fjalën e tij, sepse poezia nuk duhet të jetë kurrsesi hermetike, e mundimshme për tu dhënë te të tjerët. Ajo duhet përçuar, pasi në çastin kur publikohet e del në dritë të diellit, nuk i përket vetëm atij që e shkroi, por bëhet e te gjithëve. Bëhet edhe e lexuesit që e çmon atë , sepse i përshtatet. Është KOHA E TIJ ! Ja pse poezia është shpërblyese! Tërësia e brendshme e Alisa Velajt në këtë libër dëshmon liri të plotë inteligjence. Aspak e humbur në mes humbjesh. Alisa tashmë ka kaluar dinjitetshëm para nesh, ne nuk mundemi më ta harrojmë. Ajo ka lënë gjurmë dhe përkatësi. Ne vetëm presim. Presim të kalojë përsëri. Asaj iu dha rasti të kalojë e të ndalojë në DRITË!

ObserverKult


Lexo edhe:

ALISA VELAJ: DIKUR KAM DASHURUAR NJË QYTET